Pikërisht për këtë pëlqejnë të flasin në intervistën për "Shekullin": ballafaqimi i artit tradicional me artin bashkëkohor, përplasja e brezave dhe misioni i artit. Refuzojnë të flasin për problematikat politike dhe shoqërore që jeton Irani i sotëm dhe si ndikon kjo klimë në art.
Ekspozita rri e hapur për një javë në Muzeun Historik Kombëtar.
Një temë që gjen vend gati në të gjitha punët tuaja është marrëdhënia e së shkuarës me të tashmes. Përse e përqafuar nga të tre kjo temë?
Said Moayyeri Zadeh: Në Iran kemi mbrojtës fanatikë të kulturës tradicionale, të cilët nuk e dëshirojnë ndryshimin. Ka një pengesë në komunikim midis këtyre dy grupeve që mbrojnë artin tradicional dhe "modernëve". Tradicionalja përkrahet nga të moshuarit por gjen përkrahës edhe në mesin e të rinjve besimtarë.
Artistët tanë kanë kryesisht tendenca evropiane-amerikane në art, por kemi edhe të tjerë nostalgjikë që duan të rikthehen në të shkuarën.
Në punët e mia jam përpjekur t'i përmbledh të dy stilet e pikturës.
Po për kaligrafistin dhe grafistin si është ky raport?
Ali Zaeem (grafist). Ne jetojmë me iluzionin e së shkuarës, të kulturës, historisë. Kemi krijuar një iluzion për veten sepse jemi një vend me histori të gjatë. Historia tradicionale është shumë e bukur, e thellë, por nuk i përgjigjet të sotmes. Unë i tregoj këto probleme në punët e mia të cilat ngrihen mbi konceptin e së shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes. Nuk e dijmë se ç'duhet bërë me mendimin tracional dhe me teknologjinë moderne.
Einodin Sadeghzadeh (kaligrafist). Është një traditë 500-vjeçare që i ka rrënjët te shkrimi persian. Por unë bëj stilin modern të kaligrafisë. Tradicionalja bazohet rreptësisht te ligji i dizajnit, masat, format. Unë punoj më lirshëm, gjej kompozime të reja dhe mënyra të reja të shprehuri në këto punë. Një gjuhë universale që bazohet në stilin persian të të shkruarit.
Çfarë kërkoni të bëni ju ndryshe?
Said Moayyeri Zadeh: Koncepti i pikturës tradicionale ngrihet mbi urtësinë dhe mbi mistiken. Ndërsa piktura moderne ngrihet mbi logjikën dhe përvojën. Unë përpiqem që me anë të punëve të mia ta shuaj kontradiktën midis brezave dhe të vendos një urë komunikimi midis këtyre dy prirjeve. Këtë e quaj neofolklor. Në pikturën tradicionale kanë shumë rëndësi shenjat dhe simbolet.
Në pikturën time i sheh të dyja. Kemi këtu mollën që Njutonit "i tërhoqi vëmendjen" dhe zbuloi një ligj të madh, që është Forca e Rëndesës. Në qoftë se do ta shohim natyrën me vëmendje, mund të shtiem në dorë shumë të vërteta dhe mund të kuptojmë simbolet. Por në pikturë është futur edhe mënyra e jetesës e atyre njerëzve që më rrethojnë. Më pëlqen të tregoj kontrastin mes shtresave të ndryshme të shoqërisë, problemet sociale. Për mua është e rëndësishme të vështroj botën e jashtme dhe të brendshme, pa fanatizëm. Të përpiqemi t'i kuptojmë ato dhe të jemi në gjendje të ligjërojmë për to.
Duke parë teknikën e realizimit të punëve krijohet përshtypja se përparësi te ju merr koncepti.
Said Moayyeri Zadeh: Unë kam punuar me konceptin dhe i kushtoj shumë vëmendje.
Mendoj edhe që piktura duhet të ketë logjikë. Po t'i heqim njeriut logjikën, kthehet në kafshë. Logjika duhet të mbizotërojë në këtë dialog që ekziston mes tri elementeve, ngjyrës, formës dhe shenjave.
Einodin Sadeghzadeh: Arti është një perceptim personal dhe gjithkush gjen mjetet për ta shprehur atë. Forma kompozicionale është me rëndësi për mua, kurse koncepti vjen në plan të dytë. Kam 25 vjet rresht që punoj me kaligrafinë me teknikën e ziftit në pëlhurë. Pas këtyre viteve punë gjeta edhe një rrugë për t'u shprehur.
Pak e vështirë ta kuptosh botën tuaj në pëlhurë....
Bën fjalë për ëndrrat, ndjenjat, thellësinë e ndjenjave.
Me çfarë problemesh përballet një artist sot në Iran. Nga televizioni ju njohim si një vend i mbyllur, me shumë probleme politike. Herë pas here ka lajme të mira nga kinemaja juaj. Si është në të vërtetë?
Said Moayyeri Zadeh: Përpiqem që punimet e mia të mos lidhen me politikën, me palën që kërkon pluralizmin dhe atë që nuk e pranon. Mendoj që duhet një dialog midis tyre. Nëse nuk zhvillohet dialog ndërmjet këtyre dy prirjeve politike, ne përfundojmë te nazizmi. Për njerëzit dhe për vete dëshiroj të mos ekzistojë një gjë e vetme: Fanatizmi. Ne mund të kemi edhe diktaturë moderne dhe diktaturë tradicionale. Kurse,
për të punuar jemi të lirë. Për të ekspozuar diku, duhet të marrim leje.
Ku?
Është më mirë, ta përfundojmë këtu bisedën.
A mund të bisedojmë bashkë për këtë Ali?
Ali Zaeem: Çështjet politike u takojnë burrave të politikës. Ne mund të bëjmë një progres të madh nëse ecim me gjeneratën e re. Këto punë moderne janë shembull i mirë për t'iu treguar njerëzve që populli iranian po bën progres. Ne jemi një vend modern në Lindjen e Mesme. Kemi shoqata që nuk kanë lidhje me qeverinë, shoqata e kaligrafistëve, e dizajnit grafik, e artit figurativ të cilat punojnë për veten e tyre dhe hapin ekspozita në të gjithë Iranin dhe kanë ftesa nga e gjithë bota. Ne vetë kemi hapur ekspozita në USA, Kanada, Rusi, Ukrainë. Punojmë dhe përpiqemi shumë për të qenë artistë të pavarur. Ndonjëherë kemi problemet fetare, por në ditët e sotme, gjithçka po zbehet. 30 vjet pas revolucionit islamik unë mendoj se gjithçka po shembet hap pas hapi, problemet fetare po zbehen dhe ka një mënyrë të re të të menduarit.
Biografia
Einodin Sadeghzadeh: Ka lindur më 1966 në qytetin Babolsar. Ka 25 vjet që merret me kaligrafi dhe është profesor në Univiersitetin e Artit në Iran. Ka marrë pjesë në panaire artistike individuale brenda dhe jashtë vendit, në Rusi, Kanada, Ukrainë, Angli, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ali Zaeem: Ka lindur më 1969 në Teheran. Ka përfunduar studimet për grafikë. Është profesor i artit në Universitetin e Iranit dhe drejtor i artit grafik në shtëpitë botuese: "Cheshmeh", "Sales", "Negah" dhe "Tus". Ka hapur ekspozita në Evropë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Japoni. Said Moayyeri Zadeh: Ka lindur më 1964 në Teheran. Është profesor i pikturës në Universitetin e Iranit. Ka hapur disa ekspozita personale dhe është pjesëmarrës në ekspozita të përbashkëta dhe Bienale të organizuara në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Teheran.
Ekspozita Qeramikë, qelq...
Pjesë e ekspozitës janë edhe objekte artizanale. Komplete gotash, çajnikësh, ibrikësh, pjatanca qeramike, qelqi, druri, metali, bronzi të lara në ar. Mendohet të jenë prodhuar, 400-800 vjet më parë dhe përdoren për zbukurim në familjet iraniane.
Në ekspozitë, vizitori sheh edhe një kënd fotografik që ballafaqon Iranin e dy botëve: antikja ku ruhen gjurmët e kompleksit antik të Persepolisit (515 p.e.s) dhe godinat gjigande të ngritura në kohët moderne. Gjatë një jave që rri e hapur ekspozita ofrohet për vizitorët një minikinema, ku shfaqen 8 filma të realizuar nga regjisorët iranianë.