Tregojnë për një vajzë të re të martuar në një familje shumë të varfër. Gjithë ditën e Perëndisë ajo dëgjonte vjehrrin dhe vjehrën, kunetërit dhe kunatat për gjellët e shijshme që kishin ngrënë dhe do të hanin çdo të nesërme, ndonëse sofra mbetej gjithmonë bosh. Dhe një ditë ajo tha: “Lumja unë çfarë më dëgjojnë veshët, mjerë unë çfarë më sheh syri”!
Fati i kësaj familjeje të mjerë nuk është i vetmi i tillë. Shoqëria shqiptare, në tërësinë e saj, është njëlloj si kjo familje. Dëgjon nga mëngjezi në darkë kryeministrin për prioritete të pafundme të realizuara, për arritje dhe suksese që turpërojnë Gjermaninë, shtangin Kinën, pezmatojnë Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht, në jetën reale, bën llogari qindarkat për bukë, ujë, drita e ilaçe. Sali Berisha ka mundur të krijojë përfundimisht Shqipërinë virtuale, në të cilën lumturia dhe hareja është e pranishme kudo, ndërsa Shqipëria e vërtetë vazhdon të zhytet në një nga krizat më të rënda ekonomike dhe sociale që ka përjetuar në dy dekada demokraci.
Revista Java ka zgjedhur disa nga premtimet e artikuluara deri në mërzi nga kryeministri dhe i ka ballafaquar ato me realitetin. Një pjesë e tyre janë të fryra, një pjesë tjetër janë megalomane, një pjesë tjetër janë thjesht marrëzi dhe qesharake. Në fushatën elektorale të nisur, por që në fakt nuk ka mbaruar kurrë, kryeministri ka nisur të riciklojë një pjesë të këtyre premtimeve me shpresë se dhe kësaj rradhe luga bosh e tyre do të prekë diafragmën politike të shqiptarëve.
Integrimi
Eshtë një përrallë që këndell gjithkënd, fundi i lumtur i së cilës ngjante pas dere. Mjaftonte të hapej ajo derë dhe gjithë hallet e vendit përfundonin dhe Shqipëria shndërrohej në një copë tokë evropiane. Kështu u duk në janar 2003 kur Shqipëria çeli zyrtarisht procesin e marrëveshjes së asocim stabilizimit. Dy vjet më pas, qeveria Nano humbi zgjedhjet dhe megjithatë dukej se gjërat po rridhin në shtratin e duhur. Procesi i antarësimit në NATO u finalizua në prill 2008, regjimi i vizave u hoq dy vjet më pas, ndërkohë që në vitin elektoral 2009, Shqipëria paraqiti zyrtarisht, përkundër këshillave të partnerëve ndërkombëtarë, kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Që nga prilli 2009 kur Berisha i dorëzoi dosjen ish-homologut çek Topolanek – bashkë me të edhe çelësat e privatizimit për CEZ-in – vendit i është refuzuar tre herë kjo mundësi. Një hata që nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër kandidat për në BE.
Shqipërisë i kërkohen përmirësime domethënëse për zbatimin e ligjeve, për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pavarësi e institucioneve, veçmas të sistemit të drejtësisë, dhe mbi të gjitha, organizim i zgjedhjeve të ndershme e të lira sipas standarteve evropiane. Tre ligjet e mosmiratuara nga opozita konsiderohen me shejtan budallallëk nga shumica qeverisëse si shkaku për humbjen për herë të tretë të statusit. Një përpjekje groteske për të krijuar simetri mëkati mes tyre. E vërteta është shumë më e thjeshtë: qeveria ka dështuar sa nga padija, sa nga mungesa e vullnetit real politik për integrim evropian në gjithë elementët që do ta veçonin një demokraci nga një demokraci hibride e llojit pashallëk, ashtu siç është instaluar në Shqipëri sidomos vitet e fundit.
Rendi dhe siguria
“Ne synojmë që Shqipëria të bëhet shumë shpejt një nga vendet më të sigurta në Evropë për jetën dhe pronën”, premtonte Berisha në dy programet e njëpasnjëshëm të qeverisjes së tij. Cila është e vërteta? Numri i krimeve është rritur në mënyrë alarmante me disa herë. Eshtë rritur numri i vrasjeve, plagosjeve, aksidenteve rrugore dhe krimeve kundër pronës. Raportet ndërkombëtare e përshkruajnë situatën me ngjyra të zeza. Sipas tyre, Shqipëria është një nga vendet kryesore të tranzitit të heroinës e kokainës dhe si një vend kryesor të prodhimit të mariuhanës. Lufta kundër krimit të organizuar mbetet e dobët. Vetëm brenda një viti tre komisarë policie kanë humbur jetën, kurse lista e krimeve të rënda të vrasjeve, përfshi edhe një deputet të opozitës dhe veprimtarë të saj kanë mbetur të pazbuluar.
Kulmi i zi i kapjes së shtetit nga krimi ishte 21 Janari i vitit 2011, kur shteti ekzekutoi gjakftohtësisht katër qytetarë shqiptarë, plagosi dhjetra të tjerë dhe dështoi në “tentativën” për të vënë përpara përgjegjësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët. Krimi urban ka njohur një kurbë të frikshme rritjeje, ndërsa krime të tjerë shumë të rëndë, përfshi dhe raste pedofilie kanë tronditur opinionin. Në të gjitha rastet, përgjigja e shtetit ka qenë tërësisht e pamjaftueshme. Shto këtu edhe politizimin e skajshëm të policisë dhe sidomos, lidhjet e saj direkte dhe indirekte me krimin dhe situata duket ashtu siç është, dramatike. Pothuaj një qytetar në ditë humb jetën në aksidente rrugore, kryesisht për shkak të gjendjes së rënduar të tyre, mungesës së sinjalistikës, ndriçimit, standarteve të këqia të ndërtimit të tyre, por dhe mungesës së efiçencës së policisë rrugore. Sidomos në akset në jug të vendit, akse nacionale, janë tërësisht jashtë çdo kushti e standarti teknik.
Korrupsioni
“Qeveria do ta ketë luftën kundër korrupsionit prioritet të sajin me synimin e qartë nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e korrupsionit”, premton kryeministri që insiston për tolerancë zero ndaj tij. Si qëndron e vërteta? Në vitin e shkuar vetëm një zyrtar është çuar në ndjekje penale nën këtë akuzë. Në renditjen e organizatave të specializuara që përshkruajnë korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapa domethënës prapa. Shqipëria, në këto lista lë pas edhe vende të pazhvilluara si Ruanda dhe Uganda. Nga SHBA tërhiqet vëmendja se vendi vuan nga “pagat e ulëta dhe korrupsioni i lartë”. Deri më sot, asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është ndëshkuar për korrupsion, kur lehtësisht mund të verifikohet se standarti i tyre i jetesës është shumëfish më i lartë se të ardhurat e tyre. Kultura e mosndëshkimit të krimit është shndërruar në kulturë politike dhe qytetarë të standarteve të ndryshme: hyn në burg për një celular të vjedhur, qëndron në Kuvend e qeveri kur grabit miliona euro.
Raportet me biznesin janë përkeqësuar dhe ai është bërë shënjestër e gjobave abuzive, trajtimit preferencial mbi kritere politike dhe klanore. Monopolet janë forcuar, kurse baza ligjore është e turbullt dhe kaotike. Politikat fiskale janë ndryshuar plot 74 herë që nga ardhja në pushtet e partisë demokratike.
Energjia elektrike
“Shqipëria do të bëhet një superfuqi e vogël energjitike. Do të ndërtojmë central bërthamor dhe do të ndërtojmë me qindra hidrocentrale për të krijuar në fund të mandatit të parë, “...pavarësi nga kushtet esktreme hidrike”. Kjo ishte një nga gënjeshtrat që duhet shoqëruar me gështenja të pjekura ndanë zjarrit të dimrit sepse ndryshe nuk gëlltitet. Ende nuk është garantuar furnizimi 24 orësh me energji elektrike dhe KESH, kompania shtetërore është në krizën më të thellë të mundshme, e futur në një spirale borxhesh dhe kredish të pakthyera. Heqja e licensës së CEZ-it e ka përkeqësuar situatën, kryesisht për shkak jo vetëm të mospërmbushjes së kontratës së privatizimit nga ana e saj, por sidomos nga ndërhyrja e shtetit me motive politike në veprimtarinë e kompanisë. Janë rritur humbjet në rrjet, është ulur faturimi i energjisë së harxhuar nga popullata dhe nuk janë kryer investimet e premtuara.
I vetmi TEC i ndërtuar në Vlorë, jashtë kritereve teknike dhe ekonomike nuk është vënë asnjë ditë në punë, ndonëse shqiptarët paguajnë interesat e kredisë së marrë për ndërtimin e tij. Qindra koncesione hidrocentralesh të dhënë, në fakt kanë qenë vetëm një mënyrë shpërblesë për klientët e qeverisë dhe vetëm një numër i papërfillshëm i tyre ka nisur të ndërtohet. Asnjë investim i premtuar për prodhim energjie nga burime alternative, diellore dhe energji nga era, nuk është realizuar ende.
