Bebet shqiptare ne epruvete

Bebet shqiptare ne epruvete
Me gjithë paradokset dhe fanatizmat që kanë shoqëruar e shoqërojnë ende mentalitetin e shoqërisë tonë, çuditërisht kemi përftuar ligjërimin e një procesi jetësor, në kuptimin e vërtetë të fjalës, i cili edhe pse shpesh mund të paragjykohet si një ambicie pa fre, mbetet gjithsesi një zgjidhje oportune për shumë të tjerë. Nuk e kemi fjalën për diskutimet e shumta për miratimin ose jo të Ligjit për martesat brenda të njëjtit seks, me gjithë futurizmin që mund mbart ky i fundit.

Qysh prej vitit 2003, kemi në fuqi një ligj “Për shëndetin riprodhues”, që edhe pse shumë konciz, ka lënë hapësirën e duhur për t’u dhënë mundësinë e pasjes së një fëmije me çdo kusht, edhe atyre çifteve apo individëve që, të kushtëzuar nga shkaqe objektive apo subjektive, nuk mund të kenë një fëmijë në rrugë natyrale. Në funksion të kësaj, tashmë, prej më shumë se 5 vjetësh, në disa prej klinikave tona, është e mundur të jesh lumturisht një prind. E gjithë kjo ka një kosto, mbi të gjitha financiare, por nëse je nga ata që ke arritur të shkosh përtej paragjykimeve dhe të suportosh koston morale, me pak durim, mund të realizosh ëndrrën e “të pasurit një fëmijë me çdo kosto, me çdo kusht” dhe brenda 36 orëve të jesh një kandidat i denjë për prind, pikërisht i asaj bebes që për mrekulli të kohës, e ka zanafillën brenda një epruvete.

Infertiliteti, vetëm 5 për qind e tyre e pranojnë in vitron-n

Specialistët pranojnë se niveli i infertilitetit, pra mundësisë së kufizuar për pasjen e një fëmije, ndër çiftet shqiptare arrin deri në 30 për qind. Ky është një fakt i dhimbshëm, por po aq e dhimbshme është edhe e vërteta se vetëm 5 për qind e këtij 30 përqindëshi pranojnë t’i nënshtrohen zgjidhjeve që ofron sot teknologjia mjekësore në fushën e obstetrikës dhe gjinekologjisë. Këto zgjidhje janë të shumta, e shpesh u shpalosen çifteve që pas një pritje të gjatë për të pasur një fëmijë në rrugë natyrale iu drejtohen klinikave të specializuara në këtë fushë për ndihmë. Tipologjia është e shumëllojshme.

Për arsye gjenetike apo të fituara gjatë jetës, ai dhe/ose ajo, nuk mund të konceptojnë një shtatzëni sipas një procesi të natyrshëm. Shpesh problemin e ka prindi mashkull, por nuk përjashtohen dhe shumë raste kur organizmi femëror privohet nga një ngjizje e natyrshme, për shkak të prodhimtarisë jo të lartë të vezores, apo vendosjes jo të rregullt të vezëve në të. Në këtë pikë vjen në ndihmë procesi i fertilizimit “in vitro”. “Kjo nënkupton përgatitjen, fuqizimin e spermës në kushte laboratorike. Po ashtu edhe përgatitjen e vezës së marrë nga trupi i nënës së ardhshme, etapë kjo që në gjuhën mjekësore quhet “pick up” dhe pas kësaj bashkimin e tyre për krijimin e embrionit në kushte laboratorike. Pas 36-72 orësh embrioni është gati për t’u implantuar në trupin e femrës”, shpjegon Dr. Liliana Koçi, mjeke obstetër-gjinekologe në klinikën “Fleming”. Klinika që ajo drejton, prej kohësh është vendosur në marrëdhënie bashkëpunimi me filialin shqiptar të klinikës greke “Iakentro”, një ndër më të njohurat në Europë lidhur me procesin e fertilizimit in vitro.

Sa kushton një bebe epruvete në Shqipëri?

I gjithë ky proces, përfshirë edhe të gjitha ekzaminimet e nevojshme, para dhe gjatë shtatzënisë, kushton 3800 euro. “Të gjitha etapat që shoqërojnë këtë proces ndiqen nga klinika jonë, nën kujdes të vazhdueshëm, që nga ekzaminimet, analizat dhe ekografitë e nevojshme e deri tek stimulimet që i duhen bërë trupit të nënës pritëse. Në klinikën “Iakentro”, realizohet “pick –up”, pra marrja e vezës nga mitra e nënës dhe po ashtu përgatitja e lëngut sematik, si dhe vendosja e tyre në kushte laboratorike. Pas kësaj vjen momenti kryesor, ai i bashkimit të dy qelizave dhe krijimit të embrionit.

 I gjithë ky është një proces që ndiqet nga biologu dhe specialisti gjinekolog grek”, shpjegon Dr. Koçi. Sipas saj, përftimi i embrionit nuk është ende i mundur në klinikën e saj, si edhe në shumë klinika të tjera që bashkëpunojnë me “Iakentro”, për mungesë të aparaturave të specializuara për ruajtjen e qelizave dhe të embrionit, freeze-ra me azot të lëngshëm që realizojnë ngrirjen e tyre. Ndërkaq, në maternitetet tona shtetërore, për shkak të mungesës së aparaturave të nevojshme në këtë proces, nuk mundësohet fertilizimi in vitro apo ajo që ndryshe quhet procesi “Fivet”.

Lindjet me dhurues, tabu-ja vazhdon

E ndërsa sa më sipër pranohet pa kërshëri, një tjetër zgjidhje, më pak e përtypshme për mentalitetin është IVF Egg Donation dhe IVF Sperm Donation, përkatësisht fertilizimi in vitro i një embrioni me vezë të dhuruar dhe fertilizimi in vitro i një embrioni me spermë të dhuruar. Në këtë rast, njëri nga prindërit e ardhshëm nuk do të jetë natyrali, e kjo është një barrierë morale kryesisht e prindit mashkull.

Sepse edhe kur veza që krijoi embrionin e sapo implantuar nuk është e saja, nëna e ardhshme ndihet tërësisht e tillë, në momentin që ajo e rrit dhe e mban krijesën në trupin e saj, për plot nëntë muaj shtatzëni. “Shqiptarët, kryesisht meshkujt, e kanë shumë të zorshme për ta pranuar edhe një mundësi të tillë, por fatmirësisht janë gjithmonë e më të shumta rastet kur përballë dëshirës për të sjellë në jetë një jetë, binden dhe vendosin”, tregon Dr. Liliana. “Kam pasur plot raste të tilla.

Ne mjekëve gjithmonë na duhet të marrim edhe pozitat e këshilluesve, më tepër në shpjegimin e situatave dhe të mundësive, por edhe të lehtësimit të një barre, ndoshta të panevojshme, morale që kanë çiftet që vuajnë infertilitetin”. Procedura e normale e një fertilizimi in vitro të realizuar midis klinikave tona private, në bashkëpunim me klinikën greke “Iakentro”, kushton 2300 euro. Shtuar këtu koston prej 1300-1500 euro për të gjitha ekzaminimet, që përfshijnë stimulimet, ekografitë, analizat dhe ilaçet, kjo tarifë arrin në 3600-3800 euro. Në rastet kur nevojitet donacioni i spermës apo i vezës, kostoja rritet. Shumës së sipërpërmendur i shtohet 300 euro për “sperm donation” (kostoja e spermës së dhuruar) ose 1000 euro për “egg donation” (kostoja e vezës së dhuruar).

Kur zgjedh të jesh një vajzë-nënë

Në këto kushte, me gjithë skepticizmin e masës, do të gjente pse jo zgjidhje edhe ambicia e një femre pa partner për të pasur një fëmijë, më saktë për të sjellë në dritë një bebe, me anë të një fertilizimi in vitro me spermë të dhuruar. Kjo do ta bënte atë një “vajzë-nënë”, por për atë kategori që e mendojnë kështu, kjo ka pak rëndësi. Sigurisht që kjo është një zgjedhje ekstreme që lë pas shijen e saj të hidhësisë, sepse megjithëse teknikisht e mundshme nuk është e thjeshtë. Shoqëria nuk ka arritur akoma t’i asimilojë këto lloj zgjedhjesh, ndoshta sepse është akoma shumë maskiliste, ndoshta sepse duket diçka kundër natyrës e parallogaritur dhe e privuar nga dashuria dhe pasioni midis të qenit “dy”.

Por për ato vajza, që nuk e zgjodhën aspak vetë të ishin beqare deri në një moshë kur ndoshta nënat e tyre dikur kishte tre fëmijë adoleshentë, e vetmja zgjedhje e ndërgjegjshme është ajo e të qenit një nënë, me çdo kusht, me çdo kosto, pse jo edhe pa kaluar nga kaluar nga altari i shenjtërisë martesore. Edhe pse ende shihet si një zgjedhje tabu, midis të rejave apo jo fort të rejave sot, ekziston thellë një ambicie e tillë. Madje ka pasur edhe nga ato që kanë guxuar, duke gëlltitur jo pa hidhërim faktin e hidhur të të mos pasurit një partner, apo atë që nesër duhet t’i shpjegojnë fëmijës së tyre se ka një baba pa fytyrë.

Në të gjitha rastet e dhurimit, qoftë të spermës, qoftë të vezës, prindërit e ardhshëm kanë të drejtë të zgjedhin tipin e dhuruesit. Përveç garancisë së një shëndeti absolut të tij/saj, duke përfshirë këtu të gjitha kontrollet rreth sëmundjeve të trashëgueshme dhe atyre veneriane, ata mund të përzgjedhin gjatësinë trupore, ngjyrën e lëkurës, të flokëve, të syve, formën e hundës, të buzëve, të kokës, etj.

Nga Amerika deri në Shqipëri, një “boom” i vërtetë i turizmit të lindshmërisë

E ndërsa flitet për mundësi të shuma të bekimit me një fëmijë, duhet folur edhe për mundësitë ligjore që e mbështesin, e aprovojnë ose jo këtë proces. Shqipëria ka tashmë 7 vjet që e ka pranuar, mbrojtur nga Ligji për Shëndetin Riprodhues (edhe pse disi evaziv për sa i takon pjesës së fertilizimit in vitro me dhurim) dhe pas eksperimenteve të para, këto metoda ndihmëse kanë më shumë se 5 vjet që aplikohen dhe kanë rezultuar të suksesshme. Por, janë të shuma vendet e Europës që ligjërisht nuk i lejojnë këto procedura. Ndër më të afërtit me ne është Italia. Më shumë për arsye fetare sesa për argumente të tjerë, në Itali ende sot, edhe pse pas shumë polemikash diskutimesh në parlament, me diktatin e padiskutueshëm të Vatikanit, nuk është arritur të ligjërohet mundësia e pasjes së një fëmije përmes fertilizimit in vitro, qoftë atij me dhurim, qoftë atij normalit, pra ngjizjes së një embrioni në kushte laboratorike edhe kur veza dhe sperma janë të prindërve të ardhshëm pritës. Në këto kushte italianët prej vitesh kanë kapërcyer kufijtë e vendit të tyre në kërkim të një fëmije.

 Ajo çka ligjërisht nuk është e mundur në vendin e tyre bëhet realitet menjëherë sapo kalojnë kufijtë. Italianët vrapojnë në Spanjë, në Zvicër në Amerikë, në Austri, në Ukrainë e jo vetëm. Sepse për ata që mundësitë financiare i kanë më të reduktuara, është gjithmonë Sllovenia, Greqia, Turqia dhe Shqipëria. Në diskutimet e fundit, ky fenomen, zgjidhje dhe zgjedhje njëkohësisht, quhet “turizëm për lindshmëri”. Një metaforë e hidhur, ndoshta, për mijëra çifte në vështirësi. Burra dhe gra, çifte të “bekuara”, jo më në kërkim të plazheve përrallore, as të një relaksi larg gjithkujt dhe gjithçkaje. Janë udhëtimet e ankthit për kë ndjek, pak a shumë dëshpërueshëm, dëshirën për të pasur një fëmijë me çdo kosto, me çdo kusht.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama