Bazilika zhvendos monumentin e Aqif Pashes ne Elbasan

Bazilika zhvendos monumentin e Aqif Pashes ne Elbasan
Një fond prej 1 milion eurosh do të bëjë të mundur rikthimin në identitet të rrugës Egnatia. Projekti i mbështetur nga Bashkimi Europian do të marrë udhë më 15 korrik. Kjo u vendos në një takim të posaçëm mes përfaqësuesve të Bashkisë së Elbasanit dhe përfaqësuesve të Komunitetit Europian në Tiranë, specialistëve të BE-së, supervizorëve dhe firmave kontraktuese. Në këtë takim u diskutua për detajet e këtij projekti që do të nisë më 15 korrik. Projekti do të përfshijë vijën Egnatia nga perëndimi në lindje në lagjen Kala si dhe bazilikën e qytetit. “Është një fond prej 1 milion Euro i BE-së që do të bëjë të mundur kthimin në identitet të vijës Egnatia nga perëndimi në lindje në kala dhe 200 mijë euro do të përdoren për zbulimin e bazilikës dhe mbulimin e mozaikut” - tha kryetari i baskisë, Qazim Sejdini.

Punimet e bazilikës zhvendosin monumentin e Aqif Pashës

Përsa i përket Mozaikut të Bazilikës së Bezistanit në Elbasan, projekti parashikon që ajo të shtrihet në një sipërfaqe prej 800 metrash në sheshin kryesor të Elbasanit. Por për ta realizuar këtë duhet që të hiqet monumenti i Aqif Pashës në qendër të qytetit. Ky do të jetë hapi i parë që do të ndërmerret. Monumenti do të vendoset në një vend tjetër të qytetit, por ende nuk është vendosur se ku. “Kontratat supervisor-kontraktor kanë përfunduar dhe Bashkia e Elbasanit ka kohë që e ka dhënë lejen për vazhdimin e punimeve të këtij projekti”- shpjegon inxhinierja Rajmonda Hazballa. Në fakt vendi i mozaikut tashmë është kthyer në një gërmadhë që të vret syrin. Por siç shpjegohet, investimet për këtë projekt janë çështje ditësh dhe shpresat për një fytyrë të re të sheshit të Bezistanit janë të mëdha. Por ndërkohë një godinë e re 15 katëshe në qendër të këtij qyteti sapo ka nisur të ndërtohet. Sipas projektit mozaiku i Bazilikës do të ekspozohet nën një urë xhami, në mënyrë që vizitorët të mund ta shohin atë. Ky projekt do të marrë 200 mijë euro nga financimi i BE-së.

Kjo është ura e parë e këtij lloji që ndërtohet në Ballkan, në mënyrë që objekti të jetë i vizitueshëm gjatë gjithë vitit. Qëllimi i këtij projekti është që dhe ky qytet të kthehet në zonë të rëndësishme të turizmit kulturor. Punimet për zbulimin e këtij mozaiku filluar dy vjet e gjysmë më parë. Bazilika paleokristiane mendohet se i përket shek. V-VI dhe shtrihet në gjatësi nga lindja drejt perëndimit të Lagjes Kala. Sipas asaj që kanë konkluduar arkeologët në zbulimin e saj bazilika është shkatërruar nga fundi i shek.VI ose nga uji ose nga djegia për shkak të luftës. Ajo është një bazilikë që shtrihet në 800 metra dhe ka shumë elemente dekorative. Bazilika e Bezistanit është e treta në Elbasan pas asaj të Tepes dhe Shën Pjetrit, e cila mendohet se gjendet brenda në lagjen Kala. Bazilika në qendër të qytetit u zbulua në vitin 2008 dhe tashmë ajo do t’i ndryshojë pamjen qendrës së qytetit të Elbasanit. Me fondin e Bashkimit Europian do të ndërhyhet përgjatë gjurmëve të Via Egnatia në Kala dhe në një prej kullave të vjetra në daljen lindore të saj.

Projektet që kanë lënë gërmadhë qytetin

Por pamja në disa zona të qytetit të Elbasanit përcjell vërtet një imazh të keq për qytetin. Gropa dhe gërmadhat në afërsi të Teatrit ku do të niste projekti i xhamisë së Ballies ka mbetur pezull. Bashkia Elbasan e ka miratuar këtë projekt, po kështu edhe KRTRSH-ja, por mungojnë fondet. Në fakt fondet për ndërtimin e kësaj xhamie u morën përsipër nga donacioni kuvajtjan, por me gjithë përpjekjet e bashkisë dhe Muftinisë, ende nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim. Vetë Kuvajti ndodhet nën stresin e ngjarjeve që kanë përfshire vendet arabe, e madje kaloi një krizë, e cila u stabilizua shpejt. Por vendi në afërsi të teatrit është djerr dhe pret ndërtimin e kultit të ri fetar. Këto projekte do ta bëjnë më të bukur qendrën e Elbasanit dhe më tërheqëse për turistët. F.S.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama