Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka quajtur historike në jetën shpirtërore të kombit shqiptar shenjtërimin e katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Ai ka thënë se e dënon deklaratën e Irinejt, sish e quan “këtij armiku të egër të shqiptarëve që nuk duhej të ftohej kurrsesi në Tiranë, ashtu dhe aktet provokuese të ulëta të suitës së huliganeve serbë që e shoqëronin atë”.
“Por këto akte nuk duhet të zbehin apo të përbaltin rëndësinë historike që ka për kishën tonë ortodokse autoqefale shenjtërimi i katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook”.
Deputeti i Partisë Demokratike, ka thënë se “ultranacionalisti Irinej, që ka duar dhe shpirt të lyer me gjak shqiptarësh, i cili kurrsesi nuk duhej ftuar, me deklaratat e tij, dhe huliganët që e shoqëronin me aktet e tyre, dëshmuan se kanë ardhur me qëllim pikërisht ta shndërrojnë këtë akt të madhërueshëm hyjnor në një akt sherri të turpshëm”.
“Duke dënuar me ashpërsi deklaratën e kryepeshkopit Irinei, ftesën e tij në këtë ngjarje të shenjtë për shqiptarët si dhe rrugaçërinë e suitës se tij, shpreh dhe një herë urimin tim me te përzemërt për të gjithë besimtaret ortodoks shqiptare për këtë ngjarje te madhe ne historinë shpirtërore të kombit tonë. Mesa duket Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun të vizitës së tij në Beograd, 5 herë të shtyrë deri tani nga pala serbe”, ka shkruar Berisha, transmeton koha.net, teksa ka ftuar miqtë e tij që të mos konfondojnë aktet primitive të Kryepeshkopit Irinej dhe huliganëve që e shoqëronin me aktin e madhërishëm e hyjnor të shenjtrimit të katedrales "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, një akt historik për Shqipërinë dhe shqiptarët.