Bejko Ika sepse mungon vullneti politik

Bejko: Ika sepse mungon vullneti politik

Kjo ishte Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore me tematikë “Trashëgimia nënujore, potencial i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kulturor”. Ndërsa ministri nuk ka bërë asnjë koment për dorëheqjen e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko. Ky institucion i rëndësishëm në një ditë domethënëse është pa kreun e saj. Po bëhet gati një javë që MTKRS hesht për këtë temë.

Ndërsa Bejko, ndër të paktët drejtorë jo autoritarë, por dinjitozë, që ka pasur Instituti, pa e deklamuar pozicionin dhe punën e tij, dha për “Shekullin” intervistën e mëposhtme ku shpjegon arsyet përse, pas 15 muajsh punë, hoqi dorë.

Arkeologu pohon se asnjë pasardhës i tij nuk ka për ta përmbushur misionin e vetë, për aq kohë sa ministrat e kulturës nuk do të kenë vullnet politik dhe do të vazhdojnë të emërojnë në strukturat e sistemit të trashëgimisë, individë politikë dhe jo profesionistë.

Bejko largohet me një ëndërr për sistemin e trashëgimisë kulturore: plotësimi i sistemit universitar serioz për krijimin e figurave profesionale të arkeologut, të restauratorit dhe të administratorit të trashëgimisë kulturore. Ndërsa vitin e ardhshëm ai lë Shqipërinë, i ftuar nga Instituti Amerikan i Arkeologjisë, për një cikël prej 13 leksionesh në universitete të ndryshme të SHBA.

Përse kaq i rezervuar për të folur për dorëheqjen?

E shoh dorëheqjen si një instrument normal të një bote të qytetëruar, nuk e shoh si një lajm që duhet të lërë gjurmë në memorjen e opinionit publik apo qoftë të atij të trashëgimisë kulturore. Nuk shoh ndonjë çudi të madhe në këtë mes.

Ka të bëjë dorëheqja në pragun e ditëve të trashëgimisë?

Absolutisht nuk ka lidhje fare. Unë nuk doja të largohesha nga detyra pa mbyllur disa detyra kryesisht të buxhetit të shtetit dhe ishte mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe projektet e fundit ajo që më la më të qetë, pasi i kisha mbyllur detyrimet kryesore funksionale të Institutit të Monumenteve.

Cilat janë motivet që ju largoheni nga ky post?

Unë pranova të vija në postin e drejtorit të IMK, pasi kisha aspiratën time personale dhe të një grupi të rinjsh që e kanë lidhur jetën e tyre profesionale me trashëgiminë kulturore për të patur një impakt në transformimin e disa aspekteve si ligjore edhe administrative të sistemit të trashëgimisë. Pas këtyre 15 muajsh mendoj se kemi arritur që të lëmë një gjurmë me amendimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore”. Krijimi i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, riorganizimi i institucioneve qendrore të specializuara, ngritja në një nivel më të lartë e drejtorive rajonale të kulturës kombëtare, janë disa elementë që besoj se do të kenë efekt afatgjatë në administrimin, ruajtjen, studimin dhe prezantimin me publikun të trashëgimisë.

Dëshironim që ndryshimet të shoqëroheshin me ngritje të nivelit profesional të gjithë hallkave kyçe të sistemit të trashëgimisië, gjë që tani pas 15 muajsh në këtë detyrë, nuk e shoh që të jetë arritur.

Përse nuk është arritur?

Ato pak figura profesionale që ekzistojnë nuk është gjithmonë e lehtë që të arrijnë të zënë postet kyçe. Kjo do të vazhdojë të ngelet një problem jo i lehtë për t’u zgjidhur. Sidoqoftë një përparim e kemi bërë, veçanërisht me shkollën e restaurimit, funksionimi i të cilës filloi vetëm këto 6 muajt e fundit dhe këto ditë propozimi i UNESCO-s dhe i qeverisë italiane u miratua nga ministrat e Kulturës së Ballkanit për ta shndërruar atë në një qendër rajonale të kategorisë së dytë të UNESCO-s.

Kur gjërat kanë shkuar relativisht mirë, akoma nuk kuptohet përse keni ikur, ndërsa nga ana e MTKRS nuk kemi asnjë koment mbi përmbajtjen e dorëheqjes tuaj. Çfarë i keni shkruar ministrit Pango?

Thjesht e kam informuar për vendimin tim. Dorëheqja është dorëheqje dhe nuk shoh arsye për të qenë e revokueshme. E përmenda pak më parë: sistemi i trashëgimisë nuk mund të jetë sistem profesional në qoftë se nuk fillon dhe krijon hierarkinë e vet të mbështetur në vlerat profesionale të individëve, dhe jo në hierarkitë e stimuluara për arsye jashtëprofesionale. Kemi nxitur krijimin e disa standardeve, e disa kritereve për emërimin dhe promovimin e figurave profesionale. Në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe krijimit të Agjencisë së Shpëtimit Arkeologjik, unë si arkeolog nuk e shoh më të nevojshme që një arkeolog të drejtojë IMK.

Keni pasur presione në kohë të ndryshme nga ministri i Kulturës?

Absolutisht jo. Nuk duhet spekulluar fare në këtë drejtim. Unë e kam pjekur në kokë këtë vendim, parimor. Doja, në radhë të parë, të shprehja koherencën time për atë që mendoj dhe që arritëm të formulojmë dhe në ndryshimet për ligjin e Trashëgimisë. Patjetër që marrëdhëniet e punës, janë dinamike, ka edhe konflikte.

Zoti Bejko, thuhet se cilido drejtor i IMK-së që ka për të ardhur, do të ndeshet me konflikte të pazgjidhshme që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje apo me presionet për të ndërtuar në zona që rrezikojnë monumentet. Po ashtu, që ky drejtor nuk mund të përballojë mafien në këtë fushë.

Patjetër që ky është një realitet. Vendi është duke u zhvilluar me një ritëm të shpejtë. Strukturat shtetërore të trashëgimisë janë ende larg përballimit të këtij ritmi. Kemi pasur dhe do vazhdojmë të kemi vështirësi. Këto 15 muajt e mi nuk kemidhënë qoftë edhe një leje të vetme për ndërhyrje jashtë kritereve të kartës shqiptare të restaurimit, të parimit të administrimit të qendrave historike dhe të zonave arkeologjike.

Ju e keni ndjerë lirinë e veprimit me një shef si Ylli Pango?

Do ishte çudi sikur të binim dakord për çdo gjë. Lirinë e veprimit ta jep kuadri ligjor.

Por në të vërtetë nuk ka qenë kështu. Drejtori i Monumenteve nuk ka qenë i mbrojtur, secili prej tyre në këto vite të fundit është hequr dhe vënë sipas shijeve të ministrit.

Fakti që dhe unë ndenja 15 muaj, tregon se sistemi i trashëgimisë ka nevojë për një koherencë, kam parasysh jo vetëm instancat vendimmarrëse, po veçanërisht ngritjen e nivelit profesional nga qendra tek degët rajonale të kulturës kombëtare. Është e pamundur që ky presion për të cilin po flasim të përballohet nga zyra e IMK. Është e pamundur që dinamika e qyteteve të veçantë të menaxhohet nga Tirana. Pamundësia jonë dhe e imja personale për të pasur një ndikim të fortë dhe më profesional në drejtoritë rajonale, është një arsye që e ul efikasitetin e IMK.

Ju përmendët disa herë nivelin e ulët profesional dhe duket që jeni i pakënaqur në këtë drejtim. Thënë ndryshe nga vetë njerëzit e Monumenteve, IMK ka rënë në nivelin e një ndërmarrjeje komunale.

Nuk është e vërtetë kjo. IMK është ndër ato pak institucione që ka një traditë të fortë. Jam dakord që sfida fillon nga ngritja profesionale ku kemi probleme të shumta.

Integrimi i punës sonë kërkimore dhe projektbërëse me Universitetin Politeknik të Tiranës, me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe Institutin e Arkeologjisë, janë drejtime që duhen thelluar në të ardhmen. Jam shumë dakord IMK ka nevojë për forcimin e vet institucional dhe profesional. Kjo është ajo ku nuk e ndjej veten të kënaqur me arritjet.

Tani që keni edhe përvojën e marrëdhënieve me administratën shtetërore, si ju duket ajo?

Nuk ka dyshim që institucionet shtetërore janë më të rëndësishmet dhe në të cilat duhet futur padyshim fryma e përgjegjësisë për sot dhe për nesër, dhe vendimet duhet të merren mbi bazën e një vizioni afatgjatë.

Gjë që mungon...

Gjë që mungon... Ka nevojë për oksigjen, mentalitet të ri dhe iniciativë transformuese. Sistemi ynë i trashëgimisë i ka rezistuar kohës. Është një lloj trashëgimie që e kemi nga një sistem që nuk ekziston më.

Ju besoni tek politika kryesisht e shpallur nga ministra të së djathtës tek një politikë e turizmit kulturor me bazë trashëgiminë monumentale?

Trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor identifikohen si elementë të rëndësishëm të zhvillimit të vendit. Kjo është bërë evidente nga faktet konkrete, nga vizitorët. Jam i bindur që çdo qeveri që do të vijë dhe do të ikë, do ta ketë në fokus të saj problemin e integrimit të kulturës në turizëm. Nuk jam i bindur që dhe për një kohë do të kemi një politikë të menduar mirë dhe afatgjatë të vërtetë të turizmit kulturor. Turizmi dhe kultura mund ta martohen shumë mirë bashkë, por kanë edhe një marrëdhënie konfliktuale me njëri-tjetrin.

Ky aspekt i dytë është shumë i vështirë për t’u argumentuar sot. Jemi në fazat e para të kësaj eksperience dhe është e vështirë për të evituar gabimet pa i provuar këto gabime. Është e vështirë që të mësojmë nga gabimet që kanë bërë të tjerët. Kështu që drejtorët e IMK do ta kenë po aq të vështirë për të argumentuar hedhjen e hapave të kujdesshëm tek autoritetet politike. Pasi nga njëra anë qeveria si përfaqësuese e administruesit zyrtar të ekonomisë do të kërkojë investime, infrastrukturë, nga ana tjetër, ruajtja e këtyre vlerave të monumenteve është e papajtueshme plotësisht me turizmin kulturor.

Ky i fundit ka një efekt shkatërrues, dëmtues mbi trashëgiminë. Duket bashkëjetesë problematike. Kjo besoj ka qenë një nga moskuptimet midis meje edhe ministrit të sotëm të Kulturës. Por jam i bindur që kjo do jetë një pikë mosmarrëveshjeje e gjithë profesionistëve me autoritetin politik, jo sot, por gjithmonë. Edhe ai që do të vijë më pas në IMK duhet ta peshojë më mirë këtë.

Për çfarë tjetër e këshilloni pasardhësin?

Me siguri ai do dijë si të orientohet në lumin e problematikës që meriton të ndiqet në mënyrë serioze. Meraku im i parë dhe kryesor lidhet me marrëdhëniet shumë më intensive që IMK duhet të thellojë me Komitetin e Trashëgimisë Botërore dhe me UNESCO-n në përgjithësi. Rasti i Beratit ishte një sukses. I vetmi dyshim që Komiteti në fjalë ka pasur, ishte aftësia e shtetit shqiptar për ta administruar në mënyrën e duhur. Edhe nisja e shkollës së restaurimit ishte pjesë e besimit mes dy institucioneve. E them pa modesti këtë. Edhe propozimi për kthimin e saj në një qendër rajonale është rezultat i administrimit të suksesshëm mësimor dhe trajnues që kemi bërë me UNESCO-n.

Merak tjetër është edhe plotësimi i detyrimeve tona për ndjekjen dhe administrimin e kujdesshëm të qendrave të trashëgimisë botërore, sepse ICOMOS dhe UNESCO kërkojnë një ndjekje sistematike të problematikës.

E treta, ka të bëjë me forcimin e frymës profesionale që folëm pak më përpara të cilën personalisht e konsideroj një lloj mosarritje përfundimtare në këtë eksperiencën time 15- mujore. Por kjo nuk mund të bëhet vetëm me vullnetin e mirë të IMK, kjo kërkon edhe vullnetin e nevojshëm politik për t’u arritur.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama