Berluskoni theu rregullat e marteses se hapur

Berluskoni theu rregullat e
Ajo që i çudit të gjithë nuk janë më kritikat e Veronica-s, por arsyeja që e mbajti atë në heshtje për një kohë të gjatë. Për 19 vjet Veronica jo vetëm ka toleruar sjelljet prej spitullaqi e qesharake të Berluskonit, si mbjelljen e flokëve, marrëdhëniet me femra të tjera, por edhe është munduar që ta fshehë këtë të vërtetë nga sytë e botës. Më pas, në prillin e kaluar, ajo më në fund vendosi që të sillej ndryshe. I shoqi ishte fotografuar me një 18-vjeçare në ditëlindjen e saj dhe për Veronica-n kjo ishte mbushja e kupës.

"Kjo ishte gënjeshtra e fundit që mund t‘i lejoja. Pas kësaj, duhet të gjeja një mënyrë për të respektuar veten, pra të divorcohesha", shkruan Veronica në librin e saj. Po çfarë ndryshoi në fakt? Sipas një biznesmeneje, "Berluskoni theu rregullat. Veronica e dinte se ai kishte një jetë private të pavarur, por veprimet e fundit ishin fyese për të dhe për fëmijët dhe kjo i tejkalonte kufijtë". Maria është një lloj eksperteje e etiketës së të ashtuquajturave "martesa të hapura", marrëdhënie që përfshijnë një element të autorizuar të seksit jashtëmartesor. Ajo është e martuar me George dhe ka 2 fëmijë, ndërkohë që të dy kanë bërë një "marrëveshje miqësore" që t‘i tolerojnë njëri-tjetrit edhe të dashurit. I dashuri i fundit i Marias ka qenë një lidhje që zgjati plot 6 vjet. "Jam e pandreqshme për të tradhtuar, ndaj që nga fillimi i martesës me bashkëshortin tim kam qenë shumë e qartë me të. I thashë se do të bëja si të më vinte mua për mbarë dhe se lidhjet e mia nuk do të kishin të bënin fare me marrëdhënien dhe dashurinë time për të. Kjo jo se bashkëshorti im ka të meta dhe mangësi. Ai është një person i mrekullueshëm, shumë i ëmbël, mbështetës, një burrë i mirë, një baba i mrekullueshëm dhe i hatashëm në shtrat", thotë Maria. Në fakt, çudia është se ai vetëm në fillim të lidhjes së tyre pati një të dashur, por pas kësaj jo më. Kjo edhe pse Maria vazhdon me aventurat e saj. Çifti jeton i martuar dhe sipas tyre në harmoni që prej 25 vitesh.

Origjina e termit "martesë e hapur" mbetet ende e panjohur, por Nena O‘Neill dhe George O‘Neill shkruan në lidhje me këtë koncept në një libër që botua në vitin 1972, me titull "Martesa e Hapur". Sipas tyre, kjo është një lidhje ku partnerët i lejojnë njëri-tjetrit rritjen personale përmes miqësisë dhe marrëdhënieve seksuale me partnerë të tjerë. Ky libër shiti mbi 1 milion e gjysmë kopje. Historikisht, sigurisht, të pasurit dhe të fuqishmit kanë pasur dhe kanë gjithmonë marrëdhënie jashtëmartesore. Një rast i tillë është ai i Georgianës, dukeshës së famshme të Devonshire, që pati një marrëdhënie shumë të gjatë dashurie me të shoqin dhe mikun e tij më të mirë dhe kjo pa fshehur asgjë. Kjo sepse në atë kohë familja ishte mbi të gjitha një bashkim ekonomikoshoqëror dhe jo emocional. Marrëdhëniet jashtëmartesore toleroheshin, por jo trashëgimtarët që vinin në jetë prej tyre. Europianët kanë një hapje jo të vogël ndaj një kulture të tillë dhe vetë mesdhetarët e kanë të mbushur jetën e tyre me dashnorë e dashnore. "Tradhtitë janë më të tolerueshme dhe mbi të gjitha të falshme. Në këtë rast mund të përmendim funeralin e ish-presidentit francez, Miterran, ku mori pjesë bashkëshortja zyrtare dhe e dashura, së bashku me vajzën që kishte pasur nga lidhja me Presidentin. Sipas Marias, të gjithë supozojnë në vendet mesdhetare se një burrë i famshëm e i fuqishëm ka me siguri një, në mos dy të dashura, por forca që kontrollon gjithçka është familja. Italianët, edhe pse bredhin, e dinë se divorci nuk është i mirë as për gruan e as për fëmijët, sepse divorc do të thotë krijim i një familjeje tjetër".

Për sa i përket Veronica-s, ajo e mbajti gojën kyçur për vite me radhë për shkak të familjes. Ajo bëri maksimumin për të mbrojtur tre fëmijët e saj me Kryeministrin. Por cila është kostoja emocionale? A funksionojnë këto marrëdhënie? Për disa duket se këto funksionojnë. Këtë e pohon edhe aktorja britanike, Tilda Swinton. Ajo jeton me John Byrne, artist e shkrimtar dhe babai i dy fëmijëve të saj, por ka edhe një të dashur me të cilin herë pas here del edhe në publik. "Unë mendoj se kjo është gjëja e duhur për t‘u bërë. Shpesh njerëzit kanë fëmijë me persona të cilët nuk i dashurojnë më, që do të thotë se zemra e tyre mund t‘i përkasë dikujt tjetër. Ajo çka ndodh është se një grua mund të vazhdojë të jetojë e lumtur me fëmijët dhe babain e fëmijëve në të njëjtën strehë, ndërkohë që ka edhe jetën e saj", thotë aktorja për marrëdhënien e saj. Por për Marian? "Ne punojmë në qytete e vende të ndryshme gjatë javës, ndërkohë që fëmijët janë në shkolla me konvikte dhe të premten kthehemi të gjithë në shtëpi dhe kalojmë një fundjavë me të vërtetë të paharrueshme". Ata jetojnë në dhoma të ndara, por ndajnë së bashku pasionin për biznesin dhe për fëmijët e tyre. "Im shoq dhe unë jemi shumë të pasur dhe jemi shumë të angazhuar e të zotuar që të ruajmë fëmijët dhe pasurinë tonë pa lënë askënd tjetër të hyjë në mes". Ndërkaq ajo është një grua e lirë seksualisht, profesionalisht, intelektualisht. "Ne nuk e kritikojmë kurrë njëri-tjetrin. Sigurisht mund të diskutojmë për argumente të ndryshme, por pa sherre". Por kjo lloj marrëdhënie ka një rregull shumë të qartë: ajo është betuar se, pavarësisht jetës së saj private, nuk do të bënte kurrë diçka që do ta poshtëronte publikisht të shoqin, apo fëmijët e tyre. "Në martesat e hapura palët e kanë shumë të çmuar besimin, konsistencën dhe besnikërinë, jo seksuale të kuptohemi. Në mënyrë që kjo të funksionojë, duhet një marrëdhënie dypalëshe detyrimesh dhe përfitimesh". Me sa duket, Berluskoni në këtë "martesë të hapur" ka qenë ai që i ka thyer rregullat, duke kaluar masën dhe mbi të gjitha duke mos pasur asnjë lloj kujdesi për dinjitetin e bashkëshortes apo fëmijëve të tij.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama