Koha mesatare e zgjatjes së shtatzënisë është reduktuar nga 40 në 39 javë dhe fëmijët e lindur para kohe rrezikojnë seriozisht probleme me shëndetin në të ardhmen. Kështu, numri i lindjeve rreth javës së 36-37 është rritur me plot 13 për qind për një dhjetëvjeçar. Në një studim të publikuar në seminarin botëror "Lindje dhe shtatzëni", u trajtua gjerësisht fenomeni për të gjetur shkaktarët e mundshëm të kësaj gjendjeje, e cila po prek një numër gjithmonë e më të madh grash. Para së gjithash, rritja e numrit të lindjeve me operacion, por edhe niveli i stresit te nënat në tre muajt e fundit të shtatzënisë, luan një rol të rëndësishëm. Puna deri në minutën e fundit, qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë, përjetimi me ankth për këtë eveniment traumatik, janë të gjithë faktorë me rrezikshmëri të lartë për të shkaktuar lindje të parakohshme. Numri i madh i fëmijëve të lindur është gjithashtu një shkak që shtatzënitë të zgjasin më pak se periudha e dëshiruar.
Po nëse reduktimi nga 40 në 39 javë nuk është aq alarmant sa të shkaktojë problem te shëndeti i fëmijës, të zbresësh në 36 javë mund të shkaktojë probleme neurologjike në organet e frymëmarrjes dhe vështirësi gjatë rritjes, për shkak të formimit jo të plotë të organeve jetësore. Kështu, në Britaninë e Madhe lindjet e parakohshme janë rritur nga 5,5 në 10,3 për qind nga viti 1985 deri në 2010. "Kemi një numër të madh lindjesh me operacion, dhe në fakt kjo lloj lindjeje kryhet më parë se gruaja të mbushë 40 javë shtatzëni", -shpjegon John Mcnash, gjinekolog në një prej spitaleve më të mëdha në Londër. "Ekzistojnë gjithashtu edhe disa gjendje mjekësore që na këshillojnë të kryejmë lindje të parakohshme, si për shembull, deficiti në ushqyerjen e brendshme, shkaktuar nga një defekt i placentës. Fëmija nuk ushqehet ashtu siç duhet, ndaj duket se ‘nxiton’ të lindë sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe infeksionet e rënda të vaginës shpesh i detyrojnë nënat për të mos e çuar një shtatzëni deri në fund.
Megjithatë, sot në krahasim me të kaluarën kemi më shumë mënyra për ta diagnostikuar këtë patologji", - tregon ai. Një tjetër gjendje në të cilën mjekët janë të detyruar të vendosin për lindje të parakohshme është edhe diabeti dhe tensioni i lartë i nënës, sëmundjet e rënda në veshka dhe zemër. "Edhe stresi i nënës ndikon shumë në shkurtimin e kohës dhe hormonet e prodhuara nga gjëndrat mbiveshkore, mbi të gjitha kortizoni, luajnë një rol të rëndësishëm për të shkaktuar para kohe dhimbjet e lindjes", - tregon Mcnash. Ndërsa në Itali, ndryshe nga SHBA, shtatzënia është një "gjendje" që mbrohet rreptë edhe nga ligjet e vendit. Megjithatë, përballë tendencës së grave italiane për të pasur fëmijë në moshë gjithmonë e më të madhe, nuk ekziston asnjë ligj. Në fakt, numri më i madh i lindjeve të parakohshme regjistrohet sidomos te gratë nën 18 vjeç dhe tek ato mbi 40 vjeç (4,5 shtatzëni për 100). Përtej oqeanit, rritja e fëmijëve të lindur para kohe përbën një shqetësim vërtet të madh. "Fëmijët që kanë ardhur në jetë disa javë më përpara mund të kenë nevojë për kura mjekësore dhe infermieristike më të mëdha në krahasim me të lindurit brenda periudhës normale. Gjithashtu, nga studimet e shumta kemi parë se këta fëmijë edhe në jetë nuk janë si fëmijët normalë, duke shfaqur më shumë probleme", - tregon pediatrja Nency Green.
Ndërsa Michael Davidoff, një nga studiuesit më të njohur në këtë fushë, shton: "Shumë nga faktorët që provokojnë lindjet e parakohshme janë akoma të panjohur. Megjithatë, i duhet dhënë përparësi e madhe stresit dhe kushteve ekonomike-sociale të nënës". Nëse mesatarja amerikane e lindjeve të parakohshme është në fakt 7,7 për qind, mund të themi se gratë me ngjyrë mbajnë numrin më të lartë të këtyre lindjeve. Megjithatë, studime të shumta konfirmojnë edhe rëndësinë e një jete të shëndetshme të fetusit. Ekspozimi i nënës së ardhshme ndaj agjentëve të jashtëm përmes stilit të jetës të bërë në shtatzëni, mund të influencojë në zhvillimin e jetës së re që pritet të lindë. Për shembull, një ushqyerje e gabuar ose e pamjaftueshme ndikon shumë në lindjen e fëmijëve para kohe, sipas rezultatit të një studimi të publikuar nga Universiteti i Torontos dhe publikuar në "Science". Gjithashtu, edhe analizat radiologjike gjatë shtatzënisë duhen evituar patjetër, sidomos mes javës së 10-të dhe 17-të.
Sipas disa studimeve të tjera, rrezet X janë të rrezikshme edhe për fëmijët, për të cilët do të rritej mundësia për vonesa mendore nëse analiza radiologjike do praktikohet në kokë ose në qafë. Edhe profesor Macedonio Mellni, në Milano, tregon se shkaku kryesor për lindjet e parakohshme mbetet stresi. Sepse, siç tregon një kërkim i kryer së fundmi, shqetësimet që e pengojnë nënën të jetojë normalisht janë gjithmonë e më të shpeshta. Kështu, studimi u krye me 700 gra. Gratë u intervistuan para dhe pas lindjes. 9% të nënave, për më tepër nëna 24-vjeçare, e kanë përcaktuar lindjen si "të papritur", 33 për qind "zgjedhje për dashuri" dhe 58 për qind të programuar. Por, në të tri rastet para dhe pas lindjes, nënat tregonin se kishin ankth dhe shqetësime të tjera për situatën ekonomike familjare, problemet e punës dhe karrierës si dhe vështirësitë. “Tensione dhe strese që rrezikojnë të komprometojnë qetësinë, sepse një nënë e stresuar do të lindë jo vetëm një fëmijë para kohe, por edhe një fëmijë të stresuar", - tregon profesor Moro.