Besa Myftiu Nuk do ta shkruaja kurre ne shqip te shkuaren time

Besa Myftiu: Nuk do ta shkruaja kurre ne shqip te shkuaren time
“Drejt të pamundurës” është vëllimi i ri me tregime i Besa Myftiut. Gjen aty një shqiptare që shkon në Zvicër, një shqiptare që bëhet mësuese e frëngjishtes në këtë shtet, por edhe 16-vjeçare që në Shqipëri konsiderohen të përdala edhe pse ishin të virgjëra, femra që përbuzen në sallën e lindjes, vajza jetime që kërkojnë nënën, por edhe dashuri për librat, dashuri atërore etj

Besa Myftiu ndodhet këto ditë në Tiranë për një takim të dytë me lexuesit. Dy vjet më parë, “Rrëfime nga vende të harruara”, përkthyer prej asaj vetë nga frëngjishtja, i dha shtysën që këto subjekte shqiptare t’i rikthejë ku i mori. “Drejt të pamundurës” është vëllimi me tregime, në të cilin gjenden edhe nota autobiografike, gjithnjë të ngritura në nivel artistik.

Gjen aty një shqiptare që shkon në Zvicër, një shqiptare që bëhet mësuese e frëngjishtes në këtë shtet, por edhe 16-vjeçare që në Shqipëri konsiderohen të përdala edhe pse ishin të virgjëra, femra që përbuzen në sallën e lindjes, vajza jetime që kërkojnë nënën, por edhe dashuri për librat, dashuri atërore, etj. E bija e shkrimtarit të kritikuar nga koha, Mehmet Myftiu, Besa tentoi të bëhej aktore, por rrethanat e çuan të largohej nga Akademia e Arteve, është skenariste e filmit “Unë e dua Erën” dhe të filmit ‘Yllka”, një prodhim shqiptaro-zviceran. Prej 21 vitesh jeton në Zvicër. Ka shkruar 9 libra në frëngjisht, i fundit “Dashuri në kohën e komunizmit”, botuar nga “Fayard”. Thotë se të gjitha këto histori nuk do të kishte mundur kurrë t’i shkruante në shqip.

“Drejt të pamundurës” është romani i dytë që ju sillni për lexuesin shqiptar. Keni vendosur të jeni më e pranishme si shkrimtare?

Unë kam botuar 9 libra në frëngjisht. Duke pasur parasysh se libri i parë “Miq të humbur” ishte dygjuhësh, përkthimi i romanit “Rrëfime nga vende të harruara” ishte një vendosje kontakti me lexuesin shqiptar pas 20 vjetësh. Tashmë vjen ‘Drejt të pamundurës”. Mendova që tregimet që niseshin nga përvoja shqiptare do të ishin interesante edhe për publikun shqiptar.

Libri përmban disa tregime. Cilat janë personazhet shqiptare të përzgjedhura dhe si vjen Shqipëria e rrëfyer nga ta?

Rrëfimin e nis personazhi i narratores, e cila zbulon Zvicrën duke nisur nga gjuha e duke bërë krahasimin me çdo gjë shqiptare, pastaj një shqiptare që bëhet profesore e frëngjishtes në një vend frankofon, dhe në një tjetër tregim, ballafaqimi me mentalitetin zviceran. Në këtë pjesë që e kam titulluar “Zvicra me sytë e një shqiptareje”, unë jam akoma shumë shqiptare në gjithçka rrotull meje. Pjesa e dytë, “Të shkuara të paharruara”, sjell dëshmi nga jeta e femrës në Shqipëri. Nisin që nga adoleshenca, ku një vajzë mjaftonte të pinte kafe me një djalë e quhej e përdalë, mungesa e respektit për femrën në sallën e lindjes ku trajtoheshin si kafshë. “Mjaft, mjaft, kujtoni kur bënit qejf në krevat dhe tani vini na çani veshët”, janë fjalët e doktorëve kundrejt tyre. Ndërsa pjesa e tretë është ndërtuar mbi historitë e kërkimit të nënës të disa vajzave të shtëpisë së fëmijës që unë kam takuar.

Sa nota autobiografike ka në këto tregime?

Realiteti më frymëzon, por e transformoj për mënyrën se si e shikoj. Ngaqë shkruaj në gjuhë të huaj, kjo më jep mundësinë t’i trajtoj me shumë komicitet gjërat që kanë ndodhur dikur dhe që ndoshta është vështirë të treten. Fakti që e rivizitoj të shkuarën time me ngjyra komike, më jep mundësi të ndahem prej saj me buzëqeshje. Unë e gjej veten si narratore, si dëgjuese, dëshmitare, por ndonjëherë edhe në aksion. Ka ngjarje që m’i kanë treguar, të tjera që lidhen më shumë me mua e të tjera edhe të trilluara. Unë e marr ngacmimin nga realiteti për ta transformuar atë artistikisht e për të sjellë filozofinë time mbi të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Nëse do të shkruaja autobiografi, ju siguroj që do të kishte qenë tërësisht një tjetër trajtim. Arti, edhe nëse është i trishtuar duhet të japë kënaqësi dhe nuk është një legen ku njeriu të vjellë të gjitha frustrimet dhe deliret e veta.

I përkthen apo i rikrijon këto libra në shqip?

I rikrijoj tërësisht. Në librin “Rrëfime nga vendet e kaluara”, kisha përfshirë disa tregime të fëmijërisë, duke i shkruar frëngjisht. Kur po i përktheja në shqip, nuk e dija çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë kisha shtuar. Kështu që e rishkrova. Janë libra që unë nuk do t’i kisha shkruar kurrë në shqip, sepse është një proces konceptimi ndryshe. Prej 21 vitesh unë jetoj në Zvicër dhe të vetmet që shkruaj në shqip janë intervistat. Gjuha e huaj më ka ndihmuar që subjektet shqiptare t’i shoh nga pozicioni i dëshmitares dhe jo protagonistes, edhe aty ku personazhi i afrohet figurës sime.

E shkuara është shumë e pranishme në librat e tu…

E shkuara për mua është një pus frymëzimi. Distanca kohore dhe gjuhësore i ka dhënë kësaj të shkuare një peshë edhe më të madhe.

Unë mendoj se të gjithë shkrimtarët bëhen të tillë ngaqë janë nostalgjikë. Të shkruash do të thotë të lësh një gjurmë të asaj që ka ndodhur, asaj që mund të ndodhte ose asaj që do të ndodhë. Çdo gjë që ne jetojmë është një material për të shkruar. Mjafton që të lexosh Çehovin dhe e kupton se si nga ngjarje fare të parëndësishme në dukje, janë krijuar monumente të letërsisë. Unë jap “Atelie mbi shkrimin e tregimeve” dhe u them studentëve të mi që nuk ka asnjë ngjarje banale, është vështrimi që e bën të tillë. Nuk ka arsenal më të mirë se e kaluara. Aq më tepër në Shqipëri që është vend mitesh, një vend ku gjithmonë e pamundura ndodh dhe e mundura pothuajse nuk realizohet kurrë. Nga pikëpamja letrare kam fat që kam lindur në Shqipëri. Këtu edhe një shëtitje të dalësh, i gjen personazhet rrugës.

Si kanë bashkëjetuar te ty pjesa shqiptare që more me vete dhe ajo zvicerane që gjete?

Unë nuk kam hasur racizëm në Zvicër, përveçse kuriozitet për pjesën shqiptare që përfaqësoja. Kam krijuar rrethin tim, që i ngjan atij të dikurshmit shqiptar. Miqtë e mi shqiptarë të dikurshëm janë të gjithë me pozitë dhe unë i shoh vetëm në televizor. Siç bënim dikur këtu, kemi frymën e mospajtimit me pushtetin, mospajtesën me ata që kanë shumë para ose ata që nuk janë sentimentalë. Por ruaj të gjithë miqtë që kam pasur dikur e janë jashtë shtetit. Ashtu siç kam thënë në një poezi timen, unë nuk kam më miq, por vetëm numra telefoni që fillojnë të gjithë me 00.  

Ju keni një ndjeshmëri të madhe ndaj figurës femërore. Si është trajtuar ajo në kohën tuaj?

Unë kam vuajtur shumë nga fakti sesi trajtohej femra në Shqipëri apo ndoshta edhe në Italinë e Jugut, Greqi, Maqedoni, Kosovë. Nga kjo pikëpamje jam shumë e lumtur që jetoj në Zvicër. Femra ka qenë shumë e vlerësuar nga pikëpamja sociale, por shumë e shtypur në jetën private. Prandaj unë njërin nga tregimet e titulloj “Kurva”. “Kurvat e epokës sime ishin të virgjëra. Nuk kishin puthur kurrë ndonjë djalë dhe nuk dinin asgjë në lidhje me seksualitetin. Ato nuk dinin si bëheshin kalamajtë. Kishin dëgjuar diçka të keqe, por e kishin harruar menjëherë, sepse përndryshe nuk mund t’i shikonin në sy prindërit e tyre. E pamundur që ata të kishin bërë gjëra të tilla të turpshme. Kurvat e kohës sime, ato të vërtetat kur lexonin fjalë të ndyra në  nevojtoret e shkollës nuk arrin të kuptonin nëse ishte fjala për organin seksual mashkullor apo femëror. Ato kuptonin mirë vetëm romanet e shekullit të 19 që flisnin mbi një dashuri hyjnore, përtej trupit”. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama