Beratit i shtohen dy monumente te reja

Beratit i shtohen dy monumente te reja

Në bazë të kërkesës së DRKK-Berat, Ministria e Kulturës shpall Monument Kulture të kategorisë së I Kishën e "Shën Marisë" në fshatin Sinjë dhe "Uren e Kasabashit" në Çorovodë, duke çuar numrin total të monumenteve në Qarkun e Beratit në 484.

Bashkë me shpalljen monument kulture, u shpallën edhe zonat e mbrojtura të objekteve.

Ura e Kasabashit

Kjo urë gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Ura e Kasabashit futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese. Nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh, kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi). Qemeri qendror, i cili ka një vëllim më të madh paraqitet me një konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore.

Qemeri kryesor sipër konturohet nga një kornizë guri 5 cm të trashë. Edhe dritaret shkarkuese ashtu si edhe qemerët anësorë janë ndërtuar në formë gjysmë rrethore. Muret Ballorë janë ndërtuar me gurë lumi dhe mali të zinj në formë pllake me trashësi 10-12 cm me gjatësi jo më shumë se 25 cm, ndërsa fugat midis gurëve janë shumë të theksuara. Në njërin krah mbi urë hipet mbi një platformë të drunjtë. Ura e Kasabashit nga teknika e ndërtimit duhet t’i përkasë shekullit XVII.

Kisha e Shën Marisë-Sinjë

Periudha në fjalë shek. XII-XIII kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave –shpellë, shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor. Siç shihet edhe nga gjendja e sotme, arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje.

Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor. Pas derës hyrëse është një hapësire tepër minimale me dimensione 72x120 cm. Në të djathtë të kësaj hapësire gjenden shkalët e ngushta prej guri, të lyera me gëlqere të cilat të çojnë në hapësirën e sipërme. Hapësira e sipërme ka një dysheme e cila thyhet në tre nivele të ndryshme sipas terrenit shkëmbor, të cilat lidhen me shkallë. Në mes të hapësirës së sipërme, në faqen lindore shkëmbore gjendet absida e përshtatur në mënyre shume harmonike me terrenin.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama