Besa shqiptare qe mbrojti hebrenjte nga nazistet

Besa shqiptare që mbrojti hebrenjtë nga nazistët
Ai është një koncept, një kod, që fjalëkyçin ia dinë vetëm shqiptarët. Me këtë sy e ka parë edhe fotografi amerikan Norman Gershman, i cili ka hapur në Washington DC një ekspozitë fotografike kushtuar shqiptarëve. Atyre, që nën besë mbrojtën dhe strehuan gjatë viteve të pushtimit nazist, familje të përndjekura hebrenjsh.

Ka udhëtuar nëpër Shqipëri, ka mbledhur histori dhe ka fiksuar portretet e këtyre njerëzve, që në thjeshtësinë e tyre bënë diçka heroike. Pas çdo portreti bardhë e zi fshihet një dorëshkrim, që tregon për historitë e hebrenjve që i shpëtuan Holokaustit falë shqiptarëve. Në këtë ekspozitë të hapur në Qendrën Hebreje në Washington, fotografi Norman H. Gershman flet rreth projektit të tij 5-vjeçar “projekti i dashurisë”. “Në fillim të Luftës së Dytë Botërore,- shpjegon ai, armata e Hitlerit “fshiu” një pjesë të mirë të popullsisë hebreje në shtetet ballkanike. Por pjesa më e madhe e popullsisë myslimane të Shqipërisë, më së shumti në Kosovë, i mbajti hebrenjtë në shtëpi, i dhanë dokumente dhe emra myslimanë, duke i quajtur si anëtarë të familjeve të tyre. Të krishterët gjithashtu strehuan hebrenjtë. E nëse nuk i mbanin dot në shtëpi, i strehuan nëpër spitale pas dyerve ku shkruhej “karantinë tifoje”.

 Gershman, i cili dëgjoi mbi historinë e njohur të mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri, menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pa tek këta myslimanë testa- Përpara Kuranit dhe Biblës vjen kodi i nderit, Besa. mentin e “mirësisë së një populli” dhe vendosi të tregojë historitë e tyre. “Asnjë hebre i vetëm nga Shqipëria, apo ndonjë prej qindra hebrenjve të tjerë, që u detyruan të emigronin në Shqipëri, nuk u dorëzua nga myslimanët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, - thotë Gershman, i cili i ka paraqitur fotografitë e ngjarjet jo vetëm në ekspozitë, por edhe në librin “Besa: Myslimanët që shpëtuan hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Madje këto histori dhe fotografitë e të intervistuarve mund të gjenden edhe në faqen e internetit të fondacionit të tij “Eye Contanct Foundation”. Gershman erdhi në Shqipëri për herë të parë në vitin 2003 dhe përgjatë 4 viteve udhëtoi kryq e tërthor Shqipërisë për të mbledhur histori njerëzish të mirë, që u janë gjendur pranë nevojtarëve.

Edhe pse është fokusuar më së shumti tek familjet myslimane, ai thotë se nuk kërkon të bëhet avokati i tyre. “E bëj për njerëzit e mirë”, thotë ai, teksa shton se paranoja ndaj popullsisë myslimane është një çmenduri. Intervistoi rreth 70 familje për të kuptuar konceptin e tyre mbi fenë, besimin dhe luftën. Ka bujtur në familjet Shpuza, Simsia, Sinani, Kraja, Ohri, Pashkaj, Kalaja, Babani, Koca, Kazazi, etj., etj. Ai mësoi rreth “besës”, kodin e nderit, i cili zbatohet me shumë seriozitet nga shqiptarët dhe trajtohet veç të tjerash dhe si një detyrë e Islamit. Që kërkon të marrësh përgjegjësi për jetën e tjetrit, kur ai ka nevojë. “Ata janë njerëz të mirë, të cilët u ndjenë të detyruar të ndihmonin, edhe pse ishin të rrezikuar nga nazistët, që mund t’u shuanin gjithë familjen”, thotë Gershman. “Unë sfidoj këdo që mund të thotë se këta njerëz janë terroristë, apo simpatizantë të terroristëve.

 Ka njerëz të mirë në botë, njerëz të drejtë”, shton ai. Ndërkohë Jason Williams po prodhon një dokumentar mbi tregimin e Gershmanit, i cili mendohet të përfundojë në verën e vitit 2009, ku dëshmohet përmes historive gojore, për strehimin e hebrenjve më mirë se në çdo vend tjetër. Williams madje shfaqi në hapjen e ekspozitës dhe një fragment nga filmi “Shtëpia e Zotit” (“God’s House: Muslims who Saved Jews During WWII”), një pyetjepërgjigje mes Gershman and Joanna Newman, një hebreje e mbijetuar, që për ironi jeton në “Silver Spring”, MD, një stacion larg zyrës së Williams në Takoma park MD.

Kur e pyet pse fotografitë e tij përqendrohen vetëm tek shqiptarët dhe se çfarë ndodhi me çifutët në Kosovë, Gershman përgjigjet se disa u arrestuan dhe u mbajtën nëpër kampe, por shumë të tjetër shpëtuan. “Kishte llojlloj njerëzish”, thotë ai. Ekspozita e Gershman është hapur edhe në Jerusalem, ku është pritur mjaft mirë dhe është fokusuar nga shumë media vendase.


Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama