“Otello, Arapi i Vlorës” i politikanit-shkrimtar Ben Blushi u vlerësua me çmimin e Bashkimit Europian për letërsinë (5 mijë euro), dorëzuar nga komisioneri hungarez Tibor Navracsics gjatë një ceremonie të posaçme në Bruksel për 13 fituesit e përzgjedhur.
“Kur vjen në Bruksel si politikan, del gjithmonë për lajme të këqija dhe e nënçmon veten, ndërsa kur vjen si shkrimtar, del për lajme të mira, si ky çmim”, tha Blushi pas marrjes së çmimit.
Shqipëria përfshihet për herë të parë në këtë garë të nisur në vitin 2009 nga KE-ja për 37 vendet pjesëmarrëse të programit “Europa Krijuese”, në një kohë kur Unioni po reformon sistemin fiskal në fushën e kulturës dhe debaton ndryshimet për të drejtën e autorit, që vendet kandidate si Shqipëria nevojitet t’i respektojnë.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, u shpreh: “Besoj që është libër që meriton të përkthehet dhe do të ketë të gjithë mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës për të mbërritur tek lexuesi europian dhe tek ky lexues mbërrin së bashku me të drejtat e autorit, e integrimet janë të tilla që edhe në fushën e legjislacionit për të drejtën e autorit, do të përpiqemi të jemi në një zë, ashtu sikurse me zërin e shkrimtarëve.”
Nga ana e tij, zoti Blushi theksoi: “Otello, Arapi i Vlorës” është një libër në thelb kundër racizmit dhe ajo që ndodh në Siri është një racizëm. Njerëz që vriten pafajësisht. Kjo është një mënyrë që unë të sensibilizoja opinionin publik këtu se për mendimin tim nuk po bëhet aq sa duhet në luftën kundër ISIS-it, kundër këtyre grupeve terroriste sepse në fund të fundit, ashtu siç i ndodhi Peter Kassig para 4-5 ditësh, apo 5-6 gazetarëve e punëtorëve të tjerë që iu prenë kokat në Siri, qëllimi i këtyre organizatave në fund të fundit është t’i presë kokën civilizimit që ne përfaqësojmë.”
Çmimi europian për letërsinë ofron mundësinë e përkthimit falas për shtëpitë botuese të huaja të interesuara për veprat e autorëve të rinj.