Në faqen e parë është shkruar parathënia, e cila duhet vërejtur se nuk është tamam e tillë. Pasi, Mishel Serra, shkrimtari gazetar që e ka shkruar, bën diçka që është më shumë se një parathënie e thjeshtë, dialogun, i drejton pyetje, nguc ekuilibristin mbi çështje aq delikate sa ç‘është besimi në Zot, e pyet mbi lartësitë, mbi zbrazëtinë, mbi përmbajtjen mistike që fsheh në vete forca e karakterit. E pyet edhe nëse ekziston ndonjë shoqëri sigurimesh që i garanton të ardhurat nëse sipërmarrja e radhës dështon. Përgjigjja: "Firmos dokumente të komplikuara, ku premtoj të mos hedh në gjyq askënd në rast se vdes gjatë sfidave".
Petit ka lindur në vitin 1949 në një familje të borgjezisë së vogël. Në moshën 6-vjeçare mësoi artin e magjisë, më pas lojërat e iluzionit, kalërimin, kacavjerrjen nëpër shkëmbinj, dizajnimin, ndërtimin e strukturave të drunjta, ku kryente numrat akrobatike. E përjashtonin nga çdo shkollë, pasi nuk pranonte ta ulte kokën mbi bankë, por ta mbante gjithnjë lart, të orientuar drejt utopive. Më pas nisi të udhëtonte nëpër botë, duke jetuar si të mundej, duke dhënë shfaqje rrugëve, "e duke u shpëtuar ndjekjeve të policëve me një motor të vogël", por edhe duke vjedhur aty këtu ("shpesh i ktheja ato që vidhja, më interesonte vjedhja vetëm për kënaqësinë që të jep ky akt).
Të parën sfidë të madhe e realizoi në Katedralen e Notrëdamit në Paris në vitin 1971. Shtriu një litar mes dy kullave të famshme dhe eci mbi zbrazëtirë, mbi kokat e habitura të qindra të pranishmëve. Me të zbritur e futën në burg, pasi prishja e rendit publik është e ndaluar. Mes kureshtarëve që ngrinë për disa minuta me kokën lart ishte edhe shkrimtari Pol Auster, i cili më pas do ta ndihmonte të publikonte librat (dorëshkrimet e mia qenë refuzuar nga 18 botues). Gjatë dyzetë viteve ka shëtitur mes reve kudo, nga Sidni në kullën Eifel. Dhe ka ndërmend të vazhdojë ta bëjë, veçanërisht në vende të rralla si Kanoni i Madh, apo Ishulli i Pashkëve.
Ëndrra e tij më e madhe mbeten kullat binjake të Nju Jorkut. Nisi të mendonte për të shëtitur në zbrazëtinë që shtrihej nga njëra te tjetra, që në momentin që lexoi në një revistë për projektin e ndërtimit të tyre. U përgatit për këtë sfidë për gjashtë muaj me radhë, si të ishte një vjedhje e studiuar banke. Në vitin 1974 u ngjit fshehurazi te kullat në ndërtim e sipër, ua hodhi rojeve të sigurisë, tendosi litarin dhe, i veshur me të zeza, shëtiti para e prapa për rreth 40 minuta në lartësinë 400 metra.
E arrestuan përsëri, por dënimi ishte i mrekullueshëm: të jepte një shfaqje për fëmijët në Central Park të Nju Jorkut. Kishte mbërritur fshehurazi në Nju Jork, me një konspiracion në mendje. Por nuk u largua më nga ai qytet. Tani jeton në një katedrale që është ende në ndërtim e sipër, ku zotëron galeri të nëndheshme, ballkone, kantina të fshehta ku luan shah i vetëm, pikturon, shkruan poezi, studion sfidat e së ardhmes (askush nuk i njeh ato dhoma përveç meje dhe Zotit).
Petit u pëlqen njerëzve. Pasi kur u kundërshton ligjeve të gravitetit, atje lart arrin t‘i bëjë të gjithë të ndihen sikur u merren mendtë, t‘i shkëpusë për një çast nga banalitetet tokësore. Një ditë, për shembull, vendosi të shëtiste nëpër qiellin e Jerusalemit. Disa dhjetëra mijëra arabë e izraelitë në një çast vunë re se po duartrokisnin të gjithë njëherësh për t‘i dhënë zemër, duke harruar se urreheshin.
Çdo sfidë e tija është një vepër arti. Dikur i realizonte fshehtazi, ilegalisht, tani nga pas ka sponsorë e financues. Por Petit nuk ecën mbi boshllëk për hir të parave (përkundrazi, nuk fiton thuajse asgjë), as edhe për t‘u vendosur në qendër të vëmendjes ("nuk më pëlqejnë rekordet, megjithëse i kam mposhtur të gjitha"). Nuk joshet as nga ledhat e publicitetit, duke qenë se qëndron gjithë kohës i mbyllur brenda katedrales së vet. Atëherë përse shëtit mbi ata litarë të tendosur në lartësi prej qindra metrash, përse rrezikon çdo herë të hedhë një hap fals e të humbasë jetën? Nuk di ta shpjegojë me saktësi, ashtu si edhe Matis nuk dinte të shpjegonte përse përdorte disa ngjyra të caktuara në veprat e veta. Thotë vetë se i pëlqen të shkojë në "një truall, ku asnjë njeri nuk ka mundur të vërë këmbë. Pasi një qenie njerëzore në një lartësi tepër të madhe, shumë i fortë, por njëherësh shumë i brishtë, përbën imazhin e përkryer". E vështirë? "Duhet pasur besim, duhet të mendosh në zota për të mundur të jesh aty, pa lejuar që zemra të nisë të rrahë si e marrë, apo mendja të nisë të bëjë shaka".
Petit, siç e thotë edhe vetë kjo fjalë, që në shqip përkthehet "i vogël", është veç një pikëz në pafundësinë e qiellit. E, megjithatë, është shumë më pranë zotërve nga ne të tjerët që rrimë gjithë kohës këtu poshtë. Mitet e lashta tregojnë se të gjithëpushtetshmit zemëroheshin në rast se ndonjë i çartur guxonte t‘u afrohej dhe e hidhnin përdhe. Ndërsa tani rrinë e shohin atë burrë që ngjitet në qiell me këmbët thuajse të zbathura, si të ishte një mistik në kërkim të absolutes.
Gazeta: Shqip