Besnikeria dhe lutja lidhja e ngushte mes tyre

Besnikeria dhe lutja, lidhja e ngushte mes tyre
Mungesa e besnikërisë është diçka që ka të bëjë me natyrën e gjërave të gjalla. Zogjtë, gjitarët, amfibët madje edhe peshqit i tradhtojnë partnerët, duke i detyruar ata që më së paku të jenë vigjilentë. Edhe njerëzit nuk bëjnë përjashtim në këtë tërësi qeniesh që tradhtojnë. Edhe pse tradhtia është një veprim që dënohet haptazi publikisht dhe cilësohet si amorale dhe e ulët, madje në disa raste për të parashikohen dënime, tradhtia është e kudondodhur dhe nuk do t’ia dijë nga dënimi që merr në publik. Megjithatë duket se edhe vetë Zoti është kundër një fenomeni të tillë.

 Të paktën sipas një studimi të fundit del në pah se lutja mund t’i largojë njerëzit nga tradhtia, apo sjelljet që përmbajnë tradhti, kryesisht ndaj partnerit, por dhe në kuptimin më të gjerë të fjalës. Një studiues i Universitetit të Floridës dhe kolegët e tij kishin dijeni, duke u referuar studimeve të mëparshme, se çiftet që marrin pjesë në ceremonitë dhe ritet fetare kanë më shumë shanse që të ndihen të kënaqur me martesën dhe partnerin e tyre se çiftet që nuk e kanë këtë kulturë jetese. Kjo do të thotë se ata janë më besnikë në martesat e tyre dhe kanë më pak gjasa që të mashtrojnë partnerin. Por këta çifte ndërkohë nuk e kuptojnë arsyen e një sjelljeje të tillë. Ndoshta është lutja e përbashkët për një jetë të pastër që i bën këta çifte të jenë më të devotshëm?

Grupi i shkencëtarëve të universitetit vendosi që të bënte një eksperiment për të provuar një hipotezë të tillë. Kështu, ata “rekrutuan” 83 studentë të universitetit që deklaruan se kishin lidhje romantike me partnerë të tjerë dhe herë pas here luteshin së bashku. Pjesëmarrësve iu dha një pyetësor që përdoret nga psikologët për të matur nivelin e pabesisë te njerëzit. Ishte një sondazh që përbëhej nga 9 pikë, ku 9 shënonte prezencën më të lartë të pabesisë. Sondazhi i ftonte të intervistuarit që të mendonin në lidhje me personin ndaj të cilit ishin më të tërhequr fizikisht dhe shpirtërisht, përveç partnerit të tyre. Pyetjet ishin të natyrës, si për shembull, sa të emocionuar ndiheshin ata në praninë e personit tjetër, nëse skuqeshin apo jo kur e takonin, sa të lidhur emocionalisht e ndjenin veten me të.

Në fazën e dytë të pyetësorit pjesëmarrësit pyeteshin në lidhje me mendimin e tyre për deklarata të tilla si: “marrëdhënia ime me partnerin tim është e shenjtë dhe hyjnore”, e të tjera si këto. Në përfundim të sondazhit, pjesëmarrësve iu caktuan disa veprimtari që duhet t’i kryenin gjatë ditës, të tilla si lutjen për mirëqenien e partnerit të tyre, lutjen pa një qëllim të caktuar, mendimin në mënyrë pozitive për partnerin e tyre apo reflektime për ditën. Në fund të kësaj periudhe, grupi i shkencëtarëve mati edhe njëherë masën e “tradhtisë” dhe atë të “shenjtërisë”, që pjesëmarrësit mendonin se ishte marrëdhënia e tyre.

Rezultatet e këtij eksperimenti të gjatë janë publikuar në revistën “Journal of Personality and Social Psychology”. Nga ky studim doli se të gjithë pjesëmarrësit kishin një përqindje të përafërt të mungesës së besnikërisë, që shkonte tek 3.5%. Në fund të eksperimentit, ata persona që ishin lutur më shumë e kishin përqindjen e “tradhtisë” më të ulët se në fillim të tij, ndërsa ata që vetëm kishin menduar pozitivisht për partnerin përkatës e kishin përkatësisht më të lartë se në fillim të eksperimentit. Ajo që i bëri me të vërtetë përshtypje grupit të studiuesve ishte rezultati që ato subjekte që kishin bërë më shpesh lutje të natyrës së përgjithshme kishin një përqindje më të ulët se të dyja grupet e mëparshme për sa i takon nivelit të pabesisë ndaj partnerëve.

Ky rezultat u sugjeroi studiuesve që ndoshta vetë akti i lutjes në vetvete ishte një faktor për shtimin e besnikërisë. Në fakt gjërat janë shumë më të ndërlikuara se kaq. Katër pjesëmarrës në këtë eksperiment, që bënin pjesë në grupin e atyre që kishin bërë lutje pa ndonjë objektiv të caktuar, por të përgjithshme, kishin vendosur më pas që të luteshin për partnerët e tyre dhe lidhjen e tyre romantike çdo ditë. Këta kishin dhe pikët më të ulëta. Kjo pra të çonte në përfundimin se nuk ishin lutjet pa një objektiv ato që bëjnë diferencën në këtë rast. Pikët dhe përqindjet e pjesëmarrësve reflektojnë shumë edhe mënyrën e ndryshimeve që kanë pësuar ndërkohë marrëdhëniet e tyre romantike gjatë muajit që u zhvillua eksperimenti. Vlerat në fillim të eksperimentit ishin pak a shumë njësoj për të gjithë pjesëmarrësit, pra ishin diku tek 3.2%.

Megjithatë, në fund të studimit ata që ishin lutur për partnerët e tyre shfaqën një besim më të fortë në lidhjen e tyre në krahasim me ata që luteshin në përgjithësi. Sipas studiuesve, lutja për partnerin dhe për lidhjen ndihmon për të krijuar një imazh të shenjtë për këtë marrëdhënie dhe një gjë e shenjtë nuk mund të dëmtohet. Sipas tyre, kjo është forca që ndikon në reduktimin dhe pakësimin e tradhtive në individë të tillë. Por edhe në përfundim të këtyre studimeve grupi i studiuesve e dinte se një nga kufizimet thelbësore të punës së tyre është se të dhënat janë të gjitha të vetëraportuara nga subjektet që merren në pyetje, pra në këtë rast nga subjektet që luten.

Për të provuar më mirë lidhjen mes lutjes për partnerin dhe të qenët besnik, ata duhet që të bënin edhe eksperimente të tjera. Kështu, në një tjetër eksperiment që pasoi atë të mëparshmin, ata morën në pyetje 23 studentë që kishin lidhje romantike dhe që deklaronin se ata luteshin rastësisht, pra jo rregullisht për partnerët e tyre dhe për lidhjen dhe u dhanë për detyrë që gjatë një muaji ose të luteshin për partnerët ditë për ditë, ose të kishin mendime pozitive për ta. Bëhet fjalë gjithmonë për një periudhë 4-javore.

Në fund të kësaj periudhe pjesëmarrësit erdhën në laborator me partnerët e tyre dhe ndërsa po filmoheshin së bashku u pyetën në lidhje me parashikimet afatshkurtra dhe afatgjata të lidhjes së tyre. Videot iu prezantuan 5 kërkuesve shumë të trajnuar në fushën e psikologjisë, por që nuk ishin në dijeni të qëllimeve dhe objektivave të studimit. Atyre iu kërkua që të rendisnin nivelin vërtetësisë së zotimeve të çifteve në një shkallë nga një në shtatë. Njëshi për ata që ishin shumë pak të dhënë ndaj partnerëve, ndërsa shtata maksimalja. Grupi i punës zbuloi se ata që ishin lutur kishin marrë edhe avarazhin më të lartë në shkallë në krahasim me ata që vetëm kishin menduar pozitivisht. Pra, si edhe në eksperimentin e parë, edhe në këtë të dytin del se lutja ndikon shumë në llojin e marrëdhënies dhe mbi të gjitha në fenomenin tradhtisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama