Portieri i përfaqësueses shqiptare, Etrit Berisha, është i bindur se mungesa e emocioneve të fillimit e ka bërë më të thjeshtë detyrën e kombëtares ndaj Rumanisë, ndonëse ishte një ndeshje shumë e komplikuar.
"Me siguri që e dinim që do të ishte e vështirë për ne, por këtë ndeshje ishim më të lirshëm për shkak të euforisë së fillimit të turneut që nuk e kishim më . Mendoj se që në fillim të ndeshjes u ndjemë mirë dhe mendonim vetëm fitoren", tha ai .
"Ekipi luajti perfekt edhe në ndeshje të tjera. Kemi bërë ndeshje të mira. Jemi duke u rritur si skuadër dhe loja e tregoi atë . Jemi mjaft të mirë dhe shpresojmë të kualifikohemi dhe të arrijmë më shumë, që të shprehim përsëri vlerat tona", theksoi portieri i kuqezinjve, i cili është treguar shumë më i vëmendshëm që nga ndeshja e parë ndaj Zvicrës.
"Atë moment të ndeshjes së parë e kam kaluar prej kohësh. Gabimet i bëjnë të gjithë. Por që pas atij momenti mendoj se kam bërë ndeshje të mira dhe shpresoja që të arrinim rezultat. Kjo ishte një ndeshje e mirë pasi nuk pësuam gol. Ky ishte çelësi i fitores. Shpresoj të kalojmë grupin dhe kjo do të na japë energji për të bërë surpriza të tjera", premtoi ai.