Besa e muslimaneve

Besa e muslimanëve
Shembulli i shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka vënë në funksionim "konotacioni pozitiv" të fjalës musliman për shqiptarët. Që nga dita kur ky gjoja model fitoi përmasa njohjeje deri në SHBA - prej disa vitesh ka një bashkëpunim në rang muzesh dhe arkivash ndërmjet Amerikës dhe vendit tonë për këtë çështje - po flitet edhe për besën e muslimanëve.

Me sa duket, të gjithë duan një lloj klasifikimi për fenomenet e rralla. Deri dje ishin besa, bujaria në gen e shqiptarëve, sot arsyes pse ndodhi kjo e mirë e madhe i kanë vënë emrin "besa e muslimanëve", besa si një urdhër shpirtëror i aplikueshëm tribush. Është radha e një tjetër shteti amerikan, Konektikatit, ku në Sauthbëri nëpërmjet ekspozitës fotografike të Norman H. Gershman që tregon shpëtimtarët shqiptarë të Holokaustit, të flitet sërish për shpëtimtarët muslimanë shqiptarë.

Komuniteti hebre i Konektikatit perëndimor ka mirëpritur prej 22 prillit ekspozitën "Besa, një kod nderi – muslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrejtë gjatë holokaustit" dhe do të jetë e hapur në Kampusin e familjes hebreje Walzer, nr 444 Main St. North, deri më 2 maj.

Cynthia Burger, drejtuesja e programit të qendrës së unionit hebre, ka pohuar organizimin e një takimi gjatë ditëve të ekspozitës me pjesëmarrjen e rreth 300 shqiptarëve muslimanë të kësaj zonë me qëllim që "komuniteti ynë hebre të ketërastin të njohë rolin e jashtëzakontë të shqiptarëve për shpëtimin e hebrejve gjatë Holokaustit". Edhe sipas Burgerit shpëtimi ka ardhur nga zbatimi i kodit shqiptar të nderit, i njohur si "Besa". Në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte afro 200 hebrej që jetonin në Shqipërinë veriore, ndërsa në fund të luftës, afro 2.200. "Ata u strehuan dhe u shpëtuan nga muslimanët shqiptarë. Askush nuk ka dorëzuar askënd." ka thënë Burger.

Ekspozita në fjalë është e njëjta që ka udhëtuar nga Yad Vashemi, në Jeruzalem, Izrael, drejt Shteteve të Bashkuara për nder të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit. Aty janë dokumentuar 63 familje shqiptare të cilat janë nderuar me titullin e ndershmërisë. Fotografi amerikan me ndihmën e profesor Apostol Kotanit dhe shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael, ka fotografuar familjarët që janë gjallë apo trashëgimtarët e atyre që kanë kontribuar për shpëtimin e hebrejve.

Ishte në radhën e aktiviteteve që kishin në plan shqiptarët dhe kontributin e tyre, pasi janë nderuar një herë nga Yom HaShoah Program.

Një nga folësit në takimin ishte dhe Mordecai Paldiel i cili prej 25 vjetësh ka drejtuar Righteous Among the Nations Department në Yad Vashem, që nderon johebrejtë të cilët rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrejtë nga nazistët dhe nga bashkëpunëtorët e tyre gjatë Holokaustit. Paldiel i përket një prej atyre familjeve që shpëtuan gjatë luftës, dhe gjithë jetës nuk ka shkruar veç për çështje që kanë të bëjnë me të drejtën dhe ndershmërinë. "Ata që mbajnë këtë titull të çmuar mbajnë lart shpirtin e humanizmit në një kohë që eklipsonte vlerat njerëzore. Ata shërbejnë si një fener dhe model për brezat e ardhshëm. Ata provuan madje në rrethanat më të këqija, se individi është i aftë që të zgjedhë ndërmjet të vërtetës dhe padrejtësisë, midis të mirës dhe të keqes" shkruan ai. "Me ¾ e popullsisë muslimane, Shqipëria ishte i vetmi vend në gjithë Evropën që shpëtoi hebrejtë gjatë luftës. Madje edhe urdhri sekret i kryeministrit Mehdi Frasheri, një musliman Bektashi, ishte që "gjithë fëmijët hebre do të flenë me fëmijët tuaj, të gjithë do të hanë të njëjtin ushqim, të gjithë do të jetojnë si një familje". Këtu hebrejtë që kishin shpëtuar nga vende të tjera dhe ishin damkosur me gërmën J në gjokset e tyre, ishin habitur që popullsia vendase i mbronte për t'i strehuar dhe shpëtuar si "miq". Për shekuj me radhë shqiptarët kanë qenë drejtuar nga një kanon i pashkruar "Besa" – fjala e dhënë, sipas të cilës do të bëhet ajo që është thënë. Në sajë të këtij kodi ata kanë shpëtuar jo vetëm hebrejtë por 25.000italianë që iu kishin shpëtuar ndëshkimit të nazistëve si dezertorë të çështjes së Hitlerit, dhe nga ana tjetër kanë shpëtuar edhe dezertorë gjermanë."

Pra siç e shohim nga referencat aktuale që i bëhet rastit shqiptar të shpëtimit të hebrejve, vazhdon të mbetet në fuqi interpretimi mitologjik nga njëra anë dhe ai religjioz që sërish është një mjet interpretimi arkaik por që merr një gjoja kuptim më të thellë në ditët e sotme për "racën e muslimanit të mirë".

Akoma është i dobët zëri i studiueseve ekspertë të fushës të cilët e trajtojnë çështjen në fjalë, shpëtimin e hebrejve në Shqipëri nga mikpritja dhe qeveritë shqiptare pas asnjë kushtëzim, në bazë të informacioneve dokumentare-arkivore. Kështu, vitet '30-'40 të shekullit të XX, është koha kur ka një qëndrim të qartë të diplomacisë së Shqipërise mbretërore ndaj çështjes hebreje, pasi në disa vende të Europës prej vitit 1933 kishin hyrë në fuqi ligje antisemite. Shqipëria u pa si vendi nga mund të shpëtonin hebrej të dëbuar nga Gjermania, Austria, Polonia, vendet e Ballkanit dhe rajone të tjera. Dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqiperi rezultojnë rreth 1800 hebrej të mbijetuar.

Një argument "kundërmitologjik" mbështetet në një fakt historik. Në mbledhjen e Berlinit në tetor të vitit 1943, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme Gjermane me përfaqësuesin e Gestapos në Shqipëri vendosën që asnjë nga hebrejtë që ishin nëShqipëri që ata i dinin që ishin, por që natyrisht autoritetet shqiptare kishin kërkuar t'i mbronin, që të mos internohet. Ky vendim u mor duke pasur parasysh se në Shqipëri mund të kishte kundërshtime në popull, punë pa leverdi për të ngritur një furtunë, për arsye se nga ky vend i vogël ushtritë gjermane kalonin për në Greqi dhe po prej këndej do të tërhiqeshin. Dhe nga ata 840 njerëz që janë internuar nga Kampi i Prishtinës të cilët i ka shoqëruar divizioni SS Skanderbeg, vetëm 40 janë hebrej.

Elsa Demo
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama