Bepe Grillo dhe rrethimi populist i Shqiperise
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Një mësuese 50-vjeçare që për herë të parë kishte qenë në Senat, ‘Pallatin e Madamës’, siç e quajnë italianët, para 10 vjetësh për të shoqëruar nxënësit e saj me aftësi të kufizuara, do të kthehet atje si senatore. Ajo (Giuliana di Pillo) kurrë s’e kishte menduar. Kjo është “mrekullia” që ka bërë Beppe Grillo, komiku që sfidoi politikën italiane dhe e mundi atë. Rezultatet e zgjedhjeve që u mbyllën dje thonë se kjo parti ka marrë 57 vende në Senat, të domosdoshme për të krijuar një qeveri dhe rreth 25 për qind të vendeve në dhomën tjetër të përfaqësuesve në Itali. Dy koalicionet e mëdha majtas dhe djathtas kanë dalë thuajse barazim me 113 dhe 114 vende, kryeministri teknicien Mario Monti, tek i cili shpresonte BE, është reduktuar në 17 vende të panevojshme. Vendi praktikisht është i paqeverisshëm pa vullnetin e mirë të “gillinëve” siç i thërrasin vetes.
Jo për herë të parë
Më herët, një fat të ngjashëm pati Greqia. Rritja e Syrizas dhe ‘Agimit të Artë’, dy formacione po kaq populiste në ekstremet e majta dhe të djathta, penguan krijimin e një qeverie dhe shtynë vendin në agoni drejt zgjedhjeve të reja. Përsëritja e skenarit në Itali do të thotë që kriza u ka dhënë frymë lëvizjeve përgjithësisht ekstremiste, të ngritura më shumë mbi premtime revolucionare që nuk mund të mbahen. Zyrtarisht në dy vendet fqinje me të cilat Shqipëria ka shkëmbimet më të mëdha dhe lidhjet më të forta, politika dhe partitë tradicionale janë vënë përfund prej dëshpërimit dhe zhgënjimit masiv që ka shtyrë drejt forcave të treta, ende pa një program.
Vetëvendosje në Kosovë ishte po ashtu një shembull i ngjashëm i kthimit të një lëvizjeje qytetare në parti, qëndrimet e së cilës kundër të gjithëve shpesh e vënë në dilemë nëse ajo mund të ekzistojë në parlament. Por, a i kemi ne Beppe Grillot tanë?! Duket se Kreshnik Spahiu, edhe pse shumë vite dritë larg komikut Grillo që ka dhjetëra vite i angazhuar si qytetar aktiv e ka siguruar përkrahje të figurave si nobelisti Dario Fo, është në tentativën e krijimit të një lëvizjeje të tillë. Sigurisht, përkundër asaj që ndodh në Itali ku programet politike janë të qarta, në Shqipëri minimizimi i një lëvizjeje të tillë është i lehtë, ashtu siç është e lehtë që politikanët kryesorë si kryeministri Berisha, të ndërrojnë menjëherë nga europianistë në nacionalistë.
Si ia doli Grillo?
Populizëm dhe premtime radikale që përfshijnë deri nxjerrjen e vendit nga Euro dhe Bashkimi Europian, uljen drastike të rrogave të deputetëve dhe të punësuarve të tjerë të lartë (premtim që e kanë vënë në jetë në Sicili, ku qeverisin prej një viti) nga njëra anë dhe nga ana tjetër, dalja e bojës e politikës dhe personazhe tradicionalë të akuzuar për korrupsion dhe sigurisht kriza që ka përfshirë prej kohësh ekonominë.
Në bursa “fitorja” e Grillos, fakti që 5 yjet e tij janë tashmë parti e tretë dhe e domosdoshme, ka ndikuar menjëherë dhe negativisht, pasi shanset që palët të arrijnë një koalicion me të janë të pakta dhe me shumë gjasa vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe kaosit. Krijuesi i një partie që doli nga hiçi rreth një vit e gjysmë më parë, nuk do të jetë vetë në asnjë prej dhomave parlamentare të qeverisë italiane, i përjashtuar prej një rregulli të artë të cilin e ka shpallur vetë: “Kushdo i dënuar apo me precedentë, nuk do mund të zgjidhej në senat dhe parlament”.
Aktori është dënuar në fillim të viteve 80’ për një aksident me makinë dhe do të përfaqësohet nga ata që ai ka vendosur në lista. Ai duket se do iu qëndrojë premtimeve elektorale dhe frymës se si ka jetuar që prej mesit të viteve 2000, kur organizoi tubime me 2 milionë pjesëmarrës kundër korrupsionit në qeverisje. Po ta shohësh nga ky këndvështrim, aktori komik të cilit i janë bashkuar përmes rrjetit dhe interneti miliona ndjekës që i dhanë “fitoren” e djeshme, nuk ka asgjë të përbashkët me sharlatanizmin me të cilin tentohet të kryhet e njëjta përmbysje e klasës së “vjetër” në Tiranë. Megjithatë, ata bashkohen diku.
Në projektet utopike të revolucionarizmit apo ndryshimit të menjëhershëm të diçkaje të madhe. Grillo mund të mbajë një pjesë të premtimeve të tij nëse arrin të pajtohet me Berluskonin ose Bersanin për të bërë qeveri, çka nga ana tjetër do ta bënte menjëherë palë dhe do t’ia hiqte magjinë e antikonformistit dhe do të shumëzonte me zero premtime si dalja nga Euro apo lëvizje të tilla po kaq radikale kundër Bashkimit Evropian e politikave të tij fiskale. Në të kundërt, ai s’do mbante dot asnjë prej premtimeve edhe pse njerëzit në listën e tij të kandidatëve thonë se janë krejtësisht të pavarur dhe në Senat apo Dhomë do mund të zgjedhin vetë mes ligjeve që i cilësojnë në interes të vendit. Ndërkohë, premtimet e të ngjashmëve shqiptarë janë shumë më pak në dorë të tyre.
Bashkimi i trojeve shqiptare, krijimi i një shteti të vetëm prej shqiptarëve në pesë shtete apo dhënia e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët në rajon, siç premtoi Berisha, apo premtime si krijimi i 300 mijë vendeve të punës si Rama, janë populizma që zor se do mund të realizoheshin. Atyre, sidoqoftë, u mungon një element kyç për të pasur suksesin e Grillos në Itali; duke filluar nga më i riu, Kreshnik Spahiu e deri te më i vjetri, kryeministri Berisha, me Ramën e të tjerë në mes ata i mundon “fakti që janë pjesë e politikës prej vitesh” dhe nuk mund të shihen si të jashtëm.