Pak ditë nga dalja e librit, botimet “Mapo”, qindra kopje të shitura. Një roman që pritet të hapë debate të mëdha mes politikës dhe medias së sotme, i rrëfyer me stil dhe cinizëm, me mesazhin se cilado qofshin lidhjet me realitetin, bëhet fjalë për art!
Ben Blushi është një stereotip i pagabueshëm me goditjet e tij letrare. As dy ditë nga dalja e librit të ri “Kandidati” nga botimet “Mapo”, Blushi kapërcen kufijtë imagjinarë për të lëshuar silurën e tij të fantazisë mbi ngjarjet politike të ditëve tona. Shqipëria politike në sytë e një politikani, por dhe të një njeriu që njeh në brendi median, tingëllon provokuese. Por, tanimë Blushi është përcaktuar si një fenomen letrar për vendosjen e lëndës historike në një afri reale, duke shkaktuar debate të forta, pro dhe kundër. Kështu, prova e katërt e këtij autori vë përballë mjedisin mediatik, duke krijuar një mundësi “transparence” mbi emra konkretë e përplot aludime personazhesh. Sa ironi dhe lojë e mirëfilltë me mjetet e artit e bën shkrimtarin cinik?
Kandidati i Blushit merr përsipër të na tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri…Bëhet fjalë për njërin nga kandidatët për Bashkinë e Basenit, i cili vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore dhe, megjithatë, fiton. Ai quhet Kadim Sedini dhe konkurron për kryetar Bashkie në qytetin e Basenit. Emri ngjan shumë me atë të Qazim Sejdinit, që rifitoi Bashkinë e Elbasanit, ku Blushi është deputet.
Ironi mbi një sfond politik tepër cinik. Lexuesi do të kuptojë përmes ngjashmërisë së fonemave me njërin nga qytetet fare pranë Tiranës.
Këtë fabul e ka nxitur bashkëshortja e kandidatit, Olga Sejdini e cila kërkon të ringjallë burrin e saj, për ta bërë kryetar bashkie.
Zyra ku ajo troket për të realizuar këtë ëndërr gjendet përballë një rastësie fatlume: tingëllon si një ngjarje intriguese! Personazhet e romanit lëvizin në redaksitë e politikës së ditës, duke krijuar një situatë paralele në përfytyrimin e lexuesit, një vorbull jo e lehtë për t’u përballuar për nga fantazia. Por një gjendje e njohur për patologjinë socio-politike të vendit, Shqipërisë sot.
Blushi nuk ka nevojë, por siç duket, as nuk i merr kohë kjo lloj fantazie kur memoria i bashkëngjitet një filozofie kontradiktore. Për çdokënd do jenë fare të thjeshta përshkrimet dhe përfytyrimet sikur po ndjek “bukën e përditshme” të politikës dhe medias. Por, për politikanin e shkrimtarin që njeh mirë median, s’besojmë se pritshmëritë e kanë lënë të frustrojë një realitet që kallxon vetveten në skajin më të ashpër.
Blushin e dallon kjo tipikë.
Romani është i ndërtuar mbi provokimin. Rrëfimi dhe gjithë struktura e veprës, ashtu si edhe në romanet e tjera, mbajnë gjallë leximin duke vepruar kimikisht në psikën e njeriut. Këto reagime janë krejt të dukshme. Menjëherë pas daljes së romanit, qindra kopje të shitura. Tërheqja drejt një historie që mban sa mistere, aq dhe një tension dramatik – janë situata që nuk shmangin përfshirjen. Përjetimi bëhet si një makth sarkastik. Ashtu siç është ndërtuar jeta politike e shqiptarëve, siç është ndërtuar Shqipëria politike. Në fakt, Blushi jep referenca reale.
Aludimet e tij janë pamje të qarta për median e sotme, por ashtu dhe paraqitja e personazheve historikë. Diku shfaqen burrat me kasketë, një fizionomi e ngjyrës mavi të Rilindjes…Ndërkohë që bashkia e Basenit pëson tronditjen më të madhe, njëri nga kandidatët vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë fiton. Zgjedhjet në Basen marrin një kthesë të papritur për shkak edhe të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti në kohën e pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuar rrëmujë dhe trazira në qytet. Njeriu që ndihmon kandidatin e vdekur të fitojë zgjedhjet ka një lidhje të veçantë me qytetin e Basenit, për të cilin ai vetë nuk është në dijeni.
Kandidati i Ben Blushit zbulon një roman me fantazi, cinizëm dhe stil për Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona, të cilën Ben Blushi e njeh shumë mirë.
Padyshim është një nga romanet që përballet me debatet më të mëdha në media si dhe qarqet letrare, ashtu si në herë të tjera, duke e bërë Blushin shkrimtarin më numrin më të madh të kopjeve të shitura në këto 20 vite. Në vitin 2008, Blushi botoi romanin e tij të parë, “Të jetosh në ishull”, në vitin 2009 “Otello, Arapi i Vlorës” i cili fitoi Çmimin Europian të Letërsisë, në vitin 2011 botoi “Shqipëria” dhe në vitin 2014, esenë politike “Hëna e Shqipërisë”.
Kandidati, mësojmë se është shkruar në një kohë rekord. Estetika e një rrëfimi romanor rrallë ndodh të shkaktojë një debat të madh, në këtë rast sa politik aq dhe në media. E sigurt se përmes rrëfimit të tij, lexuesi do kërkojë emrat realë, dhe gjithë ngjashmëritë e mundshme, por në letërsi areali është tipik: trill. Romani i Blushit, veç një thagme politike, jep mesazhin se cilado qofshin lidhjet me realitetin, bëhet fjalë për art.
Sado ngjashmëri të ketë midis letrares dhe reales, ne nuk pamë një kandidat të vdekur për Kryetar Bashkie. Ironia e Blushit pasi arrin të zgjedhë kryetarin e bashkisë, gjen prehje në buzë të detit, duke gjetur ilaçin për ta vënë në gjumë popullin.