Për më tepër, menaxhimi i tmerrshëm i KESH-it dhe burime hidrike në vend, e ka zhytyr gjashtë herë nën ujë Shkodrën dhe rrethinat e saj.
Punësimi
“Maxhorannca dhe qeveria kanë si objektiv madhor krijimin e 160 mijë vendeve të punës”. Në një vend ku njerëzit nuk i numërojnë dot orët e papunësisë dhe mungesës së perspektivës për një vend pune, ky është një premtim i madh. Por Doktori nuk e ka seriozisht. Vetëm katër vjetët e fundit, vetë shifrat zyrtare të zyrës së tij të disinformacionit INSTAT, e përgënjeshtrojnë totalisht.
Sipas INSTAT, në vitin 2008 figuronin të punësuar 974 mijë shqiptarë. Në vitin 2012, shansin për të punuar e gëzonin vetëm 928 mijë. Pra, 46 mijë shqiptarë humbën punën, përkundër premtimit të bërë se do të punësoheshin edhe 160 mijë të tjerë. Probleme në punësim ka pasur kryesisht industria në krizë e ndërtimit dhe ajo e fason-it. Opozita pretendon se janë plot një milion shqiptarë të privuar nga e drejta për të punuar.
Dhe borxhi, borxhi në fyt
Në vitin 2005 Berisha prenmtonte stabilizimin e borxhit në nivelin e 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por vetëm tre vjet më pas, ajo kërkoi largimin e FMN-së, që survejonte politikat financiare dhe fiskale të vendit. Jashtë vrojtimit ndërkombëtar, qeveria nisi të rrisë në ekstrem borxhin. Mbasi deklaroi se nuk do të kalonte tavanin prej 60 për qind të PBB, vjet në dhjetor, qeveria me ligj e tejkaloi edhe këtë barrierë. Sot, kjo shifër po i afrohet zyrtarisht nivelit prej 64 për qind të PBB-së, duke i lënë si barrë çdo familjeje shqiptare disa mijëra dollarë borxh. Shërbimi për interesat e borxhit po rritet nga viti në vit dhe madje, qeveria ka marrë borxh për të paguar borxhet.
Në një nivel të frikshëm ka shkuar dhe borxhi i brendshëm që llogaritet në qindra milionë euro, kryesisht për punë të kryera dhe shërbime e mallra të afruara ndaj shtetit, por të papaguara ndaj biznesit. Këto borxhe e kanë futur biznesin në kolaps dhe kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e nivelit të kredive të këqia në bankat e nivelit të dytë.
Investimet e huaja direkte
Largimi i CEZ, dështimi spektakolar i privatizimit të Albpetrolit dhe kryesisht gjendja e tmerrshme e sektorit të naftës dhe industrisë minerare, është një nga sikletet më të mëdha që kjo qeveri në ikje po i le të nesërmes së vendit.
Askush nuk është në gjendje të rikujtojë rrebeshin e miliarda dollarëve të premtuar, madje edhe të “firmosur’ për parqet energjitike në vend apo zonat industriale që do të ndërtoheshin nga Kopliku në Vlorë e në Shkozet, Durrës. Askund nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Nga miliardat kanë mbetur vetëm kronikat televizive të shiritave të prerë.
Qoftë dhe vetëm njëra nga këto arsye, premtime të pambajtura, në një vend normal do të shkatërronte karrierën e një qeveritari. Por kryeministri shpreson ndryshe. I futur në rrugën e gënjeshtrës, ai e ka përdorur gënjeshtrën e rradhës dhe skandalin e rradhës si një shpatë me të cilën ka çarë rrugën drejt pushtetit dhe për mbajtjen e pushtetit. Tani ka nisur sërish të njëjtin avaz: “Unë ju premtoj juve, se unë ju garantoj juve”.
Ka gënjyer shumë herë ky njeri. Tre herë është shumë për ta besuar sërish, që shoqëria shqiptare të mos shndërrohet plotësisht si vajza e rrëfenjës së hershme që thoshte: “Lum unë çfarë dëgjoj me veshë, mjerë unë çfarë shoh me sy”! Me një vjehërr nopran si Sali Berisha, çfarë nuk ndodh. Në 20 vjet ka qenë kuzhinieri që ka servirur paprerë sapun me çmimin dhe shijen e djathit. Për fatalitetin e shqiptarëve, të majtë e të djathtë, ka pasur shumë që kanë shijuar sapunin elektoral të Doktorit.