Beqiri Dervishi nuk e njeh Partizanin titulli si mallkim

Beqiri: Dervishi nuk e njeh Partizanin, titulli si mallkim

Ish-kapiteni i Partizan it, Ardit Beqiri, në inter vistën e tij për "Panorama Sport" jep arsyet pse "demat" nuk e fituan sërish titullin, mallkim të cilin e lidh edhe me sezonin 2007-2008. ardit beqiriMadje, historia e këtij sezoni ka bërë që ai të dalë kundër deklaratave të drejtorit Dritan Dervishi, para ndeshjes së fundit me Teutën. Beqiri nuk e pranon termin "fitues moral", pasi ky trofe, sipas ishkapitenit, i shkon për shtat Tërbunit, që e respektoi sezonin deri në fund.

Ardit, tjetër përfundim zhgënjyes për Partizanin...

Po mbete në dorë të të tjerëve, nuk mund të presësh më shumë. Çështja e titullit mbeti në tentativë edhe në sezonin që sapo u mbyll... Shpresat e titullit u hapën pas fitores në Korçë, por siç thotë populli ishte një "hallvë e ftohtë", pasi nuk kishe çfarë t'i kërkoje Flamurtarit. Vlonjatët kaluan një sezon shumë të vështirë dhe ndodheshin në një moment që kishin hequr një siklet të madh, pasi ishin në limitet e përfundimit me turp. Me logjikën e sportistit e gjykoj se kur heq një telash të tillë, për një moment ke dëshirë që t'i flakësh edhe këpucët, pasi gjetën çlirimin.

Pra, Flamurtari s'kishte motiv për t'ia hequr kampionatin Skënderbeun?

Patjetër, pasi ata e siguruan mbijetesën dhe nuk kishin motivin e Skënderbeut në atë sfidë, që luante për sezonin. Gjithsesi, të kuqtë janë ngushëlluar me termin "fitues moral të sezonit".

Ju jeni i të njëjtit mendim?

Për këtë nuk jam dakord. Fitues moral i një edicioni është ai ekip që e nis kampionatin me asnjë shans matematikor për ta fituar garën, por jep maksimumin dhe respekton veprimtarinë deri në fund. Pra, je fitues moral se paraqitesh mirë. Duke parë se si rrodhën situatat e këtij kampionati, Partizani nuk duhet të limitohet te fituesi moral, pasi mund të ishte shumë më tepër se i tillë. Partizani i pati të gjitha mundësitë që të ishte edhe fitues material.

Mos u referoheni fitoreve radhazi të pjesës së parë, ku edhe kryesuan?

Partizani ka pasur meritë në këtë sezon se ka konkurruar denjësisht me Skënderbeun, i cili këtë vit ka bërë gabime më shumë se në edicionet e tjera kur është shpallur kampion. Prandaj them se Partizani mund të merrte më shumë se trofeu i fituesit moral. Ndaj, për mua, fituesi moral i këtij viti në Superiore është Tërbuni i Pukës, pasi e respektoi garën deri në fund, ndonëse fati i tij u mësua që në gjysmë të rrugës. Për mua, ky është përkthim i termit "fituesi moral".

Si shpjegohet se i shkohet titullit deri në fund dhe nuk arrihet?

Nuk di ta shpjegoj, por ndoshta është ndonjë mallkim që e përndjek Partizanin prej kaq vitesh, pasi nuk ka arsye tjetër. Them mallkim, pasi unë kam qenë protagonist i një situate të tillë në sezonin 2007- 2008, që e humbëm titullin në ndeshjen e fundit me Dinamon. Ndoshta është ai presioni i madh i mungesës së titullit që e shoqëron klubin prej shumë vitesh. Prandaj kur vjen fundi skuadra e ndien trysninë e këtij boshllëku të krijuar ndër vite. Pra, presioni i titullit sa vjen dhe rritet te Partizani. Keqardhje e madhe, sepse këtë vit mundësitë ishin të mëdha për të dalë kampion.

Drejtori Dervishi pohoi para ndeshjes së fundit me Teutën se Partizani aktual nuk është si ai ekipi ku ju ishit kapiten në 2008-ën...

E lexova atë deklaratë të drejtorit Dervishi që e lidhte edhe me aludime dhe realisht ma prishi ditën që isha përgatitur ta festoja në stadium. Më vjen keq që një person i tillë si ai (Dritan Dervishi), pa asnjë lloj kontributi dhe historie te Partizani, t'i bëjë analizën Partizanit ndër vite. Pra, këta njerëz nuk kanë të drejtë që të bëjnë krahasime të tilla. Nëse dalin aty se kanë një pozicion për të ruajtur, të mos harrojnë se bashkë me pozicionin e tyre kanë edhe detyrime për të ruajtur emrin dhe historinë e klubit. Duhet të kenë parasysh diçka se historia e skuadrës nuk nis kur ky zotëria emërohet drejtor te Partizani, historia e klubit është shumë më e gjatë, sapo u festua 70-vjetori.

Pra ju thoni se Dervishi ka gabuar me krahasimin që bëri mes dy skuadrave ndër vite?

Një drejtues i tillë nuk mund të bëjë krahasime të tilla, pasi mbjell vetëm përçarje në klub. Nuk ka problem nëse thua, ndonëse nuk është etike që Partizani që drejtoj unë është më i mirë se ai i atyre. Por ajo që nuk falet kur përmendet se është më i ndershëm sesa ai i të tjerëve, ku iu referua Partizanit që unë isha kapiten në 2008-ën duke drejtuar gishtin dhe rënë pre e thashethemeve. Ai ka të drejtë të thotë se Partizani që drejtojmë ne është i fortë, më i fuqishëm, me perspektivë e shumë gjëra të tjera. Por, nuk ka të drejtë që të përmendë aludime për Partizanin që të tjerët kanë dhënë mundin dhe shpirtin për ta ndërtuar.

Sipas jush, çfarë ndryshon mes këtyre dy skuadrave (ajo e 2008-ës dhe 2016-ës) që i shkojnë titullit deri në ndeshjen e fundit, por që nuk e fitojnë?

Partizani i 2008-ës e kishte vetë në dorë fitimin e titullit dhe jo si këtë vit që vareshin nga Flamurtari në ndeshjen e fundit. Atë vit na ndanë centimetra nga fitimi i titullit kampion, i referohem rastit të humbur nga Abilaliaj, që ishte shumë pranë portës. Ndërsa skuadra aktuale, shpresat i kishte te një ekip tjetër, që luante ndaj rivalit direkt. Për mua, ndarja në Partizanë është gabimi më i madh që mund të bëjë një drejtues klubi.

Sërish i referoheni drejtorit Dervishi?

Sigurisht, me atë e kam. Pasi me pozicionin që mbulon ai zotëria duhet të respektojë emrin e klubit. Nëse bëjmë kështu, edhe mund të vë gishtin te ndonjë Partizan i viteve '80. Nuk ka vend për krahasime, por për bashkim. Më vjen keq që Dervishi u bashkua me aludimet e viteve të mëparshme, që i bie që atë vit ne e paskemi lënë atë ndeshje të fundit. Nëse ai flet se nuk jemi si Partizani i 2008-ës, nuk e di si do t'ia vërë emrin asaj që ndodhi në javën e fundit ndaj Teutës që u hap porta në fund.

Tani po hapni një temë tjetër, duke kaluar në kundërsulm...

Nuk po them se shitëm, por fundi i ndeshjes me Teutën ishte tolerim. Tani më lind edhe mua e drejta t'i drejtohem atij zotërisë: Po kjo çfarë ishte, aludim? Nëse Dervishi ka veshur vellon e ndershmërisë dhe po bën propagandë se jemi për Partizanin e ndershëm, kësaj me Teutën si t'ia vëmë emrin?! Pra, kjo është politikë e atyre personave që nuk kanë as histori dhe kontribute në klub. Madje, nëse Partizani hasi vështirësi, është si një pasojë e asaj pune që ka bërë ky zotëria duke i goditur të gjithë dhe kthehesh në i urryer, duke të luftuar më shumë sa duhet në përballjet direkte. Prandaj me politikat prej protagonisti të këtij zotërisë e pësoi Partizani, që iu vërsulën të gjithë gjatë këtij sezoni.

Po çfarë duhet të bëjë Partizani që të thyejë tersin dhe vitin tjetër të dalë kampion?

Po të ruhet grupi, entuziazmi dhe fryma, pasi sezoni u mbyll deri diku me një frymë pozitive, gjithçka është e mundur. Mos harroni faktin se Partizani nuk ka qenë i plotë në pjesën e dytë, pasi i mungoi një lojtar me mjaft vlera, si Mazrekaj që u dëmtua. Ndonëse pati një mungesë të rëndësishme, sërish Partizani arriti të ishte konkurrues deri në fund.

Përgatiti: ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama