Bedi Pipa rasti i cuditshem ne Ditarin intim

Bedi Pipa, rasti i çuditshëm në Ditarin intim
Me përjashtim të Musine Kokalarit, deri në vitet `60, në letërsinë tonë nuk ka pasur krijuese femra.Një hapësirë boshe botimesh e dokumentimi të qenësisë së gruas në atë periudhë, si shkrimtare apo si intelektuale. Duket sikur ato nuk kishin lidhje me letërsinë dhe mendimin e qëndronin larg librit dhe konsolidimit intelektual.

Në letërsinë që shkruhet që nga vitet `50 -`60 të shekullit të kaluar e deri tani, është ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësira midis disa zhanreve dhe shpesh ata kanë hyrë te njëri-tjetri në formën e intertekstit, duke ruajtur mes këtij heterogjeniteti harmoninë e veprës letrare si një e tërë.

Fare thjesht gjenden tekste poetike brenda romaneve, tekste autobiografike, rrëfime vetjake, letra, ese dhe elemente të tjera të copëzimit apo segmentimit të tekstit së brendshmi, të cilat të përdorura qëllimisht nga autorët rezultojnë në kompaktësinë e strukturës dhe shumështresimin e kuptimeve të veprës.

Parë nga ky këndvështrim edhe zhanre, të cilat tradita nuk i përfshin pastërtisht dhe prerë në lloje letrare si, autobiografia, rrëfimi vetjak, ditari etj., shikohen përmes një prizmi shumë më objektiv, si shprehëse të raporteve të natyrshme e alternuese, marrëse dhe dhënëse mes tipeve të teksteve, brenda jo thjesht letërsisë, por kulturës së Fjalës dhe historisë së mendimit dhe qytetërimit në tërësi. Memuari në këtë pikëpamje merr një rëndësi tërësisht specifike.

Në larmishmërinë e madhe të kulturës dhe letërsisë shqipe të viteve `30 -`40, me krijuesit e shkëlqyer të asaj kohe, shtrirjen disapërmasore në filozofi, kritikë, ndjeshmëri e botëperceptim, bie në sy një prirje që koha më vonë do të dëshmonte se rezultoi në produktin zhanror të ditarit dhe memuaristikës.

Mjafton të kujtojmë sfondin pikërisht të këtyre viteve dhe më tej ngjarjet e gjysmës së dytë të viteve `40 të përshkruara aq mjeshtërisht në një nga veprat më të mira të këtij lloji në letërsinë tonë, tek vepra e at Zef Pllumit. Në këtë kuptim memuari shfaqet mirëfilli si dëshmia e njerëzve të zakonshëm, në kohë dhe në rrethana të jashtëzakonshme.

Në të tilla rrethana shënimet vetjake të këtyre njerëzve fitojnë një status të ri brenda konceptit tonë për një sërë fenomenesh shoqërore, kulturore dhe bazuar mbi disa vlera të posaçme, ato marrin edhe një pozicion brenda sistemit letrar. Memuari kategorizohet në zhanret autobiografike dhe megjithatë, ndonëse nuk është mirëfilli lloj letrar shpesh ndahet prej këtyre të fundit veç nga një kufi tepër i brishtë.

Nga ana tjetër, memuari është kaq tërësisht vetjak si lloj shkrimi saqë na drejton te një përkufizim i thjeshtë e kompakt i tij, si mënyra dhe pamja në të cilën njeriu e mban mend jetën e vet, ndërkohë që nga ana tjetër autobiografia është më fort histori, kërkim faktesh, kronologji e përpiktë etj.

Pikërisht, me këtë zhanër lidhet emri i një autoreje grua, fakt që për kulturën tonë dhe letërsinë deri në një masë, ka një vlerë specifike qoftë edhe vetëm po të mendojmë që me përjashtim të Musine Kokalarit, deri në vitet `60, nuk ka pasur krijuese femra në letërsinë tonë (pa dashur të hyjmë, sidoqoftë në shtjellimet brenda domenit të studimeve gjinore). Nga kjo hapësirë boshe botimesh e dokumentimi të qenësisë së gruas në atë periudhë, si shkrimtare apo si intelektuale duket sikur ato nuk kishin lidhje me letërsinë dhe mendimin e qëndronin larg librit dhe konsolidimit intelektual.

Sigurisht libri i Bedi Pipës, për të cilin po flasim nuk u botua në atë kohë, aq më pak në të gjallë të autores, por është një provë tepër e fortë që dëshmon disa të vërteta të panjohura të kohës, duke na pohuar realitete mjaft të larmishme dhe fatmirësisht shumë të ndryshme.

Pikërisht, në fillim të viteve `40 është shkruar një tekst që e konsiderojmë si një nga rastet më përfaqësuese të llojit të ditarit për letërsinë shqipe, "Ditari intim" i Bedi Pipës. Këtë tekst, më vonë, vëllai i autores, studiuesi dhe kritiku me emër ndërkombëtar, Arshi Pipa, do ta pajiste me një aparat sqarues dhe trajtesë të zgjeruar për botim. Ky libër është botuar në 2007 në kolanën Ad memorandum nga Botimet "Fjala".

Fatmirësisht edhe vet numri 2 i revistës letrare "Fjala" i ishte kushtuar pikërisht zhanrit të memuarit, duke sjellë një strukturë sado të përmbledhur brenda kufijve të një reviste letrare, përsëri kompakte dhe të përzgjedhur në elemente të admirueshme të shfaqjes së memuaristikës në letërsinë shqipe, bazuar mbi kujtimet dhe shkrimet (e viteve të komunizmit) të disa prej personaliteteve të kulturës shqiptare. Ky është një nga rastet më të mira të vëmendjes ndaj memuaristikës te ne në botimet periodike letrare dhe kulturologjike.

Në këtë ditar të autores Bedi Pipa, jepet përmasa e gjerë e lirisë së brendshme të një njeriu që nuk pranon të përpihet nga e përditshmja, nga e zakonshmja dhe uniformiteti i çfarëdo natyre qoftë, por synon të njohë kufijtë e vet dhe të kuptojë sekretin e harmonizimit të trupit dhe shpirtit njerëzor...Shkrimet e ditarit të Bedi Pipës mbërrijnë deri në vitin e sëmundjes së rëndë e fatale të autores, në 1945.

Melankolia e fortë, e cila dukej që në kohët e shkrimeve të shkollës e që arrinin deri në idenë e vdekjes, bëhen zanafillë e disa meditimeve të saj si introspeksioni, luhatja psikike e njeriut, dualiteti i natyrës së vetes dhe nevoja për ta sunduar çdo përjetim vetjak, duke mos e ekspozuar si edhe logjika e paralelizmit fiziko-psikik të gjendjeve njerëzore.

Ky tekst i plotëson tërësisht kriteret e një memuari sepse përqendrohet në periudha krejt të veçanta e të shkurtra kohore, paraqet meditimin e autores, pra pikëvështrimin e saj personal mbi jetën përreth dhe merr shkas nga ngjarje krejt të përditshme.

Në paraqitjen e tij për lexuesin, në botimin e këtij libri, Arshi Pipa (Paraqitje për lexuesin, "Ditari intim", fq. 16) shpjegon se shkrimet e këtij ditari mund të ndahen në tri kategori kryesore: në ato me karakter psikologjik e kryesisht përshkrues të fenomeneve psikike dhe të pavetëdijshme, në ato me karakter teorik dhe në kategorinë e shkrimeve me natyrë morale.

Teksti prek tema të tilla, aspak të zakonshme as për kohën dhe as për moshën e saj fare të re, si: Vetmia, lumturia, shpresa, halucinacionet, parandjenjat dhe telepatia, simpatia, urrejtja, vlera e jetës, sundimi i vetes, artificialiteti, vullneti, martesa, vuajtjet e brendshme dhe enigma e njeriut e besimi në Zot. Ajo temë të cilën B. Pipa e ka prekur në një mënyrë tronditëse, duke provuar dhimbshëm dhe në mënyrë profetike saktësinë e parandjenjave të saj, është vdekja.

Në pjesën "Era e trupit tem" fq. 93-94, ajo shtjellon çudinë e trupit njerëzor dhe rrek të njohë misterin e tij nëpërmjet kundrimit të fizikut të saj. Ajo vëren për të shqyrtuar e jo për të njohur, gjë për të cilën ka një kthjelltësi të admirueshme si në gjithçka që përshkruan qoftë edhe kur prek ekstremin. Ajo shkruan:

"Nji farë gjasmimi po shumë të largët e ka vetëm me erën e dheut ....

Ndoshta prandaj era e dheshme e trupit tem, ndjell në mue gjithmonë erën e vdekjes." Fq. 93-94.
Këtë temë ajo e trajton pasi ka folur për vetëdijen në gjumë dhe më pas kalon në vetëdijen e kohës. Kurrë nuk e ka trajtuar çudinë apo aq më pak frikën e vdekjes. Nuk ka asnjë shprehje eksplicite të saj në këto shënime, por ka një ndjeshmëri të thellë që arrin në melankoli e vuajtje të zgjatur.

Ndërdija e saj për vdekjen, kur ishte ende e shëndoshë më kujton një poezi të Ahmatovës që mbyllet kështu:

"Si të më ish` e re vëzhgoj gjithçka.
Plepat përhapintë lagështën aromë.
Dhe zbëzaj. Hest e gatshme
Sërish të jem ti,o tokë."

(La corsa del tempo" Fq. 11, përkthimi ynë nga it.)...

Bota e brendshme në konceptin e autores është kaq e vrullshme saqë kundrejt saj kjo 20 vjeçare ushtron në forma edhe ekstreme vullnetin për ta sunduar. Zotërimi i vetes është mundësia e mbrame e njeriut për të treguar sa vlen.

Ndërsa vazhdon meditimet e saj, ajo arrin në përfundime ndriçuese rreth vetes, natyrës njerëzore, natyrës së marrëdhënieve ndërpersonale, kohës kur jetoi dhe gjithashtu në disa ide fort origjinale dhe të përparuara për kohën dhe realitetin shqiptar, veçanërisht me dy tema: për subjektivitetin e të vërtetës dhe kohës. Ajo dëshmon këtu njohjen e filozofisë së Bergsonit, Spinozës, Laibnicit, Dekartit etj.

"Ditari intim" është një tekst, me tipare që e bëjnë atë një dokument të rëndësishëm që nxit shqyrtime ndërdisplinare madje, pasi prek dhe trajton shpesh në thellësi të konsiderueshme çështje si shija letrare e kohës, filozofia dhe përjetimi femëror në një periudhë padukshmërie të tyre në jetën kulturore shqiptare, zhbirimin e zgafellave të brendisë njerëzore dhe sprovat e karakterit etj.

Forma letrare, shpesh mjaft impresionuese ngërthen meditimin, përsiatjen filozofike, kontekstet sociale, përplasjet kulturore dhe të mentalitetit, të kalkeve gjysmë ose plotësisht të gatshme për jetën, letërsinë dhe femrën e asaj kohe, psikologjinë dhe enigmat e pavetëdijes tek individi etj.

Fenomeni Bedi Pipa, sado që ne e shikojmë brenda logjikës së ditarit dhe memuaristikës në letërsinë shqipe është në shfaqje të përkundërt me normën, sipas të cilës fama e autorëve na nxit më fort drejt leximeve të këtyre zhanreve.

Ndërsa tani është pesha dhe çudia e këtij teksti që na nxit të zbulojmë autoren dhe bashkë me të një kohë të tërë, një botëperceptim, një shije letrare dhe artistike të materializuar në një tekst konkret, që deri fare pak kohë më parë ishte i panjohur.

Libri është memuaristikë dhe letërkëmbim, dy tipe të dallueshme tekstesh, të bashkuara nga ndjeshmëria e vëzhgueses dhe krijuese e autores. Ajo nuk ofron kuptimin e fundëm, por perspektivën e saj aq vetjake për çfarë prek qenien e saj, pra pikëvështrimin e vet. Pavarësisht se autorja pohon se ajo nuk i shkruan për botim këto tekste, unë shoh në to relatën me një lexues që nuk është thjesht vetja e saj në të ardhmen.

Ajo vetërrëfehet, por me një vetëdije të fshehtë të një lexuesi që është i aftë ta kuptojë, sikur të dëshironte që kujtimet e saj të jetonin shumë më tepër se ajo vet. Fatmirësisht, së paku ky libër kaq i rrallë vërtet pati një jetë më të gjatë se jeta fare e shkurtër e autores së tij.

Ne perceptojmë tek ai një ndjesi hapjeje të vetvetes drejt një terreni, ku njerëzit komunikojnë ndoshta edhe përmes atyre fenomeneve paranormale që aq fort i përjetonte ajo vet e për të cilat shkruante. Pra, ajo nuk mendonte botimin, por kishte vetëdijen e qartë të rileximit të asaj që po shkruante si një komunikim i detajuar e i ndërsjellë në heshtjen e fletëve.

Kjo duket në kapërcimet e saj, në elipsat e heshtur dhe pastaj po aq në shtjellimin e argumentit që ajo ka realizuar sidomos kur hyhet tek ditari intim që prek çështje të përcaktuara si vegimet, subjetiviteti i të vërtetës etj, ku dallojnë temat sociale, psikologjike, dhe shijet vetjake artistike.

Ajo ndërton një ligjërim tepër të rrjedhshëm, por përfshirës, madje që ecën heshturazi sipas linjës së mendimit dhe një përpunimi të ngadaltë, por të sigurt që nuk e prek fare shprehësinë e tyre.

Alegoria e heshtjes dhe miti i Mnemozinës

Duke parë ligjërimin e ndërtuar me një përkorje sa të druajtur aq edhe të kujdesur të krijohet lehtësisht imazhi i një natyre që komunikon në heshtje dhe me heshtjen. Shpesh teksti nxit asociacione me tekstet poetike të lirikave të peizazhit dhe ato meditative.

Komunikimi vendoset mes subjektit, dhe vetes në të cilën duket edhe ndjesia e një lexuesi të pritshëm në të ardhmen, por po aq është një komunikim jashtë mjedisit, kohës dhe hapësirës ku gjendet subjekti...

Ky tekst, ashtu ndarë në fragmente sikurse ndodh në memuare e në letra, ndërton skena të realitetit të brendshëm njerëzor në perceptimet e tij më të vërteta e më të thella. Ai është një alegori e shkëlqyer e cilësisë së të jetuarit të njeriut përmes kujtesës dhe vetëzhbirimit, përtej ndarjeve të jashtme të kohës, duke zbuluar dhe kuptuar të vërtetën e vet të brendshme e megjithatë pa iu larguar kurrë prirjes së vet po aq të natyrshme, afinitetit dhe dashurisë për tjetrin. Në këtë përditshmëri inferiore të individit, gjallonte përvoja e ngjeshur vetjake, e paprekur nga e përditshmja e rrafshët duke ruajtur plazmën e natyrës femërore, me gjithë ç`e përbën atë.

Po flasim për memuaristikë, pra po flasim në një kuptim gjithëpërfshirës për kujtesën. Hyjnesha e kujtesës, titanida Mnemozinë, kishte një vend nderi ndër hyjnitë greke. Tek "Teogonia" e tij, Hesiodi thoshte se mbretërit dhe poetët i marrin fuqitë e tyre të ligjërimit autoritar dhe mbërthyes, nisur nga sa ata zotërojnë Mnemozinën dhe nga raporti që vendosin me bijat e saj, Muzat, të cilat i lindi të nënta në nëntë net, pasi u bashkua me Zeusin.

Një lidhje mes Mnemozinës dhe femërores në cilësinë e kujtesës nuk e shikojmë vetëm në antikitet, por edhe në teoritë moderne të Heidegger-it dhe Zh. Derridasë.

Po të kujtojmë Heidegger-in tek "Çdo të thotë të mendosh", ai ngrinte logjikën e Mnemozinës duke folur për kujtesën si për atë që i përmbledh mendimet. Ndërsa trajtonte poezinë e Holderlinit "Mnemozina" ai shkonte përtej komentit për rolin e hyjneshës Mnemozinë dhe thoshte se kujtesa nuk është thjesht aftësia psikologjike për të ruajtur një përfaqësim mendor të një ngjarjeje të të shkuarës, por do të thotë, diçka për të cilën ia vlen të mendosh.

"[Memoria] është pra mbledhja e kujtimit mendues ndaj asaj që duhet konsideruar përpara çdo gjëje tjetër, duke arritur me këtë mbledhje të strehojë pranë saj dhe të fshehë brenda vetes atë, e cila duhet të mendohet paraprakisht, në lidhje me gjithçka që ajo është (west) e që deklarohet si e qenë dhe e pasur qenë që në origjinë. Për këtë arsye, Memoria, kujtimi i mbledhur e i kthyer drejt asaj që duhet menduar, është toka nga ku buron poezia." ("Leksione dhe konferenca" Fq. 106).

Në këtë kuptim Bedi Pipa, me thjeshtësinë e një vajze 20 vjeçare të viteve `40, e ndjeshme, me një formim tejet të admirueshëm për kohën kur jetoi dhe njëkohësisht me perceptimet e mprehta të një natyre të thellë, na thotë se sprovat e vetvetes dhe njohja e asaj që jemi është diçka për të cilën ia vlen të mbash mend dhe të mendosh, pra ia vlen ta ruash në strehën e kujtesës, në një memuar. Në jo pak raste kjo materializohet jo vetëm në një tekst të rrjedhshëm e me një përpunim të pëlqyeshëm gjuhësor, por edhe në sentenca aforistike. Për shembull:

"Të matunit e saj [kohës] me hapësirë më duket diçka shumë relative." Fq. 95

"Ndryshimet, variacionet, qi ushqejnë jetën nuk vijnë kur duem na, kur i thërrasim. Por vin gand, kur nuk i presim, kur nuk na duhen; ose vinë ngadalë e atëherë nuk ndihen." Fq.66

"Njeriu asht aq ma objektiv sa ma subjektiv të jetë". Fq 59

Kjo, më së fundi, do të thotë të prekësh njërën prej dy temave bazë të letërsisë dhe të mendimit të të gjitha kohëve, pra të prekësh pragun e letërsisë.

Ligjërimi i saj është i rrjedhshëm, gërsheton me natyrshmëri dialogun me meditimet e heshtura. Shpesh shënimet e autores sidomos te cikli "Fletë të shkëputuna", `41-`42, "Rreth vetvetes" `43, i ngjajnë copëzave proze që janë shkëputur nga njësia. Në fakt duket se fillimi i tyre është diku tjetër, i pamaterializuar verbalisht, por i ngelur në mendjen e saj.

Më pas në një fragment të tij dhe veçanërisht mbresën kryesore, ajo e ka shkruar tepër shkurt dhe madje me një tentativë të natyrshme letrarësie, të cilën megjithëse ajo thotë se nuk e ka në nivel pretence letrare, sërish lë të dëshmosh për rezonanca të një shkrimi letrar.

Elemente ndërtekstore të forta gjen aty edhe nisur nga përshkrimet e Migjenit për njeriun dhe vuajtjen, nga Niçja për vullnetin dhe njeriun që sfidon, nga Bodleri për përjetimin e fortë të spleenit dhe nga shumë filozofë si Spinoza e Dekarti, apo pikëpamjet e Frojdit etj. Shija e hollë, perceptimi i mprehtë për të vërtetat e rrokshme dhe ato që fshihen pas të dukshmes dhe ndjeshmëria e hapur poetike e shndërrojnë memuarin e Bedi Pipës në një tekst dëshmi të letrarizuar.

Gjithçka shihet përmes mbresës që shkakton tek ajo, qoftë edhe indiferenca apo ftohtësia. Në këtë prizëm shfaqet mjedisi, njerëzit realë dhe ngjarjet reale jo vetëm të njërës prej familjeve më të njohura të asaj kohe, por edhe e gjendjes si e tillë, me tërë pezullinë dhe tronditjen e mesit të viteve `40 në Shqipëri.

Heidegger tek "Ç`do të thotë të mendosh" pyet: "Po çfarë synon kujtesa? Atë, që të na mbajë në qenie, për aq kohë sa të gjejë tek ne konsideratën e saj." (vep.cit) Ja, çfarë qetazi vjen të dëshmojë Bedi Pipa, më shumë se 60 vjet pas vdekjes, një alegori të shkëlqyer të cilësisë kryesore të psikologjisë njerëzore e veçanërisht femërore mishëruar në muzën e kujtesës Mnemozinë dhe ciklit të thellimit, rrotullimit dhe përmbylljes tek vetja për të dëshmuar vetëdijen e përkatësisë gjetkë, pakënaqësinë e shpirtit fisnik, i cili intuitivisht dhe qenësisht ka perceptuar përmasat e epërme drejt të cilave qaset me vetanalizë, ndjeshmëri fine dhe dialog të heshtur. Kjo, më së mbrami do të thotë të bësh/ të bëhesh letërsi.

Autorja është lektore e letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Teksti, të cilin po e botojmë me shkurtime, është pjesë e ligjëratës e mbajtur në sesionin "Memuaristika në letërsinë shqipe", Seminari III Ndërkombëtar Albanologjik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, shtator 2009.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama