Fat për shqiptarët, ndoshta, ishte prezenca për herë të parë në stadium e Kryeministrit Sali Berisha. Gjithçka është arritur në një atmosferë të ndezur në impiantin ndërkombëtar, edhe pse jo i mbushur plot. Dy trajnerët respektojnë miqësoren për trofeun "Taçi Oil Albania Reads", duke hedhur lojtarët më në formë të tyre. Trajneri Ançeloti ka tentuar të eksperimentojë në këtë sfidë, duke aktivizuar për herë të parë në sulm Inzagin e rikthyer përkrah Ronaldinjos, por edhe disa emra të rinj (thuajse të panjohur) në repartet e tjera. Slishkoviç, e ka vlerësuar maksimalisht sfidën, duke hedhur në fushë më të mirët e tij, mes të cilëve edhe Mukën, i cili bën kështu rikthimin pas një dëmtimi të gjatë. Minutat e para japin përshtypjen e një impresionimi të bardhebluve përballë emrave të mëdhenj të Milanit, por kjo ka zgjatur pak, pasi Tirana më pas demonstron qetësi dhe për çudi aspak frikë.
E vendosur mirë taktikisht, qarkullon mirë topin dhe është më e rrezikshme në sulm. Prapavija është e sigurt dhe lë shumë pak hapësira për "stelarët" kuqezinj, Inzagi, Ronaldinjo e Sedorf. Shkëlqejnë në krah Abraham e Muzaka. Milani vuan paraqitjen jo të mirë të holandezit, bllokimi i të cilit frenon lojën e gjigantëve të futbollit italian dhe atij ndërkombëtar. Tifozerisë entuziaste, me zemër të ndarë mes Milanit dhe Tiranës, i është dashur të presë shumë yllin e mbrëmjes, Ronaldinjon, i cili vetëm në minutën e 25-të del në pah me një goditje klasi të stilit të tij, lë në vend Nallbanin, për fat topi përplaset në traversë. Por e papritura, ajo që pak kush nga shqiptarët e kishte besuar, përveçse ëndërruar, ndodh në minutën e 29, në një aksion perfekt të Tiranës: Kros në zonë, Memelli luan spondën për Xhafën, i cili, i harruar nga legjendari Maldini, shënon një gol të bukur. Në shkallët e stadiumit shpërthen entuziazmi, ndërsa në fushë Milani dështon në kundërpërgjigje. Inzagi dëmtohet në një përplasje me Nallbanin, dhe lë fushën me një dëmtim në gju, duke u zëvendësuar nga Shevçenko i duartrokitur nga shqiptarët. Janku nuk është dakord me pretendimin e Ronaldinjos për një 11-metërsh dhe duke iu drejtuar dhomave të zhveshjes i polemizon me brazilianin, Sedorfin dhe Ambrozinin.
Ky i fundit është më i ashpër dhe merr një karton të verdhë në korridorin e stadiumit. Kampionin i botës në "Free Style", Billi Ungrom, si para ndeshjes, ashtu edhe në pushim, jep spektakël me xhonglimet që bën. Galiani e Taçi dhurojnë 100 mijë euro për "Unicef"-in. Por vëmendja është e përqendruar te pjesa e dytë, ku Milani me Nestën në vend të Maldinit shton presionin, avancon përpara, krijon disa raste, por nuk ka forcë për të barazuar, pasi gjithçka zbehet në momentin final. Atëherë kur pritej barazimi është sërish Tirana që jep goditjen vendimtare: në minutën e 72-të, Muzaka "bën" Ronaldinjon në një gjuajtje të kalibruar, lë në vend Abiatin dhe shënjestron në trekëndësh golin e 2-0. Tifozeria është në delir, por duhej firma e Ronaldinjos së vërtetë në minutat e fundit të kohës së rregullt, për të mbyllur mbrëmjen e "çmendur" shqiptare të Milanit, i cili mundet 2-1. Fërshëllima i lë vendin festës bardheblu, ndërsa Milani i drejtohet Italisë me një humbje të rëndë, të pajustifikueshme, me faktin se ishte thjesht një miqësore dhe që mund të prodhojë polemika. "Gazzetta dello Sport" e "Calciomercato.it" e filluan që mbrëmë.
Aeroporti "Nënë Tereza" pushtohet nga tifozët e Milanit, afro 1 orë kaos
"Në Tiranë me të gjithë lojtarët, për respekt të tifozëve dhe Rezart Taçit"
Milani mbërrin në Tiranë dhe interesimi për këtë ngjarje ka qenë i jashtëzakonshëm. Edhe pse zbarkimi i skuadrës kampione e botës në aeroportin "Nënë Tereza" ishte planifikuar në orën 11:30, shumë kohë më parë dalja "VIP" ishte "pushtuar" nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Afro 200 persona, me fanella e flamuj kuqezi, kanë pritur largimin e skuadrës nga terminali, por jo gjithçka shkoi sipas planit. Për shkak të interesimit të madh, organizatorët i detyruan lojtarët të driblonin fansat, duke ndryshuar në momentin e fundit daljen. Kjo nuk i demoralizoi të pranishmit, që kanë vrapuar drejt idhujve të tyre dhe i brohoritën pa pushim. Numri i madh i tifozëve ishte i pamundur për t‘u kontrolluar nga forcat e rendit dhe forcat e sigurisë të punësuara nga organizatorët, e për shumë minuta skuadra u "strehua" në terminalin e vjetër të aeroportit të Rinasit. Vetëm barrikada e krijuar bëri të mundur kontrollin e fansave, të cilët ishin të gjithë të "armatosur" me aparate fotografikë dhe bllok për autografe. I pari në autobus hipi trajneri Karlo Ançeloti, ndërsa pas tij me radhë yjet e skuadrës kuqezi, duke filluar nga Pirlo, Ambrozini, Inzagi, Ronaldinjo, Sedorf, Maldini dhe të gjithë të tjerët. Ekipi nisi rrugën e tij drejt Tiranës, i shoqëruar me entuziazëm.
Krejt e ndryshme ishte situata në daljen e zv/presidentit të skuadrës, Adriano Galiani. Duke përfituar nga shpërqendrimi i të pranishmëve (që vrapuan drejt futbollistëve), numri 2 i Milanit u largua i qetë nga aeroporti, madje tha edhe dy fjalë për mediat e pranishme. Ai deklaroi: "Gjithmonë e kam ditur që, për fat të mirë, kemi shumë tifozë në Shqipëri, kjo është edhe njëra nga arsyet që ne jemi këtu. Ardhja e Milanit ishte gjithashtu edhe një dëshirë e presidentit Berluskoni, i cili është një mik i vendit tuaj. Për sa i përket lojës nuk di çfarë të them, e dinë lojtarët këtë gjë, pasi unë nuk luaj. Por, mund të them se të gjithë futbollistët janë të pranishëm: edhe ata të cilët nuk janë në gjendje të luajnë.
Kanë ardhur në Tiranë për të respektuar tifozët tanë të shumtë, por edhe Rezart Taçin. I kemi sjellë të gjithë, ka ardhur Shevçenko, Ronaldinjo, Sedorf... të gjithë. Nuk mund të them si do luajnë, por e rëndësishme është që Milani është këtu me të gjithë yjet e tij". Ndërsa në konferencën për shtyp ai shtoi: "Dua t‘ju falënderoj të gjithëve nga zemra për pritjen që na bëtë, në aeroport, njerëzit rrugëve me bluzat e Milanit, ata që ishin këtu në hotel dhe jashtë tij, që kishin ardhur për të parë kampionët e tyre të zemrës".
Të shoqëruar me eskortë policie, gjigandët e futbollit botëror kanë udhëtuar drejt hotel "Sheraton" në kryeqytet. Edhe rezidenca e skuadrës ishte "pushtuar" nga një numër i madh tifozësh: organizatorët i kishin ndarë njerëzit në dy kordonë, ndërkohë që skuadra parakalonte përpara syve të tyre. Interesimi për të parë kampionët e Milanit zgjati deri në çastet që skuadra iu drejtua stadiumit "Qemal Stafa".
Milani fanellën "1" për kryeministrin Berisha
Gjatë vizitës së tyre 10-orëshe në Tiranë, futbollistët dhe delegacioni i Milanit, i kryesuar nga zv/presidenti Adriano Galiani janë takuar me Kryeministrin Sali Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se ardhja e Milanit është një festë e vërtetë për Shqipërinë, pa harruar t‘i përgëzojë përfaqësuesit e klubit "për fisnikërinë që po tregojnë përmes këtij projekti, fondet e të cilit do të shkojnë për krijimin e disa bibliotekave dhe në ndihmë të të rinjve shqiptarë". Galiani i dhuroi Kryeministrit shqiptar fanellën e Milanit me numrin 1 dhe emrin Berisha të stampuar nga mbrapa.
Rreth kësaj, Kryeministri shtoi: "Kjo fanellë është si flamuri i kombit tim dhe do ta mbaj me kënaqësi, pasi simbolizon dy gjëra, fanellën kuqezi të Milanit dhe ngjyrat e flamurit shqiptar". Rreth takimit, zv/presidenti i kampionëve të botës tha: "Jam mirënjohës për pritjen e Kryeministrit Berisha, i cili me një zemërgjerësi të jashtëzakonshme na ka respektuar dhe ka folur gjatë gjithë kohës italisht, me një dashuri të madhe për vendin tonë dhe për presidentin tonë, Silvio Berluskoni, pohoi Galiani.
Kam folur vetëm pak minuta me parë me presidentin tonë, që është në Uashington, dhe ai shprehu keqardhjen që nuk mund të ishte i pranishëm këtu, pasi ai ka marrëdhënie shumë të mira me Kryeministrin tuaj dhe me të gjithë popullin shqiptar. Nëse jeni të lumtur, që Milani ka ardhur për herë të parë në Tiranë, duhet të falënderonin ‘Taçi Oil‘, që është një kompani e madhe, e drejtuar nga një person me shumë vlera".
Yjet e kampionëve të botës impresionen nga mikpritja që iu rezervua në vendin tonë
Taçi: Milan faleminderit që realizove ëndrrën shqiptare
Një ide "e çmendur", e hedhur edhe pse askush nuk besonte në të, në pak kohë u bë realitet. Pikërisht kjo ka qenë karakteristika kryesore e konferencës për shtyp, të zhvilluar në hotel "Sheraton" nga organizatorët e "Taçi Oil", drejtuesve të lartë të Milanit, administratorit Adriano Galiani, trajnerit Karlo Ançeloti dhe yjeve kuqezinj, Paolo Maldini dhe Ronaldinjo, por edhe ambasadori italian në Shqipëri, Saba D‘Elia. Të gjithë emrat impresionues shprehën njëzëri mirënjohjen e tyre për mikpritjen shqiptare, ndërsa ishte presidenti i "Taçi Oil", Rezart Taçi, ai që falënderoi miqtë italianë për realizimin e ëndrrës së madhe shqiptare.
Ai ka folur gjithë kohës italisht, për t‘iu përgjigjur një pyetjeje të Galianit, nëse shqiptarët flasin gjuhën e italiane. "Në Shqipëri, të gjithë flasin italisht, por edhe ajo pjesë e vogël, që nuk e njeh gjuhën, flet për futbollin italian", u përgjigj presidenti Taçi, i cili theksoi më pas: "Është një ditë historike për të gjithë ne. Në stadiumet tona luan skuadra më e madhe dhe me më shumë tituj në gjithë botën. Kemi këtu disa nga emrat, të cilët kanë shkruar historinë e futbollit, trajnerin Ançeloti, Maldinin, Ronaldinjon etj. Dua të falënderoj Galiani: Keni realizuar ëndrrën tonë. Mesazhi i këtij evenimenti është se ëndrrat mund të realizohen, nëse ekziston vullneti. Faleminderit doktor Galiani, faleminderit shumë.
Do të jetë një ndeshje futbolli, por të gjithë e ndiejnë sikur të mos ishte një ndeshje e tillë, por një ndeshje feste". Në këtë konferencë ka përshëndetur edhe trajneri i Tiranës, Blazhe Slishkoviç (edhe ai në italisht): "Për skuadrën time është një nder, që të ndeshet sot me skuadrën më të madhe të botës". I paparashikuar në konferencën për shtyp, ishte pikërisht prania e yllit të futbollit brazilian dhe Milanit, ajo që i befasoi mediat. Dinjo, u tregua i disponueshëm për pyetjet e gazetarëve, jo vetëm nuk harroi të shprehte lumturinë që ndodhej në Shqipëri, por edhe falënderoi të gjithë për mikpritjen. Por, shqiptarët i kujtuan kohën kur luante te PSG, në të njëjtin skuadër me të talentuarit e Kombëtares sonë, Lorik Cana. "Jam shumë i kënaqur që kam shok Lorik Canën". Ishte pikërisht kjo deklarata e yllit brazilian, e cila elektrizoi sallën e konferencës për shtyp.
Gazeta: Shqip