Menjëherë pas përjashtimit nga Kuvendi për 10 ditë, pas sharjeve dhe ofendimeve për bashkëshorten e Veliajt, Berisha doli në deklaratë për shtypin dhe tha se sharjet ndaj dy femrave (Kumbaros dhe Xoxes) i ka bërë Rama, dhe se unë ja plasa në fytyrë kryeministrit.
“Sapo u thanë disa të vërteta, u hoqën si më të kulluarit, më lejoni të bëj një sqarim. Katër muaj më parë në rast se riktheheni në arkivat tuaja , do gjeni një deklaratë timen ku them: Edi Rama mos shaj njerëzit se unë do t’i kthej në fytyrë, në surrat të gjitha sharjet që ti do të bësh për cilindo shqiptar. Kurrë nuk të është dhënë pushteti që të fyesh dinjitetin e tjetrit. Ti je kryeministër. Edhe po të shanë do durosh, por pushtetin nuk mund ta përdorësh për të sharë të tjerët. Konsekuent me këtë deklaratë, ja kam kthyer atë që qytetarët s’kanë mundur ta bëjnë. Do t’ja kthej fytyrës së tij sa herë ai do të veprojë në këtë mënyrë”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se rasti i sotëm ishte një nga më dramatikët dhe se i referohet një darke, gjatë së cilës kryeministri Rama u konfliktua me Adi Krastën. Sipas Berishës, dy femrat prezente, Mirela Kumbaro dhe Arjola Xoxe, u munduan të qetësonin situatën, por kryeministri i ofendoi të dyja
“Unë i them Ramës së këto do t’i mbash të gjitha për vete, nuk duhet të ketë një ofendim të tillë ndaj një nëne, një femre, një vajze”, tha Berisha.