Bateristi i Deep Purple koncert ne Tirane

Bateristi i
Ian Anderson Paice, i lindur më 29 qershor 1948 në Nottingham, Angli, bëri emër si bateristi kryesor i grupit të 'hard-rock'-ut, "Deep Purple". Pas vdekjes së Jon Lord në 2002, ai është i vetmi anëtar themelues i grupit që akoma performonte me të.

Familja e tij lëvizi në Bicester në Oxfordshire. Dëshira dhe interesi i tij fillimisht ishin të drejtuar drejt violinës, por në moshën 15-vjeçare filloi t'i binte baterisë. "Përfundimisht bleva një çantë veglash muzikore për 32 paund dhe vija rrotull duke interpretuar vals dhe ritme të shpejta, duke shoqëruar tim atë, i cili ishte pianist. Ishte pak e vogël dhe pa shije, por ishte vetëm fillimi.", kujton vetë Ian në një prej intervistave të tij.

I influencuar sidomos nga Gene Krupa, Buddy Rich dhe bateristë të tjerë të jazzit, Ian është një nga të paktët bateristë të 'hard rockut i cili përdor dhe "shkrin" ritmet e 'ndryshimet' e jazzit në stilin e tij të fortë "elektrik".

Fillimisht ka qenë baterist në një grup të vogël të quajtur "Georgie and the Rave ons", që më vonë ndryshoi emrin e tij në "The Shindigs". Ian la "shindigs" (festë e zhurmshme) për t'u bashkuar me një grup të quajtur "MI5" që më vonë u riquajt "The Maze" (Labirint).

Ai luajti përkrah Rod Evans në "The Maze". Pas kësaj, në moshën 19-vjeçare, ai ndihmoi në krijimin e "Deep Purple", më 1968. Ai mori pjesë në vitet '80 në ngjarjen 'Super Drumming'. Ishte i vetmi që kishte qenë në çdo moment në formacionin "Deep Purple". Gjithashtu kishte interpretuar me Paice, Ashton & Lord, Whitesnake dhe Gary Moore.

Në verën e vitit '92, Ian Paice ishte i ftuar në koncertin e bamirësisë për mbledhjen e fondeve për të sëmurët me leucemi në Oksford, me anëtarët e "Bad Company" dhe "Procol Harum", të cilët e përfshinë në interpretimin e "A Whiter Shade of Pale".

Ai u ftua nga Paul McCartney për albumin e rock'n'rollit "Run Devil Run" (1999). Steve Morse thotë për Ian Paice: "Ai ngjan me të vërtetë si 'Ringo i ashpër'" (p.s: Ringo - muzikant, këngëtar, autor këngësh dhe aktor, i njohur më së shumti si baterist i "The Beatles"). "Ai është kaq i mirë në bateri, por nuk do të lidhet tepër me të. Kurse, thuajse gjithmonë, në shfaqjet e tij Ian vishet në blu (ose me raste në të gjelbër ose të purpurt). Ndërsa një nga të veçantat e tij është se të gjitha këto i bën duke përdorur dorën e majtë... ".

Ai gjithashtu preferon të ndërtojë bateri bas të veçantë, njëkohësisht drejtpërdrejt, 'live' dhe në studio. Një nga përjashtimet e pakta lidhet me singëllin "Fireball", që ka mundësi të jetë shembulli më i përsosur i teknikës virtuoze të Ian.

Përshtati: B. Goce

“Klasiku i fundit" në Prishtinë

Është një dokumentar kushtuar akademikut kosovar Idriz Ajeti. "Klasiku i fundit", prodhim i Programit Satelitor të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, do të jetë sot premierë në kinemanë “ABC” në Prishtinë.

Realizuar nga Halil Kamberi, ky film tregon për Ajetin si një ndër emrat më të njohur në fushën e gjuhësisë dhe kulturës shqiptare. Rektor i Universitetit të Prishtinës, Idriz Ajeti është autor i shumë studimeve dhe veprave nga fusha e albanologjisë, prej të cilave duket se nuk ka hequr dorë as tani në moshën nëntëdhjetëvjeçare. Filmi sjell fakte dhe intervista mbi këtë akademik shqiptar, i cili ka luajtur një rol të vyer në studimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në Kosovë e më gjerë. Skenari i dokumentarit është shkruar nga Xhovalin Shkurtaj, ndërsa operator është Agim Kuri.

"Niko Nikolla" për më të mirën e humorit dhe satirës

Çmimi "Niko Nikolla" për veprën më të mirë të humorit në gjininë e romanit, letërsisë për fëmijë dhe fabulës, do të shpallet më 20 maj. Në konkursin e organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, janë të ftuar të gjithë krijuesit humoristë nga trojet shqiptare, të cilët kanë afat të dorëzojnë veprat e tyre deri në fund të prillit. Ky çmim do të shpallet çdo muaj maj, kur ka edhe ditën e lindjes Niko Nikolla, nga një juri e përbërë nga emra të njohur të letërsisë shqipe. Themelimi i këtij çmimi, vjen në një moment të duhur kur në Shqipëri vihet re një zbehje e letërsisë humoristike. Dhënia e këtij çmimi të përvitshëm me emrin Niko Nikolla, mendohet të shërbejë edhe si një nxitje më shumë për të shkruar humor.
Kontributi që njeriu i njohur i humorit dhe i letrave, Nikolla, ka dhënë për vite me radhë, është shpallur i pashlyeshëm. Vepra e tij letrare dhe publicistike gjatë 40 vjetëve krijimtari "dëshmon prirjet përparimtare dhe përpjekjet për një shoqëri në zhvillim, përmes kontradiktave dhe angështisë së regjimit totalitar gjatë dhe pas përmbysjes së tij në tranzicionin e vështirë demokratik". Niko Nikolla botoi një seri të madhe librash në fushën e humorit dhe të prozës, ku mund të përmendim: "Shënime të një gazetari", "Pushtimi i Amerikës", "Një angleze në rrugën e Dibrës", "Furtuna e janarit", "Lamtumirë, Vlorë", "Njeriu pa emër", "Zhyl Verni në katror", "Mjaltë dhe Gjak", "Kronika nga Fronti i Dytë", "Vdekja e varrmihësit", "Një lumë midis dy shenjtorëve", "Dallëndyshet e dimrit", "Koloneli me një sy". Shtëpia botuese “Toena”, ka gati për botim “Homo Balcanicus”, një libër me rrëfenja dhe tregime nga Gadishulli Ballkanik, të cilin Nikolla donte ta kthente “nga një fuçi baruti, në një fuçi humori”. Në vitin 1991, Niko Nikolla botoi dhe revistën “Ballkan”, ku shkruan penat më të njohura të humorit nga Gadishulli i Ballkanit. Mes vlerësimeve që ka marrë për veprimtarinë e gjerë publicistike dhe letrare është dhe Urdhri "Naim Frashëri i klasit të parë" (1978). Më 2003-n, për "kontributin në fushën letraro-artistike, kontributin si gazetar, si veprimtar për qytetin e tij të lindjes”, këshilli bashkiak i Pogradecit unanimisht i dha Niko Nikollës titullin "Qytetar Nderi”.

 
Nga : Gazeta metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama