Në një bashkëbisedim me gazetarët, ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se ka “dorë” në urdhrin e Prokurorisë së Përgjithshme për sekuestrimin e aksioneve të televizionit “Agon Channel” dhe urdhrin e arrestit për pronarin italian Françesko Beketi, i cili akuzohet për pastrim parash.
Berisha e cilësoi një çmenduri sekuestrimin e një medieje të pavarur dhe më pas vazhdoi me akuzat ndaj Ramës në lidhje me arrestimin e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani: “Rama është i verbër, ishte ai që arrestoi Fullanin dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën. Arrestimi i Fullanit është një rast i paprecedent në botë. Fullani është gjykuar me tendenciozitet, – tha Berisha, i cili foli edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë për dënimin me gjobë ndaj deputetëve të PD-së, Paloka e Ristani për shpifje ndaj Ramës. – Vendimi i Gjykatës së Lartë është i paprecedent. Vendimi i gjykatësve ka qenë nën presionin e tmerrshëm të Ramës. Gjykata evropiane nuk e ka penalizuar asnjëherë shpifjen”.
Më tej Berisha tha se “këto janë zgjedhjet lokale më të implikuara dhe të manipuluara që kanë ndodhur ndonjëherë, që me kërcënimin e kreut të opozitës, deri te përpjekja për të blerë votën e lirë të qytetarëve”.