Ish kryeministri Sali Berisha, akuzoi sot kryeministrin, Edi Rama për rrëmbimin e të dhënave nga Drejtoria e Tatimeve. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha shoqërohej edhe nga shtetasi Renald Riska, me detyrë drejtori i sektorit IT në Drejtorinë e Tatimeve, i cili u arrestua dhe u lirua pak ditë më parë nga policia me akuzën “shpërdorim detyre”, pasi janë fshirë nga serveri i këtij institucioni informacionet e 4 viteve të fundit në lidhje me bizneset.
“I vëllai i ministrit Gjiknuri ka shfrytëzuar njohuritë e tij të IT-së për të penetruar në sistem pa autorizimin e askujt. Ky zotëria ka penetruar në sistem, në thyerje të çdo ligji, çfarë ka vjedhur dhe çfarë ka bërë? Një gjë është e sigurtë ky ka dhunuar çdo ligj të këtij vendi. Këshilltari tjetër është një hakers që thonë se ka ndjekje ndërkombëtare për të. Çfarë ka bërë, s’ka pranuar të firmosë, nëse të tjerët kanë firmosur, ky e ka ditur se firma i kushton dhe ka drejtuar të gjithë operacionin pa vendosur firmën. Nga një check-up që unë bëj ai nuk ekziston as në list- pagesat e kryeministrit. Këtë këshilltar IT-je, Rama e përdor për të kontrolluar e-mailet e punonjësve. Janë prekur ose jo të dhënat? Kanë zhdukur 4.3 milionë deklarata fiskale.”-theksoi Berisha.
Sipas Berishës, janë lëvizur data dhe me këtë akt janë vendosur në kushte gjobe, qindra e mijëra biznese ndër të cilat ambasada të vendeve mike, dhe një seri biznesmenesh që s’kishin asnjë detyrim gjobe. Ish kryeministri tha se do t’i kërkojë kolegëve deputetë që të mbledhin firmat për ngritjen e një komision hetimor parlamentar për këtë skandal, vjedhje masive, të të gjitha të dhënave të financave shqiptare.
Vetë Renald Riska shprehet se janë kopjuar të dhënat dhe janë nxjerrë jashtë administratës.
“Që nga dita e premte dhe deri të dielën punuan ditën e natën për të marrë këto të dhëna. Ditën e hënë, nga stafi i brendshëm i administratës u bënë disa ndryshime në sisteme.”- tha ai, i cili shtoi se, tashme eshte i pezulluar nga detyra me urdher te Drejtoreshes se Pergjithshme te Tatimeve, Briseida Shehaj.
Ndërkaq burime të konfirmuara për gazetën “Panorama” thanë pak ditë më parë se; “Pasi është informuar nga punonjës të drejtorisë për anomalinë e ndodhur, drejtoresha e Tatimeve ka shkuar në zyrën e shefit të IT. Aty ajo ka gjetur shtetasin Renald Riska së bashku me dy persona të tjerë duke kryer veprime në kompjutera. Sipas tyre, shefi i IT në Tatime, pasi kishte mësuar fshirjen e të dhënave nga sistemi, kishte thirrur dy specialistë të sektorit dhe kishte nisur punën në kompjutera për të mësuar çfarë kishte ndodhur.
Në këtë kohë, në zyrën e tij ka mbërritur drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, e cila pasi i ka gjetur punonjësit duke kryer veprime në kompjutera, ka dalë jashtë zyrës së saj dhe menjëherë ka lajmëruar Sallën Operative të Policisë së Tiranës. Pa kaluar 25 minuta, shërbimet e rendit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë vënë në pranga “në flagrancë” drejtorin e IT në Tatime, te cilin e liruan me pas, pasi arrestimi i tij u shpall i paligjshem.