Taulant Xhaka është mes futbollistëve që monitorohen nga klubet më të mëdha Evropiane. Por Bazeli duket se nuk ka ndër mend të lërë të largohet mesfushorin e përfaqësueses shqiptare.
"Kam kontratë edhe dy vite të tjera me Bazelin. Klubi më ka bërë një ofertë, që ta rinovoj kontratën për 5 vite", pranoi dje futbollisti i kombëtares. "Do ta shoh ofertën me babain, familjen dhe menaxherin. Të shoh se cila është zgjedhja më ideale për mua dhe pastaj ta shohim".
Për sa i përket transferimit të vëllait të tij, Granit Xhakës, te Arsenali, ai e ka cilësuar një krenari të veçantë. "Besoj se Graniti e ka merituar këtë transferim te Arsenali. Kjo është kënaqësi dhe krenari edhe për mua dhe familjen time. Graniti ka kualitete që ndoshta nuk i ka çdo futbollist. Mendoj se në pozicionin e tij është më i miri në Evropë dhe me moshën që ka është shumë i zhvilluar. Ai do të shkonte te Arsenali edhe nëse do të luante për Shqipërinë", theksoi Taulant Xhaka.