Beqir Meta Po rishkruajme historine e 1912-1991-shit

Beqir Meta: Po rishkruajme historine e 1912-1991-shit
Prej vitit 2009, një grup kërkimor i përbërë prej 36 autorësh, pjesë të institutit, por jo vetëm, i janë vënë punës për të mbledhur materialet që i takojnë periudhës historike mes viteve 1912-1991. Thënë ndryshe, shpallja e pavarësisë, Lufta Nacional- Çlirimtare dhe diktatura. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë e gjen qëllimin e kësaj nisme në sheshimin e debateve dhe gjërave ende të paqarta në historinë shqiptare të shekullit XX

Diskutimi mbi historinë, trajtimin dhe rishkrimin e saj, rikthehet edhe njëherë në një projekt të Institutit të Historisë. Prej vitit 2009, një grup kërkimor i përbërë prej 36 autorësh, pjesë të institutit, por jo vetëm, i janë vënë punës për të mbledhur materialet që i takojnë periudhës historike mes viteve 1912-1991. Thënë ndryshe, Shpallja e Pavarësisë, Lufta Nacional- Çlirimtare dhe Diktatura. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë e gjen qëllimin e kësaj nisme në sheshimin e debateve dhe gjërave ende të paqarta në historinë shqiptare të shekullit XX. Ndërkohë, ky botim vjen vetëm dy vjet pas “Historisë së Shqipërisë”, realizuar nga Akademia e Shkencave. Meta thotë se nuk kanë si qëllim të hedhin poshtë meritat e atij botimi, por të sqarojnë anët kritike të tij.

Sipas Metës, në këtë botim me dy vëllime njëri prej të cilëve do t’i kushtohet diktaturës, për herë të parë do të përfshihen mendimet alternative të studiuesve dhe argumentimet e tyre në baza shkencore. Në kuadër të këtij projekti, Instituti i Historisë ka mbledhur dokumente të panjohura arkivore nga Ministritë e Jashtme të shumë vendeve, që do të shfrytëzohen më pas në mënyrë elektronike nga studiuesit shqiptarë. Botimi parashikohet të përfundojë në vitin 2012, në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Instituti i Historisë ka ndërmarrë një projekt studimor për botimin e dy vëllimeve të Historisë së Shqipërisë. Cilës periudhë i referoheni dhe në ç’pikë gjendet projekti?

Është një studim akademik në dy vëllime për historinë e shqiptarëve në shekullin XX. Përfshin periudhën mes viteve 1912-1991, ku botimit i paraprin një kapitull hyrës për historinë e shqiptarëve, nga Lidhja e Prizrenit deri në shpalljen e pavarësisë. Janë angazhuar studiuesit më seriozë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të gjithë ata që kanë vepra dinjitoze e të vlefshme në fushën e kërkimeve historiografike. Ky projekt për herë të parë bën bashkë të gjithë studiuesit, pa bërë dallim për pikëpamjet që mund të kenë ata.

Pse i referoheni pikërisht kësaj periudhe historike?

Është periudha që ka shumë diskutime, shumë gjërat të pasqaruara dhe themi që ka nevojë të futet një metodologji e re kërkimore për këtë periudhë, që është e afërt në kohë, por plotësisht e pjekur për të shkruar një histori serioze.

Mendoni se do të arrihet të shkruhet një histori objektive?

Kam bindjen që po. I referohem këtu edhe metodave që do të ndiqen. Në të dy këto vëllime ne do të përfshijmë pikëpamje alternative të autorëve, në ndryshim nga çfarë është bërë me botime të tjera. Një autor nuk mund të injorojnë tërësisht pikëpamjet e autorëve të ndryshëm, po do të ballafaqohet patjetër me pikëpamjet e kundërta dhe në mënyrë akademike do të japë argumentin e vet.

Është përcaktuar struktura sipas së cilës do të organizohet lënda?

Janë ndarë të gjitha temat në mënyrë konkrete dhe të përcaktuara qartë. Prej vitit 2009 janë lidhur kontratat e punës me autorët që do të shkruajnë historinë dhe kemi grupin më voluminoz të studiuesve që është marrë me këto botime, plot 36 të tillë. Autorët janë përcaktuar në bazë të studimeve që kanë për një çështje apo periudhë të caktuar pa ndonjë preferencë tjetër, siç ka ndodhur më përpara.

Vetëm dy vjet më parë kjo periudhë është trajtuar në vëllimin e katërt të “Historisë së Shqipërisë”, realizuar nga Akademia e Shkencave. I juaji do të jetë një botim alternativ?

Ky edicion nuk tenton të mohojë arritjet që ka në atë botim. Në këtë projekt janë një grup autorësh që kanë vlerësime për atë botim, ashtu siç kanë edhe vërejtje. Pikërisht këto teza kritike do të gjejnë zgjidhje në këtë botim të ri, sepse këtë e lejon mënyra e tij e organizimit, duke i lënë hapësirë edhe pikëpamjeve divergjente të autorëve themelorë. Së dyti, botimi do të ketë referenca. Ky është një mjet kontrolli për seriozitetin e veprës, një lloj ballafaqimi akademik i argumenteve dhe metodave që janë përdorur. Do të jetë një kontribut i ri në historiografi, pa mohuar arritjet që mund të ketë pasur në botimin e mëparshëm. Historia është një proces shkrimi dhe rishkrimi, dhe sigurisht ky botim nuk do të jetë i fundit. Ky studim është konceptuar të ndërtohet pas një pune kërkimore të jashtëzakonshme.

A do të përfshijë kjo punë kërkimore materiale arkivore të paeksploruara më parë nga studiuesit tanë?

Ne po marrim të gjitha arkivat dhe materialet e tjera nga bibliotekat e huaja për shek XX. Puna është përqendruar në arkivat diplomatike të Ministrive të Jashtme të vendeve europiane, por edhe të Amerikës. Deri më tani kemi përfunduar marrjen e arkivit të plotë të Ministrisë së Jashtme franceze, asaj gjermane, një pjesë të madhe të arkivit të Ministrisë së Jashtme italiane, britanike dhe fushata po vazhdon. Do t’i plotësojmë të gjitha kërkimet për këto arkiva e do t’i sjellim në Tiranë, në arkivin e Institutit të Historisë. Arkivi po merret në mënyrë dixhitale. Janë 200 mijë faqe dokumente që pritet të shkojnë në 300-400 mijë brenda shtatorit. Deri tani është shpenzuar 140-150 milionë lekë të vjetra dhe pritet të harxhohen edhe 100 milionë të vjetra për ta plotësuar. Është një shumë normale që e kemi shfrytëzuar me efektivitet. Është punë e madhe kërkimore që i shërben jo vetëm këtij projekti, por shumë studimeve monografike, artikujve shkencorë që do të bëhen në institutin tonë. Më vonë do të vazhdohet me arkivat kombëtare.

Periudha e diktaturës vazhdon të mbetet më e diskutuara. Si do të trajtohet në këtë botim?

Do të përfshihen të gjitha burimet vendase dhe të huajat për këtë periudhë. Diktatura do të ketë një vëllim më vete, por gjithashtu edhe një histori shumë më të integruar të trojeve shqiptare. Që pas përmbysjes së komunizmit, janë bërë arritje të rëndësishme në historiografi. Nëse më parë trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë janë trajtuar si kapituj më vete, tashmë do të trajtohen në një rrafsh të tërthortë që na jep mundësi për krahasime dhe mundësinë e konceptit të një historie unike të një kombi.

Është përcaktuar se cili do të jetë grupi redaktues?

Ende nuk e kemi krijuar, sepse jemi ende te grupi kërkues. Do të krijohet para se të dorëzohen materialet, por bëhet fjalë për ekspertët më të mirë në disa fusha.

Kur mendohet të botohet kjo punë kërkimore?

Është projekt shumë ambicioz, që nisi në vitin 2009 dhe shpresojmë ta realizojmë për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ky botim do të jetë edhe në anglisht, për t’i dhënë mundësinë e përfshirjes në biblioteka të huaja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama