Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi pasardhësin e tij Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta se kanë komplekse primitive ndaj Beogradit. Deputet i Partisë Demokratike, Berisha, përkrah marrëdhëniet Tiranë-Beograd. Zoti Berisha, i cili doli përpara gazetarëve në zyrën e tij, tha se arsyetimi është marrëveshja Kosovë-Serbi:
“Jam sepse marrëveshja e Brukselit është historike me një rëndësi kapitale për paqen dhe stabilitetin. Mbi bazën e saj duhet të hapet një kapitull i ri midis shqiptarëve dhe serbëve”.
Deputeti theksoi se kryeministri rama gaboi kur ftoi patriarkun e Serbisë, Irinej, ndërsa nuk la pa ia kujtuar që si kryebashkiak i Tiranës nderoi këngëtarin Goran Bregoviç:
“Rama në këto çështje është dizastër, është konfuz! Ftoi Irinejin, që duart e shipirtin i ka të lyer me gjak shqiptari duke besuar “t’ia bëjë vaj” klimën në Beograd. Rama, i cili i ka vendosur në gjoks
Çelësin e Artë të Tiranës, hymnizuesit të masakrave mbi shqiptarët në Kosovë, ka kompleks ekstrem inferioriteti ndaj Beogradit”.
Deputeti Berisha tregoi habi për kryekuvendarin Meta, që si ish-ministër i Jashtëm dhe zëvendës i tij në qeveri vizitoi Serbinë::
“S’mund ta imagjinoni gëzimin e jashtëzakonshëm të Ilir Metës kur do të shkonte në Beograd! Sikur po shkonte në qiell, në hënë”!
Duke thënë për kryekuvendarin dhe kryeministrin “këta kanë komplekse”, zoti Berisha iu referua gjithashtu aleancës si ish-opozitë që lidhën në Shkodër në prani të serbëve një vit më parë:
“Përse e kanë këtë?! Edhe aleancën në Shkodër me Oliverin e bënë! Jovanoviçin e bënë! Aty ishin përfaqësuesit e lobeve më të egra serbe”!
Ish-kryeministri kritikoi sakaq zotin Rama që nuk dërgoi as mesazh dhe as ndihmë për Serbinë kur u përfshi nga përmbytjet që shkaktuan disa viktima.
“Pse nuk çoi mesazh? Nga komplekset! pati frikë dhe shumë gabim, sepse absolutisht duhet të çonte ndihmë! Padiskutim! Nga njera anë katër herë me radhë nisesh të shjkosh dhe dështon dhe nga ana tjetër kur ata patën një fatekqësi më të madhe, një përmbytje nga më të mëdhatë, rri sikur nuk je! Kjo nuk shkon”!