Batutat e Rames me medien Ditelindja e 50-te eshte nje ndryshim dramatik prefiksi

Batutat e Rames me medien: Ditelindja e 50-te eshte nje ndryshim dramatik prefiksi

Në konferencën për shtyp pas vendimit të Këshillit të BE-së për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, Edi Rama nuk i ka kursyer thumbat për medien dhe batutat për opozitën.

 

“Dua t’ia kaloj tani fjalën Ministres së Integrimit, e cila meriton një mirënjohje ende më të veçantë se të gjithë ministrat e tjerë, sepse, siç e dini, nuk ka vetëm një barrë, atë të përbashkëtën, për të çuar përpara procesin e integrimit, por ka edhe barrën e mrekullueshme të një vajze që është në rrugën për t’u bërë nënë. Sigurisht, është një kënaqësi më vete për të, që fëmija të vijë në jetë në një vend me status”, u shpreh Rama.

 

“Duke ia kaluar fjalën Klajdës, ju falenderoj edhe juve me gjithë zemër. Sepse e kam thënë më parë dhe nuk do ta harroj sot, që kjo nuk është një arritje ekskluzive dhe s’mund të jetë një arritje ekskluzive e qeverisë, dhe qeveria jonë nuk do të ishte kaq e mirë sa ç’është, pa ju.”

 

Zoti Kryeministër, nga informacionet që vijnë nga Luksemburgu, statusi do të shoqërohet me kushte tepër të forta  për çeljen e negociatave. Do të doja të dija kur mendoni se Shqipëria do t’i çelë negociatat?

 

Rama: Statusi është si fejesa. Fejesa ka kushte, se pa plotësuar kushtet nuk martohesh dot. Kështu që, as që diskutohet që procesi vjen duke u bërë më intensiv, rruga vjen duke u bërë më e vështirë, jo më e lehtë dhe sfida vjen duke u bërë më e madhe dhe jo më e vogël. Në këtë aspekt, ne jemi të bindur se do t’ia dalim, pavarësisht se çfarë kushtesh vendosen. Kushtet që i kemi vendosur vetes janë më të rënda se ato që mund të na vendosin të tjerët. Ne nuk do të plotësojmë kushtet e të tjerëve, por ne do të bëjmë çdo gjë që lidhet me çka na kërkohet, sepse është në të mirën e vendit dhe të fëmijëve tanë. Kështu që, do shkojmë përpara jo se na e kërkojnë të tjerët, por sepse destinacioni ynë është të shkojmë përpara dhe të ecim më shpejt, drejt rilindjes dhe të plotësojmë gjithë pjesën tjetër të rrugës, për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota të Familjes Europiane.

 

Zoti Kryeministër, ju vetë e keni deklaruar shpeshherë që Shqipëria e meritonte statusin që në dhjetor, kur ju faktikisht mund të  keni bërë vërtet maksimumin, por kishit pak kohë në pushtet. A nuk mjafton kjo, për t’i adresuar një falenderim edhe opozitës së sotme politike, siç e theksuar ju, deri dje në qeveri, për plotësimin e kushteve?

 

Rama: Unë kam shumë dëshirë t’ju them ABC Neës, se ju i thoni EjBiSi, po  nuk e di pse e bëni këtë. Aq më tepër tani që kemi edhe statusin. ABC është më mirë sesa EjBiSi, më besoni. Se EjBiSi-në e kanë të tjerët. Ne kemi ABC-në. Dhe, padyshim, një falenderim për ABC-në si një opozitë intensive, politike, propagandistike dhe e paepur, deri në deformime që ne na ndihmojnë të shikojmë sesa të drejtë e kemi nganjëherë, përpara pasqyrës suaj. Është absolutisht një falenderim i merituar dhe e them këtë, me sinqeritetin që e kërkon kjo ditë. Pra, sinqeritet i plotë. Asgjë s’është përpara jush, opozita tjetër. Më besoni.

 

Duke qenë se marrja e statusit vendos Shqipërinë në një status tjetër në raport në komunikimin me ndërkombëtarët dhe partnerët, por edhe me veten e saj brenda, me faktorët politikë. A do të garantoni ju që opozita dhe mazhoranca do të jenë bashkë në parlament, për kryerjen e dy reformave parësore, flas për momentin, që janë emergjente, ajo administrative dhe ajo në drejtësi. Ju faleminderit.

 

Rama: Siç thotë këta të ABC-së, “It takes two for a tango”. Kështu që, për një vallëzim duhen dy vetë, normalisht. Ne jemi absolutisht në dispozicion të opozitës, sa herë dhe kurdoherë dhe kudo qoftë dhe për çfarëdo qoftë, sa herë që opozita do të kontribuojë me alternativën e vet. Që do të thotë që jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të diskutojmë çdo opsion që opozita ka për çdo ligj, për çdo reformë. Por shqiptarët nuk mund të presin më. Shqiptarët duhet të ecin shpejt. Çdo ditë e më shpjet. Dhe vetëm një gjë nuk mund t’ia japim opozitës, që ne të rrimë në vendnumëro, bashkë me opozitën. Opozita ka vendosur të rrijë në vendnumëro, është drejta e saj. Ne nuk bëjmë zgjedhjen e opozitës. Ne bëjmë zgjedhjen tonë. Por, me siguri, që opozita i ka të gjithë hapësirat. E kam thënë qysh ditën e parë, për ne është e rëndësishme një gjë; opozitës sot të mos i mungojë asgjë, nga ato që i mungonin opozitës dje. Dhe çfarë i mungonin opozitës dje, ne e dimë fort mirë, sepse e mbajmë mend fort mirë.

 

Kur mund të nisë reforma në drejtësi dhe ku do bazohet ajo? Së dyti, në këtë jubile të ditëlindjen suaj të 50-të, që festoni tani në korrik...

 

Rama: Faleminderit që ma kujtove.

 

A e prisnit që...

 

Rama: Jo nuk e pres fare me entuziazëm. Ditëlindja e 50-të është një ndryshim dramatik prefiksi që unë e pres pa asnjë lloj entuziazmi.

 

Por që vjen me statusin.

 

Rama: Unë nuk besoj që ditëlindja ime është kaq e rëndësishme. Më mjafton fakti që e festojnë gjithë Shtetet e Bashkuara. Por më shumë se kaq, jo. Nejse, ju keni parë përpara meje, kryeministra që bëheshin 60-të dhe thoshin jam 16-të. Kështu që, mbase, ju kanë krijuar idenë që sa më shumë shtohen vitet, aq më i lumtur je kur të vjen ditëlindja. Por për mua është e kundërta.

 

Ndërkohë që, sa i përket reformës në drejtësi, dua ta përsëris edhe sot, “Gatet e drejtësisë” duhet të dorëzojnë çekiçin. Ky është qëllimi i reformës, me një fjali. Sepse çekiçi i “Gateve të drejtësisë” vret më shumë sesa çdo armë tjetër, që është në qarkullim në Shqipëri. Një lajm i mirë i viteve më parë ishte ai për liberalizimin e vizave dhe përfitimet kanë qenë direkt të prekshme nga ana e qytetarëve. Po përfitimet nga statusi, sa të prekshme janë nga ana e qytetarëve?

 

Rama: E prekshme, miku im, është ekonomia. Më lejoni t’ju them se jam plotësisht i vetëdijshëm për këtë. Qëllimi ynë i madh, shqetësimi ynë i madh është të rrisim ekonominë, të rrisim punësimin, të rrisim të ardhurat në xhepat e shqiptarëve, të rrisim prodhimin tonë kombëtar dhe të fuqizojmë organikisht vendin tonë. Kjo është e prekshme. Ndërkohë që të gjitha të tjerat janë pjesë e një procesi.



Statusin nuk kam ndërmend ta bëj sot, më të rëndësishëm sesa dje, meqë e morëm dhe as kam ndërmend t’i bie gjoksit, që shikoni se qeveria ju solli statusin. Ne bëmë thjesht e vetëm detyrën tonë. Po ta kishin bërë të tjerët përpara nesh, do kishim marrë statusin me kohë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Rëndësi ka që ne e morëm në kohë rekord. Dhe e përsëris;- askush nuk dua të më keqkuptojë dhe as të keqinterpretojë fjalët e mia.- Kam pasur neveri kur kam parë qeverinë paraardhëse të organizojë koncerte dhe të mbushë qiellin me fishekzjarrë, për të shfrytëzuar politikisht arritje të kësaj natyre. Kjo nuk do të ndodhë. Çiljeta nuk do këndojë këtë herë. Ne po përgatitemi do të ftojmë të gjithë ata që mendojmë se duhen ftuar, edhe Sali Berishën, për të qenë sëbashku në një festë dinjitoze dhe modeste, për të adresuar në atë festë, gëzimin tonë si shqiptarë për këtë që u arrit dhe reflektimet tona.

 

Nuk do të monopolizojmë dhe nuk do privatizojmë statusin për qëllime politike. Besoj se shqiptarët janë mjaftueshmërisht të stërvitur politikisht, për të ndarë kush ka bërë çfarë dhe për ta gjykuar nga ana e tyre. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama