Berisha Fond per Sheshin e Flamurit ne Vlore

Berisha: Fond per Sheshin e Flamurit ne Vlore
Qeveria do të akordojë një fond në ndihmë të Bashkisë së Vlorës për rikonceptimin e Sheshit të Flamurit. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha ka përgëzuar kryetarin e Bashkisë së Vlorës për këtë projekt, duke ftuar edhe autoritetet e tjera vendore të kontribuojnë që, në kuadrin e festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë, të evidentojnë dhe nderojnë figurat dhe ngjarjet e shënuara të një shekulli histori. Në fakt, përshtypja e deritanishme është që 100-vjetori i Pavarësisë do të festohet i ndarë mes Vlorës dhe Tiranës.

Kjo për arsyen e thjeshtë se Bashkia e Vlorës ka menduar një kalendar programesh që deri më sot nuk ishin futur në listën e mbështetjes nga ana e qeverisë, e nga ana tjetër, qeverisja vendore po mundohet të mbyllë listën e aktiviteteve që do t’i kushtohen muajit nëntor. “Në të gjitha zonat, rrethet e vendit ka personalitete të mëdha, ka kontribute të mëdha, ka përpjekje të mëdha në këto 100 vite, ndaj le t’u shprehim atyre nderimin tonë më të thellë. Unë gjykoj se autoritetet lokale kanë një rol të pazëvendësueshëm”, u shpreh kryeministri.

Teksa ka komunikuar bashkëfinancimin e projektit për rikonceptimin e Sheshit të Flamurit, Kryeministri Berisha nuk ka ngurruar të theksojë se 100-vjetori i pavarësisë do të jetë një festë mbarëkombëtare. “100-vjetorin, ne e kemi parashikuar ashtu siç është, një festë mbarëkombëtare dhe një mundësi kontributi të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, që ta festojmë në mënyrën më dinjitoze.

Natyrisht, ky është një shembull i zotit Gjika, i cili ka marrë një iniciativë pozitive. Ka edhe iniciativa të tjera që do të studiohen. Komisioni Qendror është marrë me një problematikë të cilën e ka vlerësuar si më kryesore, ai nuk mundet të ezaurojë të gjithë çështjet që duhen evidentuar. Komisioni Qendror është marrë me disa aspekte të injoruara të historisë së vendit dhe jo për të ngjallur debate e kundërshti”, ka theksuar Berisha.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama