Los Anxhelesi eshte pothuajse ne anen tjeter te botes, nente ore larg Shqiperise dhe... atje lind dielli kur perendon ne Kaliforni! Mengjesin e se martes - shpesh te keqijat ngjasin te martave, sipas mendesise bestyte - dita qe e muget dhe kishte diçka brerese ne heshtjen dhe ngathtesine e ritualit tim te fillimdites! Hapa internetin.
O Zot, e mora ç'pritej dhe me keq se aq: "Bekim Fehmiu passed away!" "Aktori i famshem Bekim Fehmiu (74) kryeu vetevrasje diten e marte rreth ores 15 e 30 ne apartamentin e vet ne Rrugen Stanislav Smrecevic nr. 5 ne, lagjen Zvezdar ne Beograd - thuhej ne informacion - i ka shtire vetes me pistolete... se cila eshte arsyeja qe e beri heroin e filmit kult "Mbledhesi i puplave" t'i shtinte vetes, tani per tani nuk dihet."
Kishte kryer vetevrasje, pasi kishte shkuar ne dhomen e vet dhe u kishte dhene lamtumiren e heshtur, te pathene, bashkeshortes Branka dhe njerit prej djemve qe ndodhej me te ne Beograd, Hedonit. Kishte kaluar nje atak cerebral para disa muajsh - siç shkruanin gazetat, dhe ndoshta i kishte humbur shpresat per jete, nje semundje fatale, cfilitese dhe depresive.
Per fatin tim te keq, perhere e shtyva telefonaten ne Beograd, te cilen nje ze i brendshem me nxiste t'ia beja si çdo here tjeter. Por s'qe e thene. Ishte si nje denim per ta ndjere me teper peshen e dhembjes, ndjesine e fajit te shkujdesjes njerezore. Lajmet ne largesi kane peshe te shumefishte. Per ta lehtesuar dhembjen i shkrova mikut tim Mevlan Shanajt ne Tirane, por ne kete rast s'ishte biseda jone e zakonshme dhe nder te tjera i thoja:
"Vetevrasja tregon se nuk eshte pajtuar me arrogancen dhe pushtetin e vdekjes, dhe si njeri me karakter te forte, i ka bere sfide asaj, duke i dhene fund jetes papritur qe ajo t'ia mbyllte perden!"
E kam njohur nga afer dhe e kisha mik; ia njihja jeten ne hollesi; kam qendruar shpesh me te ne Beograd; i shkoja ne shtepi dhe rrinim me ore te tera duke biseduar per gjithçka ne kafenene e Teatrit Dramatik Jugosllav ku ai shkonte çdo dite.
Artist i madh, me internacionali jo vetem midis shqiptareve, por ndoshta i vetmi ne trojet ballkanike, me mbi pesedhjete role kryesore, ne nente gjuhe, ne Evrope, Amerike, Afrike, Azi, etj. Shkelqeu qe ne rolin e tij te pare te "Mbledhesi i puplave", nje rol cigani i perkryer, me te cilin fitoi disa trofe dhe u be i njohur nga kineastet dhe publiku gjithandej.
U nominua per Palmen e Arte ne Festivalin e Kanes, por ia zhvaten nga duart ne çastet e fundit. Pas suksesit ne Kane, luajti Odiseun, heroin e Homerit dhe me kete rol fama e tij u perhap rrufeshem.
Luajti role kryesore ne Amerike, me Xhon Hjustonin, Eva Gardnerin, Irene Papas, Klaudia Kardinalen dhe shume yje te tjere te kinemase boterore. Per rolet e tij, mund te shkruhet pa fund, por nuk eshte ky qellimi i ketij shkrimi.
Nuk e gjen ne Ballkan dhe ndoshta me gjere, nje yll me shkelqimin e Bekim Fehmiut. Si njeri ishte sa i thjeshte dhe shpirtmadh; intelektual me dije ne shume fusha dhe me inteligjence te mprehte (fliste ne menyre fluente disa gjuhe).
Nga pamja: model i mashkullit mesdhetar, gje qe e beri aq te kerkuar nga studiot e filmit ne Evrope, Shtetet e Bashkuara, etj. Nga ana tjeter, nje shqiptar njeqind karat, i pakompromis dhe krenar deri ne skaj, me dinjitet te rralle.
I kishte refuzuar Paramount Pictures, njeres prej shtepive me te medha filmike te botes, nderrimin e emrit apo venien e nje emri artistik, aq te natyrshem ne boten e yjeve te kinemase ne Amerike! "Jo", kishte thene atehere, "emrit tim s'mund t'i hiqni asnje shkronje, ndryshe une nuk luaj ne film, dhe i kishte mundur." "Njerezve te medhenj eshte gabim t'iu gjykosh vendimet." Me pergjigjet Mevlani, duke shtuar nderkohe "se ishte unikale ikja e tij, siç ka qene e gjithe jeta e atij artisti te rralle."
Vitet rendin, rinia iken dhe sa shpejt! Per here te pare e pashe kur erdhi ne Shqiperi, ne fillim te viteve 70-te, ne kulmin e fames pas rolit te Uliksit. E kisha enderr t'i afrohesha dhe te bisedoja me te si shume artiste te rinj shqiptare qe s'kishin fatin te shihnin ndonje shprese per t'u bere dikushi pertej horizontit te izolimit shqiptar, dhe nderkaq, e ndjenin veten te plotesuar ne qenien e atij personi - model i endrres per te qene artist i vertete.
Ai vinte si nga qielli, si simbol i madheshtise dhe lirise njeheresh, nje "Odise" emancipues per artistet shqiptare.
E takova, pasi i kishte zgjuar interesin nje kinonovele e Pirro Milkanit, "Meçoja", ku une luaja rolin kryesor.
E takova se bashku me Veren - ishim ne dashuri atehere - te shoqeruar me nje shpure personalitetesh, drejtore, regjisore dhe ndonje artist. Kur me takoi me tha: "Ta kam pare filmin, te uroj per lojen e thjeshte. Kam nje mik, Omar Sherif, artist me i madh nga une, por lojen tende do ta kishte zili.
Duhet te eksportohesh, provat i ke dhene tashme ne Shqiperi..." Sigurisht, ishte nje kompliment qe ne fakt, beri pershtypje kur u shkrua ne gazeta; nuk e mora si te vertete, sepse ishte i pabesueshem, por ai, si artist i madh, kishte deshiren te inkurajonte te rinjte me talent dhe e kuptonte realitetin dhe brishtesine e artistit.
Ai foli me vleresim dhe per Rikard Ljarjen, Llazi Serbon, Tinka Kurtin ne filmat qe pa. Po aq u entusiazmua me Agim Qirjaqin te "Ylli pa emer" ne Akademine e Arteve.
Pas nje shfaqjeje te versionit per kinema te "Odiseut", ne nje nga intervistat, deklaroi se donte te luante rolin e Skenderbeut, gje qe s'u be kurre realitet. Ai ishte atehere 36 vjeç, shtatlarte, i pashem dhe mbi te gjitha nje aktor i persosur per Skenderbeun. Por gjerat e rralla ndodhin ose s'ndodhin; kur ndodhin ndodh mrekullia.
Ne vitin 1991 shkova ne Kosove per here te pare. Kishin kaluar njezet vjet. Çdo vere ai e kalonte te vellai dhe motra ne Prishtine; ne Beograd dimeronte. Karrieren e kishte braktisur per arsye politike qysh me 1987, publikisht.
E takuam me Veren dhe ai kujtoi me mall rrugetimin e tij te pare ne Shqiperi dhe kujtimet e çmuara te asaj vizite. Ishte i lumtur per ardhjen e demokracise dhe per hapjen e Shqiperise drejt botes dhe e konsideronte fat edhe per Kosoven.
Ate dite shkuam ne shtepine e Agim Çavderbashes, skulptorit te shquar kosovar se bashku me Arber Xhaferin, poetin Eqerem Basha, linguistin Rexhep Ismajli dhe bashkeshortet e tyre.
Ishte nje dite e rralle, u be nje "fli" kosovare dhe u ndjeme te gjithe se bashku si ne nje sofer zemre. Aty folem edhe per projektin e lene te Skenderbeut. Bekimi ishte tashme 52 vjeç dhe e kishte kaluar shtegun e rinise.
Filmi mbeti enderr ne sirtar, per arsye te njohura midis dy vendeve ne armiqesi. Atehere shkrova per ate takim ne revisten e kinemase nje shkrim me titull "Skenderbeu i pafan", ku flisja per zhgenjimin e "Skenderbeut", per mosrealizimin e endrres se Bekim Fehmiut dhe ndoshta e endrres se shqiptareve per nje hero te dimensionit te tij!
Sa here flisnim me ore te zgjatura per çeshtje te ndryshme, jo vetem per aktrimin, qe ishte veçse nje nga temat e diskutimit dhe ndoshta jo me e rendesishmja. Njohurite e tij ishin te shumanshme, ne letersi, arkitekture, histori boterore dhe shqiptare.
Bekimi shquhej per memorie te jashtezakonshme, kishte aftesine per te mbajtur mend detaje, data, emra, çdo gje deri ne perkryerje. Fliste edhe per politike, por nuk ishte i njeanshem dhe subjektiv, kishte parime te pavarura intelektuale.
Me tregoi nder te tjera se si i kishte dhene fund karrieres artistike ne ish Jugosllavi ne vitin 1987, si proteste ndaj politikes serbe ne Kosove, duke lene ne mes shfaqjen "Madame Kolontaj" ku luante dy role, ate te Leninit dhe te Stalinit, ne Teatrin Dramatik Jugosllav.
Qysh atehere, nuk luajti me ne asnje vend te ish Jugosllavise, vetem ne Angli, Itali, Azi. Roli i tij i fundit ishte ai i Jozefit te "Femija me emrin Jezus", nje produksion italian.
Ndonje rol shqiptar? Ne gjuhen shqipe? Diçka simbolike ne nje film kosovar dhe aq. Te kishte ndonje handikap?, mund te hamendet. Gjuha? Bekimi fliste nje shqipe te pasur dhe pa gabime edhe pse krahinore, nuk perdorte huazime kurre. Ishte fanatik dhe xheloz per gjuhen (librin e pare te autobiografise se tij e ka shkruar ne serbo-kroatisht dhe ne shqip).
Kalibri i tij artistik - edhe pse ai pranoi ndonje oferte me Teatrin dhe Filmin Kosovar dhe beri çdo perpjekje te kryhej - dhe angazhimi ne projekte nderkombetare, e kufizuan mundesine per te luajtur ne shqip dhe role shqiptare.
Perpjekje bene ne ndonje rast dhe regjisoret shqiptare, siç ishte rasti i Kujtim Çashkut per "Kolonel Bunker", por nuk u finalizua per kerkesa dhe pikveshtrime te ndryshme mbi skenarin, rolin, perfeksionizmin profesional, ndoshta dhe te nje droje a prove te veshtire te heres se pare. Kushedi!
E kishte dhimbje dhe nje ndjesi te pathene "faji", ate qe s'kishte ndonje vule si aktor qofte dhe ne nje personazh shqipfoles. Por Bekimi fliste me dashamiresi sa here dhe me entusiazem per aktore te tjere, te huaj dhe shqiptare.
Me ka thene konsideratat me te larta kur e kam pyetur per Enver Petrovcin, si aktor qe ua kalonte - sipas bindjes se tij - aktoreve me te mire te teatrove te Beogradit. I çmonte aktoret shqiptare per ato pak filma qe kishte pare dhe i njihte me emer edhe pse s'i kishte takuar ndonjehere, si Ndrek Lucen, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Rikard Ljarjen, Llazi Serbon, etj.
Nje nga filmat pas viteve 90-te qe pelqente ishte "Parullat" dhe me fliste me vleresim per te. Ne fakt, nuk kishte njohje te plote per kinemane shqiptare, kishte pare vetem disa filma ne kohe te hershme.
Si profesionist i niveleve te eperme, ai pelqente dhe çmonte realizmin ne paraqitjen e ngjarjeve ne film, ne regji dhe ne lojen aktoriale dhe e quante te kaluar kohe patetizmin qe kinemaja shqiptare e kishte sa nga ideologjia e kohes po aq dhe nga emancipimi i vet gradual.
Ne vitin 2002 pas disa telefonatash dhe bisedash intensive, Vera mberriti ta bindte qe te vinte i ftuar nderi ne edicionin "Dua me shume Shqiperine". Disa here kishte refuzuar ofertat si president jurie ne aktivitete artistike televizive, filmike ne Shqiperi; ne Kosove, zor te kete ndonje dalje ne mediat publike.
E prita ne Han te Hotit, se bashku me te shoqen Branka Petric, aktore (kroate nga i ati) me te cilen e kaloi jeten dhe kishte dy djem Uliksin - me emrin e heroit te filmit qe i solli famen, i cili lindi ne ate kohe, aktor me talent dhe ky, por qe e braktisi Jugosllavine heret dhe banon prej vitesh ne Nju Jork - dhe Hedonin, djalin e dyte - edhe ai banues ne SHBA. Ato dite mbeten te paharrueshme.
Takime, intervista, shetitje, vizita ne muzeun e Krujes etj., dhe me ne fund spektakli! Emocione si prej femije para daljes ne skene dhe tek ngjitet ne te, shtatlarte dhe i drejte, elegant, me ze te thelle dhe te bukur pershendet spektatorin. E gjithe salla e nderon duke u ngritur ne kembe.
Pas duartrokitjesh te gjata ai i drejtohet salles: "Perse ngriheni ne kembe, perse me nderoni, une nuk e meritoj, nuk kam bere asgje per ju!" Dhe hapjen e ben me vargjet e Himnit te flamurit. Pason nje interviste e gjate nga deshira per te thene sa me shume.
Si artist i pergjegjshem para publikut te vet, ai pati kurajen qytetare per te kerkuar "falje" publike, duke ulur kryet me perulesi para gjithe shqiptareve, te cileve, edhe pse nuk u kishte falur personazhe, u kishte dhene krenarine per t'u mburrur me artistin me fame boterore.
Ne provat e mengjesit para nates se spektaklit ndodhi nje episod i pazakonte: Bekimi recitoi nga kreu ne fund poemthin "Korbi" te Edgar Poes! Ishte befasi dhe fat per ata qe u ndodhen ne salle dhe e ndoqen me kersheri. Porsa mbaroi, renda te pyes teknikun e zerit, Edi Dingu, nese e kishte regjistruar.
Ai me shkeli syrin ne menyre aprovimi. Besoj se ai do te gjeje rastin per ta treguar ate material si nje gje me vlere, nje performance ne shqip, sado modeste nga aktori i madh Bekim Fehmiu.
Ato dite Bekimi me dhuroi librin e pare te autobiografise se tij "Blistavo i Strasno" ("Shkelqim dhe tmerr"), nje nga biografite me te verteta dhe tronditese te shkruara ndonjehere nga nje aktor, nje bestseller, qe kishte deshire ta botonte ne Shqiperi, ne variantin e shkruar ne shqip po prej tij. Heret a vone, do te jete ne duart e lexuesit shqiptar.
Aty eshte shkruar historia dramatike e jetes se nje familjeje shqiptare ne Kosove nen trysnine e eger te politikes antishqiptare serbe, e pare me syrin e nje femije, Bekimit, artistit te ardhshem qe eshte si nje simbioze e gjithe drames se Kosoves. I ati kishte qene nje mesues patriot, i perndjekur dhe burgosur nga UDB-ja jugosllave, per veprimtari politike kunder diskriminimit, poshterimit dhe eliminimit qe iu behej shqiptareve te Kosoves.
Ne viziten e pare ne Shqiperi, ne muzeun e Gjirokastres, Bekimi kishte pare midis patrioteve te shquar te kombit edhe emrin e te atit, Ibrahim Fehmiu. "Kam ndjere krenari kur kam pa fotografine e babes, Ibrahim Fehmiu ne muzeun e Gjirokastres!", me ka pohuar njehere.
Atehere kerkoi qe te bente nje shkolle model ne Shqiperi me deshiren qe t'i vihej emri i te atit te tij, por shteti komunist i asaj kohe nuk e pranoi kerkesen e tij! Me frymen e patriotizmit dhe dashurise per kombin dhe kulturen kombetare u rrit Bekimi, vellezerit, motrat, djemte e tij.
Per fat, ai e ka perfunduar dhe librin e dyte te autobiografise i cili, siç me ka thene, flet per karrieren si artist, gjithe sa arriti permes perpjekjesh te medha, talentit dhe vullnetit titanik, ne ekranin e kinemase. E kreu si duket, misionin dhe obligimin moral ndaj kombit te vet dhe e la kete bote me permasen qe lene pas gjigantet!
E nderoj thelle dhe i perulem me admirim dhe respekt, aktorit dhe njeriut te madh, mikut te paharruar, me dhembjen ne zemer per kete ikje.
Lexova qe ka lene nje leter ku i tregon te shoqes arsyet e vetevrasjes dhe jep lamtumiren e fundit!
Nuk duhej te kishte ikur kaq shpejt, por ai zgjodhi qe ta mbylle rolin e jetes se vet per te mos pare bota ligeshtimin qe i shkakton natyra njeriut. E kundershtoi fatin e zotave si Uliksi! Jetoi madherishem dhe kohen e vdekjes dhe vdekjen e zgjodhi vete ai. "Njerezve te medhenj, ndonjehere, eshte gabim t'u gjykosh vendimet!"