Berisha deshmon per Doshin Me Saimir Tahirin ne krye hetimet te pamundura

Berisha deshmon per 'Doshin': Me Saimir Tahirin ne krye, hetimet te pamundura

Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë në politikë, ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur në Prokurori pas thirrjes për të dhënë dëshminë e tij lidhur me çështjen ‘Doshi’, duke qenë se në bazë të deklarimeve të tij në Kuvend, Berisha pranonte se ai prej disa muajsh e dinte planin e vrasjes së deputetit Tom Doshi.

Berisha ka qëndruar afërisht 1 orë në Prokurori, ndërsa duke folur për mediat pas dhënies së dëshmisë së tij, Berisha, duke preferuar të mos japë asnjë detaj lidhur me atë çka kishte thënë në prokurori, u shpreh se skenari i vrasjes së dy deputetëve ka qëllime të mirëfillta politike, në mënyrë që kryeministri Rama të shpëtohet sipas tij nga kundërshtari politik, Tom Doshi.

“E prita ftesën me kënaqësinë që të mund të kontribuoj sado pak për këtë çështje. Natyrisht, ato që thashë përbëjnë sekret deri në momentin që prokuroria i nxjerr nga klasifikimi. Por është tronditës fakti që këtë skenar ogurzi Rama, Meta dhe Tahiri e mbajtën për 6 muaj, njëlloj si në shpellën e mafies, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzouan para ligjit dhe për ligjin”, tha Berisha.

Sipas Berishës, lënia e hetimeve në dorë të Sajmir Tahirit nuk synon gjë tjetër veçse bllokim të tyre përmes eliminimit të dëshmitarëve, siç u tentua me presonin që u porosit për vrasjen, të cilit sipas ish-kryeministrit iu bë dy herë atentat për t’i mbyllur gojën.

“Kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të çështjes për 6 muaj dhe kur kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe ministri i Brendshëm janë në bllok, nuk ka vend në botë ku prokurori mund të hetojë një çështje të tillë”, ka thënë Berisha.

 

Ndërkohë, në orën 11:00 pritet në Prokurori deputeti demokrat Mhill Fufi, ndërsa në orën 12:00 pritet përballja mes Tom Doshit dhe Mark Frrokut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama