Bashkimi Shqiperia dhe Kosova prej vitit te ardhshem me abetare te perbashket

Bashkimi: Shqiperia dhe Kosova, prej vitit te ardhshem me abetare te perbashket
Tekste të njëjta për shkollat fillore Projekti pritet të shtrihet më gjerë në të ardhmen. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë një nga dëshirat e vjetra të popullit shqiptar, por dhe të atij të Kosovës. Ndoshta kjo ëndërr për momentin duket pak larg, por kjo s’do të thotë se bashkëpunimi i ngushtë mes të dy vendeve të shtrihet gjerësisht në disa fusha dhe të krijojë idenë e një populli të përbashkët. Abetarja e përbashkët ka qenë një ide e hedhur nga të dyja ministritë e Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Projekti për hartimin e një teksti Abetareje të përbashkët që të përdoret në të gjitha trevat shqipfolëse është shumë afër realizmit. Tashmë kjo nuk është vetëm një ide, pasi projekti për të bërë një program mësimor të përbashkët do të vihet në zbatim në vitin e ardhshëm. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka deklaruar se ka filluar puna për unifikimin e teksteve mësimore dhe të programeve mësimore. “Po bëhen të gjitha përpjekjet që për vitin e ri shkollor 2012-2013 tekstet që përdoren në nivelin e shkollave fillore të jenë të përbashkëta”, - tha ministri Tafaj. Kjo nismë do të jetë vetëm hapi i parë i një projekti që do të përfshijë të gjithë sistemin arsimor të të dyja vendeve që do të dalin me një program të përbashkët.

Abetarja

Për të filluar zbatimin e një projekti të gjerë si Ministria e Arsimit të Shqipërisë, por dhe ajo e Kosovës, kanë rënë dakord që të fillohen më tekstet e përbashkëta në shkollat fillore. Këto tekste do të jenë tërësisht të njëjta si në Shqipëri dhe në Kosovë. Por më e veçanta në këtë bashkëpunim do të jetë abetarja e njëjtë. “Janë ngritur grupet e përbashkëta të punës, të cilat së shpejti fillojnë punë për unifikimin e programeve mësimore dhe të teksteve shkollore. Hapi i parë do të jetë realizimi i Abetares së përbashkët brenda vitit 2012”, - thekoi ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Ai tha se ekspertët do të nisin punën e tyre me përpilimin e në Abetareje të njëjtë dhe se ajo do të jetë gati në afatin e dëshiruar. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit në Kosovë e ka quajtur këtë një arritje të madhe të arsimit të të dyja vendeve. “ Fëmijët kosovarë  do të plotësojnë një nga dëshirat e tyre më të mëdha për të mësuar me të njëjtën abetare si fëmijët në Shqipëri”, - tha ministri i Arsimit  në Kosovë, z. Buja.

Projekti

Përveç teksteve në shkollat fillore që priten të jenë të përbashkëta, projekti nuk do të mjaftojë me kaq, pasi do të ketë një shtrirje dhe në hallkat e tjera të arsimit të të dy vendeve. “Institucionet arsimore në Tiranë, Prishtinë e Shkup kanë një marrëveshje bashkëpunimi që do të shtrihet dhe për tekstet e lëndëve të tjera nga sistemi shkollor fillor”, - tha ministri Tafaj. “Ky është vetëm fillimi,-  theksoi z. Tafaj,-  pasi shumë struktura do të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën për t’u njësuar dhe në fusha të tjera”. Përveç këtyre pikave është diskutuar gjithashtu dhe për pranimet  në universitetet publike që pritet të mos ketë limite në kuota. “Sipas Ministrisë së Arsimit, bashkëpunimi Shqipëri - Kosovë do të shoqërohet dhe me liberalizimin e pranimeve, që do të bëhen në universitetet publike, pasi nga viti i ri akademik pranimi i tyre do të jetë pa limit”, -tha z. Tafaj. Bashkëpunimet midis Shqipërisë dhe Kosovës kanë qenë të shumta, por kjo do të jetë një nga arritjet më të mëdha, si për ministritë e të dyja vendeve, por dhe për të dy popujt.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama