Berati dhe Gjirokastra trashegimi qe vlen miliona euro

Berati dhe Gjirokastra, trashegimi qe vlen miliona euro

Ndërtimet historike dhe monumentet e kulturës në Berat vlejnë rreth 20 milionë e 500 mijë euro,  kurse në Gjirokastër, afro 58 milionë euro. Këto shifra bëhen publike gjatë Konferencës Ndërkombëtare “Rijetëzimi i Trashëgimisë Kulturore-Potenciale dhe Sfida”, që organizohet sot nga Fondacioni “Gjirokastra”. Vlera miliona euro e dy qendrave historike që janë në mbrojtje të UNESCO-s ka dalë nga përllogaritja përpjesëtimore që është bërë mbi bazën e vlerësimit si pasuri e patundshme të 250 shtëpive, nga  rreth 1000 monumente kulture që kanë të dyja qytetet shqiptare të UNESCO-s. Vlerësimi është bërë nga dy kompani të specializuara prestigjioze si pjesë e projektit REVATO (Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore në qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës), të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar dy vitet e fundit nga Fondacioni “Gjirokastra”.

 

Zbatimi i projektit REVATO nisi në janar të vitit të shkuar. Në pothuaj dy vite, nëpërmjet këtij projekti u adresuan një sërë problemesh që pengojnë përpjekjet vërtet komplekse për ruajtjen e qyteteve historike të UNESCO-s, Berat dhe Gjirokastër. Projekti i cili u zhvillua në të dyja qytetet, u përqendrua ndër të tjera në: regjistrimin e pronësisë në ndërtesat historike si pasuri të paluajtshme, në krijimin e një OJF-je që përfaqëson interesat e qytetarëve pronarë të monumenteve trashëgimi kulturore, në restaurimin e 11 çative të dëmtuara në monumente të kulturës në Berat dhe Gjirokastër, me pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e vetë banorëve në vlerësimin e monumenteve të kulturës si pasuri e patundshme dhe në përgatitjen e 10 planeve të biznesit, duke zhvilluar biznese të vogla, çka sjell përdorimin e trashëgimisë kulturore.

Eksperienca e mbledhur dhe problemet e hasura gjatë zbatimit të këtij projekti do të diskutohen sot në Konferencën Ndërkombëtare, ku do të synohet edhe miratimi i një rezolute për reformat që i nevojiten fushës së trashëgimisë e të sjellin më shumë kuptim dhe mbështetje ndaj trashëgiminë kulturore. Përfaqësues të institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore, specialistë, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Tiranë, donatorë dhe qytetarë të Beratit dhe Gjirokastrës kërkojnë përmes kësaj rezolute një ndërhyrje të fuqishme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, jo vetëm si vlerë për identitetin kombëtar, por edhe si pjesë e trashëgimisë kulturore të përbashkët europiane, menaxhimin e saj sipas standardeve më të mira botërore si  burim për punësim dhe zhvillim.

 

Sipas drejtorit të Fondacionit “Gjirokastra”, Sadi Petrela, qëllimi është që të krijohet ndërgjegjësimi në shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe administratës shqiptare si dhe donatorëve, që menaxhimi i trashëgimisë kulturore kërkon ndërhyrje tërësore dhe gjithëpërfshirëse me shkallë të lartë profesionalizmi, larg çdo improvizimi amatoresk dhe politizimi, apo instrumentalizomi për qëllime që nuk kanë të bëjnë me përdorimin e Trashëgimisë Kulturore si aset identiteti kombëtar dhe europian, por edhe zhvillimi e punësimi duke respektuar mjedisin”. Projekti REVATO u zbatua nga Fondacioni “Gjirokastra”, me mbështetjen e Bashkimit Europian. Fondacioni “Gjirokastra” ka 12 vjet veprimtari në Gjirokastër dhe së fundmi në Berat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama