Berisha rremben kupolen e PD-se

Berisha rremben kupolen e PD-se

Partia Demokratike zgjodhi dje strukturat drejtuese të saj. Votimi i djeshëm i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së ka nxjerrë fitues për postin e sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Arben Ristanin. Emri për të cilin, është mësuar që kryetari Basha ka lobuar fort, ka marrë 101 vota kundrejt 85 votave që mori Enkelejd Aliberaj dhe 76 votave që mori Eduart Selami. Burime nga PD-ja pohojnë për “Shekullin” se pavarësisht se zyrtarizimi është bërë vetëm dje me votë, dy kandidatët humbës tashmë, e dinin se fituesi do të ishte i zgjedhuri i kryetarit Basha. Me votim të fshehtë janë zgjedhur dhe drejtuesit për 22 departamentet dhe 6 sekretariatet e partisë. Ndërkohë që ky proces u parapri nga votëbesimi i hapur për dy nënkryetarët e partisë, Edi Palokën dhe Edmond Spahon. Ish-numri dy i PD-së, Jozefina Topalli ka preferuar mos komentojë listën surprizë të kandidatëve ndërsa ka marrë pjesë e fundit në procesin e votimit, së bashku me përfaqësuesit e tjerë shkodranë të Këshillit Kombëtar të PD-së. E ndërsa Jemin Gjana që ishte anëtar i komisionit të votimit, i pyetur se kur do të niste procesi i numërimit u përgjigj, “pse do të numërohen?”. Gjithë ky proces ka lënë jashtë kryesisë demokrate Sali Berishën, Jozefina Topallin apo dhe Astrit Patozin.

Sekretari i Përgjithshëm

Arben Ristani është zgjedhur tashmë sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, duke zëvendësuar kështu Ridvan Boden, i cili e ka mbajtur këtë post që nga viti 1997 e deri më tani. Me votim të fshehtë, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i ka dhënë Arben Ristanit 101 vota, duke lenë kështu pas dy kandidatët e tjerë, Enkelejd Alibeajn, i cili mori vetëm 85 vota dhe Eduard Salamin, i cili mblodhi vetëm 76 vota. Në votim nga 279 anëtarë që numëron Këshilli morën pjesë vetëm 266, nga ku 3 fletë ishin të pavlefshme, ndërsa 1 fletë mungonte. Arben Ristani ka mbajtur postin e kryetarit të KQZ-së në zgjedhjet e majit 2011, e më pas nga viti 2012-2013 ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Brendshëm. Menjëherë pasi emri i Arben Ristanit u bë i ditur si fitues për postin e sekretarit të Përgjithshëm, kreu i PD-së, Lulzim Basha nëpërmjet një komenti në rrjetin social “Facebook” e cilësoi këtë garë, tepër të fortë, por edhe të bukur. Sipas tij, procesi i votimit ishte transparent dhe demokratik. “Garë e fortë dhe e bukur mes tre kandidatëve për sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Të tre personalitete me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin. Urimet e mia të përzemërta Arben Ristanit, sekretarit të ri të Përgjithshëm të Partisë Demokratike! Urime edhe Enkelejd Alibeajt dhe Eduard Selamit për performancën dinjitoze! Proces transparent dhe festë demokracie”, - shkruan kryedemokrati. E ndërsa me propozim të kryedemokratit Basha, dy nënkryetarët e partisë janë zgjedhur me votim të hapur edhe pse statuti parashikon të njëjtën procedurë si për departamentet dhe sekretarët. Këshilli ka dhënë votëbesimin për Edi Palokën dhe Edmond Spahon.

Kryesia e PD-së

Zgjedhja e të gjitha strukturave drejtuese në selinë blu ka lënë përfundimisht jashtë kryesisë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-nënkryetarët e partisë Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi. Jashtë kryesisë ka mbetur dhe Eduard Selami, i cili doli humbës dje në garën për sekretar të Përgjithshëm. Ky përjashtim ka ardhur për faktin se drejtuesit e vjetër demokratë nuk kanë garuar për asnjë nga 22 departamentet e krijuar rishtas në selinë blu, por as për 6 sekretariatet. Fakti që asnjëri prej tyre nuk është as nënkryetar partie, kryetar apo nënkryetar i Grupit Parlamentar apo kryetar apo nënkryetar në komisionet parlamentare bën që ata të jenë kategorikisht jashtë kryesisë së re. Kryesia e re e PD-së do të ketë në përbërje të saj kryesinë e Grupit Parlamentar, sekretarin e Përgjithshëm, kryetarët e komisioneve parlamentare apo nënkryetarët e tyre, drejtuesit e departamenteve si dhe sekretariatin. Nga ky konfigurim, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së Ridvan Bode do të vijojë të jetë pjesë e kryesisë për shkak të pozicionit të tij si nënkryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë. Po kështu Genc Pollo, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Flamur Noka, Albana Vokshi apo Oerd Bylykbashi do të jenë pjesë e kryesisë. Ndërsa ish-ministri Genc Ruli për shkak të dorëheqjes që ka paraqitur si nënkryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese nuk do të jetë pjesë e kryesisë së PD-së.

Statuti

Kryesia e re e Partisë Demokratike

Neni 39

Kryesia e partisë përbëhet nga:

a) Kryetari i partisë;
b) Nënkryetarët e partisë,
c) Sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve dhe sekretarët funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
d) Kryesia e Grupit parlamentar, ku përfshihen kryetari, nënkryetari, sekretari dhe zëdhënësi.
e) Kryetari apo nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit parlamentar të PD-së
f) Kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare që i përkasin Grupit parlamentar të PD-së;
g) Kryetarët e organizatave partnere.

Ristani: Falënderoj Berishën që më bëri pjesë të politikës

Fituesi me 101 vota, Arben Ristani, në prononcimin e parë pas zgjedhjes u shpreh se kjo ishte “Një garë e lirë midis njerëzish me kontribute dhe figura të çmuara të Partisë Demokratike”. E ndërsa radhën e falënderimeve nuk e nisi me krydemokratin Lulzim Basha i cili loboi fort për zgjedhjen e tij, por me ish-kryeministrin Sali Berisha. “Falënderim i madh për ata që më votuan, por një falënderim i veçantë për zotin Berisha që më bëri pjesë të politikës të Partisë Demokratike dhe për zotin Basha që më bëri pjesë të garës për një post kaq të rëndësishëm”- tha Ristani, sekretari i ri i Përgjithshëm i selisë blu. Emri i preferuar i Bashës ka mundur kështu ti japë fund epokës “Bode” në postin e sekretarit të Përgjithshëm. Ridvan Bode e mbajti këtë post për 4 herë radhazi por tashmë nuk i mbetet asnjë pozicion i rëndësishëm në parti ndërkohë që mban postin e nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë. 

Basha: PD-ja nuk është tjetërsuar, është ripërtërirë

Partia Demokratike nuk është tjetërsuar por është ripërtërirë. Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Luzim Basha e bërë dje para procesit të votimit për strukturat drejtuese të selisë blu, duket se ka qenë një përgjigje për çdo akuzë të ngritur për përjashtimin e figurave të vjetra të selisë blu. Sipas kryedemokratit fituesit kanë dalë nga vota e lirë e Kuvendit të PD-së. “Partia ka bërë analiza, por nuk ka bërë harakiri. Partia është përtërirë, por nuk është tjetërsuar. Një plejadë drejtuesish të rinj në mbarë vendin janë zgjedhur me vote të lirë. Anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, që nuk janë deputetë, apo drejtues të degëve, janë zgjedhur me votë të lirë nga Kuvendi më i madh në historinë e PD-së dhe çdo partie tjetër shqiptare. Sekretarët dhe krerët e departamenteve do të zgjidhen sot me votë nga Këshilli Kombëtar”, - deklaroi ai. Basha ka shtuar se drejtuesit e strukturave qendrore të partisë do të punojë çdo ditë, nonstop, për të intensifikuar e fuqizuar aksionin politik opozitar të partisë, për të çuar përpara nisjen e re por edhe për të përgatitur programin e detajuar politik, ekonomik, që do të jetë alternativa e re për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Programet janë gjysma e punës. Njerëzit që angazhohen për hartimin dhe zbatimin e tyre janë pjesa tjetër. Një parti politike, sidomos kur është në opozitë, merr tiparet e përkushtimit të drejtuesve, të ekipeve, të gjithë atyre që drejtojnë”, - tha ai.

Kreu i selisë blu garantoi se gara e zhvilluar dje ishte mes më të mirëve. “Kur ka kaq shumë aplikantë cilësorë është e lehtë, por edhe e vështirë një- kohësisht për të përzgjedhur ata që do ta vazhdojnë garën. Nuk ka dyshim se duke marrë gjithsecili prej të zgjedhurve të rinj përgjegjësitë e veta, brenda përgjegjësisë së përbashkët, dhe duke punuar e jetuar politikisht në frymën e solidaritetit dhe kolegjialitetit bashkëkohor, Partisë Demokratike do t’i shtohen forcat, do të jetë shumë më efikase dhe kjo do të fillojë të ndihet menjëherë”, - deklaroi ai. Kryedemokrati ka vlerësuar më tej anëtarësimet e reja në PD ndërsa shtoi se detyrë e dorës së parë e gjithë të zgjedhurve, e drejtuesve të çdo niveli, e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbetet përtëritja e cila duhet të vazhdojë. “Hapja si mendësi duhet t’u dëshmohet jo vetëm atyre që duan të anëtarësohen në Partinë Demokratike, por mbarë simpatizantëve, qytetarëve, intelektualëve, shoqërisë në tërësi”, - u shpreh Basha.

Kryetari i selisë blu nuk la jashtë vëmendjes aksionet opozitave gjatë kësaj kohëve të cilat kulmuan me protestën e 22 nëntorit. “Me shurdhërinë, verbërinë dhe kryeneçësinë tipike të dy oligarkëve të regjur, Rama dhe Meta, u injorua zëri i protestës, zëri i qytetarëve, kërkesat e tyre. Injoruan paralajmërimet dhe argumentet e opozitës se me paketën e tyre të re fiskale dhe me buxhetin e ri të vitit 2015, ekonomia do të rrokulliset në një recesion edhe me të thellë, me pasoja të rënda për sipërmarrjen e ndershme, për familjet dhe individët pa dallim. Injoruan pa asnjë argument profesional, por vetëm me të folurën në delir të kryeministrit, 31 propozimet e opozitës. Ndaj sot marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ringritjes së vendit dhe të ekonomisë”, - deklaroi Basha. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama