Berisha Boll me Qemal Stafen e kemi tepruar

Berisha: Boll me Qemal Stafen, e kemi tepruar
Kryeministri prek për herë të parë këtë figurë historike në diskutimet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Sipas Berishës, është e tepërt që emrin e tij ta mbajë stadiumi, shkolla, por edhe një bulevard...

Kryeministri Sali Berisha preku për herë të parë një figurë të shquar historike në vend, atë të Qemal Stafës, në diskutimet që zhvilloi dje në Komitetin për 100-vjetorin e Pavarësisë. Teksa diskutoi për figurat e shquara shqiptare gjatë etapave të rëndësishme shqiptare, si shpallja e Pavarësisë dhe Çlirimi i vendit, Berisha theksoi se gjente një disbalancë të theksuar sa i përket përdorimit të emrave të tyre në objektet me rëndësi të veçantë të Shqipërisë. Për ta ilustruar këtë, Berisha la të theksohej se ishte e tepërt përdorimi i emrit të Qemal Stafës për stadiumin kryesor të vendit.

Ndonëse ai theksoi se Qemal Stafa ishte një figurë e shquar e historisë, përsëri Berisha deklaroi se kishte ardhur momenti që këto disbalanca në përdorimin e emrave të korrigjoheshin. “Unë e kuptoj dhe kam respektin më të madh për Qemal Stafën, por nuk mund të jem kurrë dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard të ketë vetëm emrin e tij.

Kjo zotërinj, është një disbalancë e madhe në histori. Se cila është merita për të pasur stadiumi emrin Qemal Stafa, i cili do të shndrisë gjithmonë në altarin e lirisë së kombit shqiptar, unë këtë e kam pasur të vështirë ta gjej”, deklaroi Berisha, duke ju kërkuar historianëve që të vepronin për të sheshuar këto disbalanca të shprehura në historinë e Shqipërisë dhe të pasqyruara dhe në emërimin e objekteve të rëndësisë të veçantë.

Kjo është hera e parë që kreu i qeverisë e lidh emrin e Qemal Stafës me kritika, nisur me faktin se ndër vite, kjo figurë e shquar që ka rënë në Luftën Nacional Çlirimtare, ka gëzuar në mënyrë të barabartë respektin e të majtëve dhe të djathtëve në vend. Madje organi zyrtar i shtypit të PD-së, “Rilindja Demokratike” ka hedhur dyshime të forta se eliminimi fizik i Qemal Stafës ka ardhur nga vetë Enver Hoxha.

Po kështu, persekutimi që Hoxha i bëri figurës së Drita Kosturit, ish së fejuarës së Stafës, ka bërë që e djathta në vend të shtojë argumentet në favor të Stafës. Në këtë kuadër, Berisha kërkoi të rivlerësoheshin dhe shumë figura të tjera, të cilat, për shkaqe politike, ishin zbehur gjatë rrugës për në 100-vjetorin e Pavarësisë. “Luigj Bumçi meriton të gjitha nderimet, Jak Serreqi meriton nderime të mëdha, Dom Nikollë Kaçorri ka një bust në Durrës, por edhe më shumë të nderohet, p.sh. me një shkollë, me një rrugë. Ka personalitete, të cilat, në mënyrën më të pamerituar janë ndryrë në banesën e harresës si Ndoc Çoba, Mitat Frashëri.

Duhet të përpiqemi që ata të zënë vendet e tyre të nderuara”, deklaroi Berisha, duke mos dashur ta konsiderojë këtë si një panair lavdie, por si nevojë për të vendosur në vend disa të vërteta historike. Dje Berisha kërkoi që të përfshihej në historinë e vendit dhe kontributi i madh që ka pasur Britania e Madhe gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. “Në qoftë se Çërçilli dërgoi në shtabin e Titos djalin e tij, në Shqipëri erdhi gjithashtu një elitë e trupave SOE (trupat speciale të operacioneve ekzekutive), personalitete të jashtëzakonshme që do të bëheshin më vonë 7 herë ministra në qeverinë britanike si: Julian Amery, David Smiley, Dayrell Oakley-Hill, Billy McLean, e shumë e shumë të tjerë”, kujtoi Berisha, duke kërkuar vënien në dukje të kësaj pjese të historisë.

Dom Nikollë Kaçorri

“Dom Nikollë Kaçorri ka një bust në Durrës, por edhe më shumë të nderohet, p.sh. me një shkollë, me një rrugë. Ka personalitete, të cilat, në mënyrën më të pamerituar janë ndryrë në banesën e harresës si Ndoc Çoba, Mitat Frashëri”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama