Berisha Basha dhe grupi i PD-se E tille eshte jeta Koli

Berisha, Basha dhe grupi i PD-se: E tille eshte jeta Koli

Ka nisur ceremonia e homazheve  te Kuvendi i Shqipërisë në nder të deputetit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident tragjik në aksin rrugor në aksin Tiranë –Elbasan. Ndërkohë në orën 14:00 është parashikuar të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së trupit drejt banesës së fundit.

PD-ja e bashkuar për vdekjen e Sokol Olldashit

Grupi i Partisë Demokratike ka dalë në një deklaratë të përbashkët për vdekjen e kolegut të tyre, deputetit Sokol Olldashi. Në këtë deklaratë është përfshirë: Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Edi Paloka, Flamur Noka, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ilir Rusmajli, Jemin Gjana, Adriana Gjoni, Aldo Bumçi, Arben Qirjako, Arta Sakja, Edmond Spaho, Eduart Halimi, Fatos Beja, Keltis Kruja, Lajla Përnaska, Mesila Doda, Myqerem Tafaj, Rajmonda Bulku, Albana Vokshi, Gert Bogdani.

Deklarata e PD-së

Mbrëmë humbi jetën në një aksident tragjik, deputeti i PD-së, Sokol Olldashi.

Nëna, humbi njeriun më të dashur të cilin e rriti me aq shumë mund dhe sakrifica për shkak edhe të regjimit, i cili e internoi familjen e Sokolit, kur ai ishte vetëm dy vjeç në Selenicë të Vlorës.

Bashkëshortja humbi njeriun e saj të zemrës, fëmijët humbën babanë e dashur. PD humbi ish-ministrin dhe deputetin e saj, humbi ish-drejtuesin e Forumit Rinor, zërin e fortë dhe qytetar në Parlamentin e Shqipërisë dhe mikun e betejave politike për një shoqëri të lirë, të zhvilluar dhe më të mirë.

Shoqëria humbi një zëdhënës të sajin, ndërsa gazetaria një mik dhe koleg të përhershëm dhe të kudogjendur.

Politika dje ka mbajtur frymën. Ka qenë në vendin e aksidentit e bashkuar si rrallë mund ta shikosh atë, duke kuptuar se përtej betejave dhe debateve të ditës, vlera e jetës është më e madhja.

Sokoli do të na mungojë të gjithëve. Fati e desh të largohet në një moshë të re dhe përballë tij të gjithë jemi të pafuqishëm për të protestuar, por jemi të mundur për të reflektuar, se sa e shkurtër është jeta e njeriut.

Do ta kujtojmë çdo herë si njërin nga ne, si mikun dhe shokun tonë me të cilët kemi ndarë momente të vështira, por edhe ditë të bukura. Si bashkudhëtar të një historie për të cilën ai pati fatin që të japë kontribut dhe të lërë emrin në një sërë veprash madhore, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe si ish-ministër i Brendshëm, në goditjen e grupeve të krimit të organizuar më të rrezikshme në Ballkan. I dha zemër dhe rini PD-së, forcë dhe energji për ta shtyrë atë drejt rezultateve më të mira.

Sot më shumë se gjithçka ka vlerë heshtja dhe lutja e secilit nga ne për Kolin. Është koha për të kujtuar një mik që ndahet nga ne papritur duke na lënë në befasi se nuk do e dëgjojmë më zërin e tij në Kuvendin e politikës, në debatet që e bëjnë më të shëndetshme demokracinë, por edhe në tryezat e kafenesë së mëngjesit apo në takimet spontane në rrugët e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe të gjithë vendit.

E tillë është jeta. Koli e jetoi me vrull. Vrapoi, nuk eci. Dhe shpejtësia ndonjëherë është edhe kapriçoze. Të ndal në mënyrë tragjike, ashtu sikurse bëri mbrëmë me Kolin. Iku ashtu sikurse ishte mësuar të ecte, duke vrapuar, vetëm se kësaj radhe për të shkuar në një jetë tjetër, për të cilën i lutemi Zotit, që ta vendosë në anën e të mirëve. 

I gjendemi pranë familjes së tij në këto momente të vështira dhe lusim Zotim t’i japë forcë që të kalojë këtë ditë të vështirë.

Mesazhe ngushëllimi

Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët e ish-ministrit.

“Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në “Facebook” deputetja demokrate Mesila Doda.

“U prehtë në paqe Sokol Olldashi”, është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe.

 “Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij, që të prehet në paqe dhe për familjen, që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”, Gerti Bogdani.

Majlinda Bregu: Lamtumirë Koli, miku im i mire. Paç paqe në atë botë më shumë se trazirat e kësaj që le

Eduard Halimi: Lamtumirë i dashur miku im.

Shpëtim Idrizi: U prehtë në paqe Koli, Zoti ia lehtësoftë humbjen e dhimbjen familjes dhe miqve!

Kastriot Islami: I dashur Koli! Sonte morëm vesh një lajm tronditës deri në fund të pabesueshëm. Një ngjarje e rëndë për familjen e të afërmit, miqtë, kolegët, të gjithë ne… Uroj të prehesh i qetë. Zoti i dhëntë forcë familjes!

Shegushe Ligori: Kam biseduar me të kur ishte ministër i Transporteve për punimet në rrugën që i mori jetën! Fliste me shumë pasion për këtë investim! Madje edhe për ristrukturimin e rrugës së vjetër për ta bërë atë turistike… Ngushëllime familjes dhe të afërmve të deputetit e politikanit të karrierës, Sokol Olldashi!

Taulant Balla: Një lajm i hidhur në këtë mbrëmje për të gjithë ndarja nga jeta e kolegut tonë, Sokol Olldashi. U prefsh në paqe, Sokol!

Piro Lutaj: I trishtuar pa masë për aksidentin tragjik, i cili i mori jetën kolegut tim Sokol Olldashi, nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjarët e Sokolit, në mënyrë të veçantë bashkëshorten dhe 2 djemtë. U prehtë në paqe Sokoli i paharruar!

Rudina Seseri: Ngushëllime dhe keqardhje për Sokol Olldashin dhe familjen e tij në këtë mbrëmje të vështirë.

Andis Harasani: Refuzoj ta besoj lajmin për mikun tim, Sokol Olldashi!

Astrit Bushati: Humbëm një mik! Ndihem keq! Pushofsh në paqe, Kol!

Alfred Peza: E tmerrshme… E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot në 18:30 në barin e hotel “Rogner”

Politikanë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia gjithashtu kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e deputetit Sokol Olldashi.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti ka ngushëlluar familjen Olldashi për humbjen e më të shtrenjtit të tyre. Në një telegram ngushëllimi Ahmeti shkruan: “E nderuara familje Olldashi, lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Sokol Olldashi, e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejmë me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”,- shkruan në telegram ngushëllimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër edhe kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa ka dërguar një mesazh ngushëllimi. Ai shprehet se, Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit.

“Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha dhe Parlamentit shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë”, shkruan Isa Mustafa në mesazhin e tij ngushëllues.

 “Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lart kontributin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta, e Olldashit është e dhimbshme”, politikani kosovar Behgjet Pacolli.

Bashkia Tiranës ul flamujt në gjysmë shtizë

Bashkia e Tiranës ka vendosur që flamujt në kryeqytet të ulen në gjysmë shtizë gjatë kohës së homazheve për deputetin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.

Ngjarja

Deputeti i PD-së, ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është shuar në një aksident tragjik. Automjeti që ai drejtonte ka dalë nga rruga dhe deputeti demokrat, 41 vjeç, nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:20 minuta të mbrëmjes së të mërkurës në rrugën Tiranë-Elbasan, pranë zonës së njohur si “Lapidari” në Qafë-Kërrabë.

Automjeti, që drejtohej nga vetë deputeti, tip “Benz”, me targë AA 003 NH, ka dalë nga rruga, duke përfunduar disa metra në një humnerë, çka ka rezultuar fatale për jetën e 41-vjeçarit.

Në kilometrin e gjashtë të  autostradës Tiranë-Elbasan,  në një kthesë të saj për shkak të terrenit të lagësht, deputeti demokrat duket se ka humbur kontrollin e mjetit.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë parë se një makinë ka dalë nga rruga dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, ndërsa janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë deputetit Sokol Olldashi.

Policia dhe autoambulancat e zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje, por për shkak të pozicionit të makinës, terrenit të vështirë dhe shiut që binte vazhdimisht, trupi pajetë i deputetit demokrat është nxjerrë vetëm pas rreth dy orësh, pasi ndodhi aksidenti.

Burime të policisë bënë të ditur se automjeti ka pësuar disa rrotullime, madje identifikimi i viktimës është bërë nga dokumentet që mbante me vete.

Kuvendi shtyn seancën plenare

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se seanca plenare e parashikuar për sot do të shtyhet për javën e ardhshme, për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi.

Lajmin për mediat e bën të ditur zyra e shtypit të Kuvendit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama