Bejl Krosi me tha se eliminohesha ne grup tani e dua ne finale

Bejl: Krosi më tha se eliminohesha ne grup, tani e dua në finale

Garet Bejl mundohet të evitojë rivalitetin personal me Kristiano Ronaldon edhe pse në intervistën e dhënë për median uellsiane është pyetur shpesh për raportin me yllin portugez. 26-vjeçari shpreh besim se do arrijë të kualifikohet për në finale dhe pret që të përballet me shokun e skuadrës te Reali, Toni Krosin, i cili nuk e kishte parashikuar këtë ecuri. Madje, për Bejlin është e mundur që të ngrenë trofeun e kampionit të Europës, duke besuar te skenarë si ai i Danimarkës apo i Greqisë...

kros beil

Besoni se mund të kualifikoheni për në finalen e Europianit?

Ne vijmë pas një fitoreje të shkëlqyer kundër Belgjikës. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, edhe pse përballë kishim një rival shumë të fortë. Sigurisht që besoj te finalja.

Uellsi do përballet me dy mungesa shumë të rëndësishme si Aron Ramsej dhe Ben Dejvis. Sa do ndikojnë ato?

Është diçka shkatërruese për ta, të mos kesh mundësi që të luash në gjysmëfinalet e Europianit. Por, do na motivojë më tepër dhe mendoj se do japim më shumë se 100% të forcës sonë. Janë lojtarë të rëndë- sishëm, por duhet të fitojmë edhe për t'u dhënë atyre një tjetër mundësi që të luajnë në këtë kompeticion.

Keni pasur ndonjë shkëmbim miqësor sfide me Ronaldon gjatë kësaj periudhe?

Jo!

garet beil

Ndiheni nën presion, duke qenë se jeni lojtari më i vlerësuar i Kombëtares?

Ne po mundohemi ta shijojmë sa më shumë këtë eksperiencë. Nuk kemi ardhur duke bërë llogari, por për të dhënë më të mirën tonë në çdo ndeshje. Shpresoj që të vazhdojë sa më gjatë si eksperiencë. Do ishte bukur që në finale të përballesha me Gjermaninë, pasi dua të sfidoj Toni Krosin (qesh).

Keni ndonjë sfidë personale me të?

Para Europianit, më tha që të shijoja ato tri ndeshjet që do zhvilloja në grup dhe më pas ta shikoja në finale kur të luante ai. Por, tani dua që të përballem vetë. Nuk besoi se do shkonim kaq gjatë, por nuk do ta besojë as kur ta mund (qesh).

Ekipi juaj nuk ka shumë eksperiencë në të tilla nivele, ndryshe nga Portugalia. Sa mund të jetë vendimtare kjo në fatin e gjysmëfinales?

Ne nuk po e ndiejmë aspak se çfarë jemi duke realizuar. E them me sinqeritet. Vazhdojmë të jemi të relaksuar, të bëjmë shaka me njëritjetrin. Presim ndeshjen e radhës për të treguar sa vlejmë, pa ndier presionin e fitores. Mbase kjo na shërben që të jemi më të fortë ose bën që të mos ketë shumë rëndësi mungesa e eksperiencës. Pastaj, shumica e lojtarëve luajnë në kampionate dhe klube prestigjioze, duke u mësuar me nivele të tilla.

Jeni i vetëdijshëm për faktin që nëse eliminoni Portugalinë do jeni favorit për të fituar "Topin e Artë", kundrejt Kristiano Ronaldos...

Unë mendoj që "Topi i Artë" është një çmim individual dhe nuk varet nga ecuria që ke me skuadrën tënde. Por, nuk e kam menduar për asnjë moment fitimin e tij. Ka ende kohë deri në fund të vitit. Pa diskutim që do ishte më e vlefshme medalja e kampionit të Europës, se sa "Topi i Artë". Do i shkëmbeja pa u menduar dy herë.

garet beil

Ndërkohë që ju ndiheni shumë i relaksuar, disa ditë më parë Kristiano u filmua kur hodhi në lumë mikrofonin e një gazetari. Pse mendoni se është aq i nervozuar?

Nuk mund të komentoj se si ndihet ai apo se çfarë bën. Jam i sigurt që ka arsyet e tij për veprimet që kryen. Personalisht ndihem shumë i qetë. Me Ronaldon kam një raport mjaft të mirë. Në Madrid ndihmojmë njëri-tjetrin në fushë, por asnjëherë nuk jam marrë me jetën e tij private ose anasjelltas. Jemi kolegë profesionistë.

E keni pasur Ronaldon si shembull në karrierën tuaj?

Ai ka arritur të ketë një karrierë shumë të suksesshme dhe të krijojë një standard të ri në futboll. Ka një nivel maksimal ku bën pjesë Ronaldo dhe Mesi. Unë po shijoj ditët e mia të lavdisë. Nuk dua të krahasohem me askënd. Do mundohem të fitoj sa më shumë të jetë e mundur dhe të përmirësohem, për të ndihmuar klubin dhe Kombëtaren ku luaj. Trofetë janë të paharrueshëm për çdo lojtar.

Ju ka pyetur trajneri se si mund të ndalet ylli portugez, duke qenë se e njihni mjaft mirë?

Ronaldo është një futbollist fantastik dhe të gjithë e dinë se çfarë është i aftë të bëjë, por ne kemi gjithashtu lojtarë mjaft cilësorë tek Uellsi. Nëse arrijmë të bashkëpunojmë si ekip kompakt, mund të evitojmë të gjitha rreziqet që vijnë nga Portugalia.

Në këndvështrimin tuaj, jeni më i mirë se Ronaldo?

Nuk më takon mua ta vendos. Nuk luaj për të fituar lavdi personale, por për të ndihmuar ekipin. Fakti që Uellsi ka pasur një ecuri pozitive deri tani, lidhet me raportin e jashtëzakonshëm që kemi me njëri-tjetrin. Jemi si vëllezër. Te ne, ylli është ekipi, jo individi.

garet beil

Pepe ka pasur një shqetësim fizik dhe mund të mungojë. Lajm i mirë për ju?

Pepe është një futbollist i shkëlqyer dhe një mik shumë i mirë. Për të mirën e tij, do doja që të ishte në një ndeshje kaq të rëndësishme. Por, sigurisht që është më lehtë kur nuk janë mbrojtës të atij niveli.

Fizioterapisti juaj te Reali ka udhëtuar para ndeshjes gjysmëfinale për t'ju qëndruar pranë. Keni pasur ndonjë shqetësim?

Jo, nuk kam asnjë problem. Por, gjatë vitit kam vuajtur nga disa dëmtime dhe ka vlerë për mua që ai të shikojë gjendjen muskulore. Nuk dua që të rrezikoj ndonjë dëmtim tjetër gjatë sezonit të ardhshëm.

Sa të mundur e shikoni skenarin që Uellsi ngre trofeun e kampionit në fund?

Pa diskutim që nuk është as e pamundur dhe as e pabesueshme. Danimarka dhe Greqia kanë realizuar befasi të tilla më parë. Ne mësuam shumë pas ndeshjes me Anglinë. Aty kuptuam që duhet ta heqim egoizmin e mospasimit të topit. Kjo mbase ishte e vetmja pjesë që mund të na penalizonte. Pas çdo ndeshje e kemi rritur nivelin tonë dhe mendoj se mund të kalojmë Portugalinë si fillim, pastaj të mendojmë për finalen...

Sido që të shkojë, ju jeni hero në Uells...

Do ishte më e bukur hero si kampion i Europës...



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama