Tashmë ajo ka kontaktuar një firmë avokatie dhe po kërkon një rishikim juridik të këtij vendimi. Vetë avokatët janë shprehur se vendimi i qeverisë për punën e papaguar dhe të detyruar është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Vetë linja e dyqaneve “Paundlend” deklaroi se ajo bashkëpunon me qeverinë në një skemë që nënkupton trajnim para punësimit, një vend pune dhe një intervistë për të përmirësuar aftësitë e punës së një individi. Qeveria deklaroi se përvoja e punës e ofruar përmes kësaj skeme është e mirë për personat të cilët kërkojnë punë, pasi u ofron mundësi të mira punësimi.
Sekretari i Shtetit për Punën dhe Pensionet iu përgjigj rastit të Reillit më 14 dhjetor. Ndërkohë që kompania ku punoi 22-vjeçarja tha se “ne punojmë në bashkëpunim me organizata të lidhura me qeverinë për të zbatuar një program punësimi në mënyrë që njerëzit të kenë më shumë shanse për karrierën e tyre. Partneriteti ynë me qeverinë është një hap përpara për t’i futur njerëzit në punë”.
Ndërkohë avokatët e Rejllit kanë dërguar një letër për rishikim të procedurës juridike duke sfiduar qeverinë. Një zëdhënës i firmës së avokatisë që mbron 22-vjeçaren tha se në nëntor Keti Reillit i ishte kërkuar që të merrte pjesë në një ditë të hapur për vendet e punës që do të çonte më pas në një trajnim njëjavor dhe në një intervistë pune.
Por pasi ajo mori pjesë në këtë ditë, zbuloi se trajnimi do të zgjaste gjashtë javë dhe do të përfshinte një punë të papaguar dyjavore në një dyqan. Kur Reilli kundërshtoi të bënte një punë që s’kishte lidhje me diplomën e saj, kompania e lidhur me qeverinë i tha se pjesëmarrja ishte e detyrueshme dhe se në rast se nuk do të bënte atë që i kërkohej do të humbte të gjithë benefitet. Si rrjedhojë Reilli punoi dy javë duke pastruar dhe rregulluar raftet në një dyqan të Poundlendit në Birmingam dhe për më tepër askush nuk e thirri për të dhënë një interviste pune.
“Mendoj se kjo nuk është e drejtë, ndërsa ata po i detyrojnë njerëzit që të bëjnë punë që nuk kanë asnjë lidhje me atë çfarë ata duan të bëjnë dhe nuk u japin asnjë përvojë për karrierat e tyre”, u shpreh 22-vjeçarja.
Avokati i saj tha: “Gjithkush është dakord që të papunët kanë nevojë për ndihmë për t’u futur në punë, por t’i detyrosh të rinjtë të bëjnë punë të papaguar në pika shitjeje që mund ta përballojnë shumë mirë t’i paguajnë ata, qoftë edhe me një rrogë minimale, nënkupton t’i frustrosh ata në një kohë që në fakt duhen mbështetur. Kjo qeveri ka krijuar, pa miratimin e parlamentit, një skemë që i lejon qendrat e punës t’i detyrojnë njerëzit të bëjnë punë të papaguar për javë ose edhe muaj. Një gjë e tillë thjesht përkeqëson situatën në një krizë ekonomike. Përmes avokatëve të saj, Reilli po i kërkon Gjykatës së Lartë të quajë të padrejtë vendimin e qeverisë sipas të cilit njerëzit që qëndrojnë për një kohë të gjatë pa punë, mund të jenë të detyruar të bëjnë punë të papaguar edhe mbi 6-mujore.
Kohët e fundit qeveria shqiptare mori vendimin për profesione të ndryshme duke u shprehur se të sapodiplomuarit do të punonin një periudhë 1-vjeçare pa u paguar, duke iu paguar vetëm siguracionet. Vetëm pas kësaj periudhe ata mund të fillojnë normalisht punë në shtet.