Berisha i trembet hetimeve per paktin detar me Greqine

Berisha i trembet hetimeve per paktin detar me Greqine

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me kërkesën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të hapë hetimet në lidhje me negociatat për paktin detar me shtetin fqinj, Greqinë. Berisha i ka cilësuar deklaratat e Bushatit si sulmin e radhës që po i bëhet opozitës, konkretisht liderit të saj. Sipas Berishës kjo qeveri nuk do të jetë e aftë të zgjidhë problemin e paktit detar me Greqinë. “Kam marrë vesh se Edvin Kristaq Rama ka paditur kryetarin e opozitës Lulzim Basha për paktin detar, kjo është përpjekja e fundit e Spiro Kolekës për të goditur opozitën shqiptare. Qeveria aktuale ka shpallur si platformë të politikës së saj të jashtme zero problem me fqinjët, e imagjinoni ju se ç’zgjedhje mund të japë një qeveri e tillë, më së paku zero zgjidhje për të gjitha problemet. Kreu i opozitës po bën të gjitha detyrat e tij në përputhje me ligjet, problem i madh në këtë vend është qeveria”, tha ish-kryeministri Berisha.

Ai vazhdoi me tej me akuzat ndaj ministrit të Jashtëm të vendit. “Bushati ka vetëm një hall të çojë ambasadorë të gjithë sojë e sorollopin e Sul Bushatit. Problemi i tij është se si të bëjë, si të çojë në kryeqytetet e Perëndimit gjithë familjarët dhe akrabanë e Sul Bushatit.  Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati para 10 ditësh i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë në lidhje e firmëtarët e paktit detar me Greqinë. Sipas ministrit, Prokuroria e Përgjithshme ka vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe praktikën e të drejtës ndërkombëtare, dokumente këto mbi bazën e të cilave mund të hetojë ndërkohë që vetë ministria po bën një hetim mbi të gjitha procedurat administrative të ndjekura në këtë rast.

 

Ministri Bushati deklaroi se ndërhyrja politike në diplomaci në disa raste ka cenuar mbrojtjen e interesit kombëtar dhe ka krijuar situata aspak të pëlqyeshme, me partnerët ndërkombëtarë dhe ata strategjikë në rajon. Rasti konkret është marrëveshja e detit me Greqinë në kohën që diplomacia shqiptare drejtohej nga Lulzim Basha. Ministria e Punëve të Jashtme ka ngritur një grup pune për të shqyrtuar gjithë aspektet administrative për këtë negocim në bazë dhe zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama