Berisha mbush 68 vjec Tri deshirat e mia

Berisha mbush 68 vjec: Tri deshirat e mia
Kryeministri Sali Berisha ka festuar dje me administratën e Këshillit të Ministrave dhe më pas me Grupin Parlamentar ditëlindjen e 68-të. Kreu i qeverisë ka marrë disa buqeta me lule në këtë ditëlindje, ku më e madhja duket se ishte ajo e deputetes Albana Vokshi. Në takimin me deputetët, ai rrëfeu edhe 3 dëshirat që i kërkoi Zotit t’i plotësonte. “Ditëlindja e ka edhe momentin e misterit të saj. Sado që gjithçka është në dritë, prapë një vegim vjen, del dhe misteri. Unë dua t’ju rrëfej ju se, në momentin e misterit u pyeta, të shpreh tri dëshira, dy i pata në gojë. Çfarë kërkova unë? Dy gjysma të tjera të viteve dhe mandateve.

E treta më pyeti. Ma lejo për vitin tjetër dhe u pranua. Pra, nuk besoj se isha shumë lakmitar në kërkesat e mia, thjesht dy gjysma që më kanë mbetur. Viti mbrapa ne përpjetë”, u shpreh Berisha. Ai tha se e para që i ka uruar ditëlindjen ishte mbesa Sara me një mesazh në orën 12:00 të natës së datës 15 tetor. Kreu i ekzekutivit mori një urim edhe nga gratë gjatë konferencës rajonale “Kontributi i grave sipërmarrëse shqiptare në ekonomi”. Në të njëjtën kohë, edhe kryetari i PS-së Edi Rama uroi dje Kryeministrin për ditëlindjen, por nuk la pa e ironizuar atë.

“Sot Saliu tha se me rastin e ditëlindjes kishte pasur komunikim drejtpërdrejt me Zotin, por nuk e sqaroi kush kishte marrë kë, Saliu atë apo Zoti Saliun, por tha se e kishte mbyllur punën e mandatit tjetër. Unë dëshiroj t’ia uroj ditëlindjen, sepse besoj që duhet ta ketë jetën e gjatë për të parë sa dëm ka bërë këto vite, por edhe se sa e mundur është qeveria europiane që ia ka mohuar prej vitesh”,- deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në Forumin e gruas socialiste.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama