Eduard Halimi: Pse kërkoni konflikt? Pse kërkoni që të shkelni Kushtetutën në këtë Parlament? Rruga e antikushtetuetshmërisë është rruga e diktatit. Ju e dini se kjo është rrugë e shkurtër dhe BE-ja ju ka thënë se kjo nuk është rruga e duhur. Prandaj i nderuar kryetar, kthejeni ligjshmërinë në këtë Kuvend.
Ilir Meta: Të respektohet rregullorja, zotëria e shkeli me 5 minuta. T’i përmbahemi rregullores për procesverbalin.
Aldo Bumçi kërkon fjalën.
Ilir Meta: Për procesverbalin e keni, e keni lexuar nenin 44 të rregullores?
Aldo Bumçi: Stefan Fule në një takim pa median tha se nëse ne do thoshim gjithçka që thoni ju, jo 5 vende por 25 vende anëtare të BE-së do bllokonin statusin.
Mbaron koha. Aldo Bumçi flet pa mikrofon.
Ilir Meta: Hiqni dorë nga sjelljet e papërgjegjshme. Nëse doni të flisni keni kohë 60 minuta në fund të seancës. Nuk jam këtu për të dëgjuar recitimet e tuaja.
Jozefina Topalli: Hap mikrofonin. Nuk ke mbledhur seancën.
Ilir Meta: Si të mbledh unë Parlamentin kur Berisha ishte në Irlandë?! Ju keni ardhur për protagonizëm.
Jozefina Topalli: Procesverbali duhet të ishte votuar të enjten e shkuar, por ju keni guxuar të bëni atë që asnjë kryetar se ka bërë në 23 vite, ke mbyllur dyer e Parlamentit. Je precedent i rrezikshëm. (Mbaron koha, mbyllet mikrofoni)
Ilir Meta i drejtohet administratës: Jepja zonjës Topalli fjalën, meqë nuk është zoti Berisha dhe i takon të flasë pa limit. Projektligjet e ditës së enjte ishin në komisione. Unë gjykova që të mos mblidheshim ditën e enjte vetëm për të miratuar procesverbalin. Shpjegimi emocional është: E kisha të vështirë të mblidhja Kuvendin pa zotin Berisha se ishte në Irlandë. Nëse kam bërë shkelje bëni mocion për shkarkimin tim.
Jozefina Topalli: Kush jeni ju që thoni unë gjykova?
Ilir Meta: Kush jeni ju që flisni në emër të Parlamentit? Ju flisni në emrin tuaj. Parlamenti flet dhe me votë, bëni mocionin për shkarkim.
Gramoz Ruçi: Zonjë e nderuar, (I referohet Topallit), Parlamentin nuk e ka mbyllur kush, salla ka qenë e hapur. Ju e dini shumë mirë se Parlamenti funksionon me një axhendë. Një orë para se të fillojë seanca në Parlament duhet të jetë lista e diskutuarve, ndërsa ju nuk vini në Parlament. Këtu kërkohet konflikt politik, por parlamenti ka një rregullore, kështu që ju lutem që të zbatohet rregullorja. Nuk keni çështje dhe doni të kapeni pas të ashtuquajturës mbyllje të parlamentit.
Edi Paloka (pas rinisjes së seancës): Ne diktaturat jemi mësuar t’i rrëzojmë. Kur them ne e kam fjalën për shqiptarët, jo vetëm për ne këtu. Do të merrni përgjigje nga shqiptarët.
Ilir Meta: Ju lutem mos e ngrini zërin, nuk jam nga ata që trembem shumë. Edi Paloka: E shoh që ju do të vazhdoni këtë rrugë, e keni vendosur dhe sot treguat se jeni tërësisht në shërbim të Kryeministrit. Opozita largohet.
Edi Rama (pa mikrofon i drejtohet Topallit): Ku po shkon Jozefinë, unë për ty erdha?
Jozefina Topalli: Këtu prit.