Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me protestën e shoferëve të furgonëve 8+1 në kryeqytet. Sipas tij kjo protestë është pritur me dhunë dhe shkopinj gome nga policia ndaj protestuesve paqësorë. “Dhunë dhe shkopinj gome ndaj protestuesve paqësorë. Policia bllokon të gjitha hyrjet e Tiranës. Protesta paqësore e shoferëve të furgonave pritet me dhunë, bllokim, shkopinj gome nga Policia e klikës Rama – Meta në të gjitha hyrjet e Tiranës. Kështu, Edvin Kristaq Rama, njeriu që protestoi në tetë vite 1753 herë në mbarë vendin, sot i tmerruar nga protestuesit që luftojnë për kafshatën e fëmijëve të tyre, përdori dhunë e terror ndaj tyre në mënyrë që të mos i lejonte të arrinin në sheshin para Kryeministrisë.” Kështu shkruan Berisha në faqen e tij në facebook ndërsa akuzon kryeministri Rama për përdorimin e dhunës duke e cilësuar “burracak”.
“Burracaku, që nga njëra anë preu kangjellat e Kryeministrisë ndërsa nga ana tjetër i tmerruar dhunon protestuesit paqësorë, deshmon se po perjeton tronditje te madhe psiqike.”- shkruan Berisha.
Ai më tej bën thirrje qytetarëve që ti bashkohen protestës së shoferëve të furgonave. “Të dashur miq, le të shprehim ne solidaritetin tonë të plotë ndaj 20 mijë familjeve shqiptare që dyshja Rama – Meta u pret bukën e gojës sepse duan të vendosin monopolet e tyre në transportin e pasagjereve dhe të fitojnë së paku 30 milion dollarë rryshfet për licensat e reja të taksive apo 1500 euro për çdo licensë që do të leshojnë pas anullimit të licensave të ligjshme. Qytetar dhe qytetare, ju bej thirrje të bashkohemi me këtë protestë, e cila është protesta për kafshatën e gojës kundër babezisë së kleptokratëve në pushtet. Protestuesit do fitojnë! Mbështetja jonë është jetike për fitoren e tyre!”- shkruan Berisha në ‘Facebook’