Edhe pse kjo betejë u bë në vitin 1389, serbët e nxorrën nga arkivi rreth shek XIX si ngjarje, nga ku gatuan pastaj atë përrallë historike që viktimizon kombin serb, si gjoja humbës përballë osmanëve duke shtuar “argumentin” se shqiptarët erdhën në Kosove pikërisht në këtë betejë si aleat të Osmanëve. Pikërisht, për këtë argument, me shkatërrimin e Perandorisë Osmane gjatë fillim shek XX këto territore duhej ti ktheheshin Serbisë…si gjoja toke serbe! Kjo tezë është ritrajtuar edhe tani, duke spekuluar mjaft, me përkatësinë etnike të Kosovës, ku disa e quajnë Turqi, duke sjellë në kujtesë fenë…, disa e quajnë serbi duke sjellë në kujtesë betejën e vitin 1389 në Fushë-Kosovë. Ndërkohë faktet historike dëshmojnë të kundërtën!
***
I
Me vdekjen e sunduesit Car Dushani (1355) shpërthyen mospajtimet e brendshme në shtetin serb. Ndërkohë në palcën shqiptare ngritën krye fisnikë shqiptarë të cilët duke nuhatur dobësimin e Serbisë nuk ngurruan për të rifituar territoret e humbura më parë, konkretisht në Zetë e në Shqipërinë e epërme u fuqizuan së tepërmi Balshajt, në verilindje e në Shqipërinë e mesme Dukagjinët e Kastriotët. Në jug aleanca shqiptare e krijuar nga Karl Topia e Gjin Bue Shpata korrën një fitore të lavdishme në luginën e Ahelout ne vitin 1358, kundër Niqofor Angjelos (dhëndër i Stefan Dushanit), i cili kishte në ketë betejë kishte si aleat serbet, të udhëhequr nga prijësi serb Th. Preljuboviç. Mbas kësaj fitore Princat shqiptar zotëruan Etolinë, Akarnaninë dhe periferinë e Artës.
Në territore të tjera sundimi u përtërit me elementin serb nëpërmjet se cilës do të shohim se në luginën e Moravës, u vendos Llazar Hrebelanoviqi, ndërsa në pjesën e Kosovës së mirëfilltë, rrethi i Prishtinës, Vuçiternës dhe i Zvercanit u vendos pushteti i Vuk Brankoviçit. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIV në horizontin ballkanik u shfaq rreziku osman. Depërtimet osmane në thellësi të gadishullit sa vinin e bëheshin edhe më kërcënuese, kësisoj princat e Ballkanit e panë vetën të bashkuar para këtij rreziku të madh që po u kanosej, e që ishte më afër se kurrë. Fati politik i kësaj hapësire, në rrethana te reja do të vendosej në Kosovë e pikërisht në fushën e mëllenjave.
Tashmë zot i dy të tretave të Azisë se Vogël, Sulltan Murati iu kthye me të shpejtë përqendrimit për zgjerim në Ballkan sepse pritej fushata e programuar prej tij. I nisur nga Filipi, ai nuk shkoi drejt Sofjes as drejt Nishit, ku e prisnin Llazari dhe Tvërokja, por drejt Velbuzhdit (Kjustendil), prej ku mbërriti në Fushën e Kosovës –Kosovo polje -në afërsi të qytetit të sotëm te Prishtinës. E sigurt është se në këtë betejë ushtria e Muratit ishte e përforcuar me kontigjentët e vasalëve të tij të krishterë: Kostandini, princi bullgar i Velbuzhdit, serbi Marko Kraljevic, armik i Llazarit, ndër to mungonte basileusi Jovan V, që s’ishte në gjendje të mobilizonte trupa.
Përballë ishin rreshtuar ushtritë e princit Llazar dhe të mbretit Tvërtko të cilët ishin përforcuar me kontigjente vllahe të Vojvodës Mircea dhe nga shqiptarët e Gjergj Balshës dhe të Dhimitër Jonimës. U fol për 10.000 vetë nga njëra anë dhe për 60.000 vetë nga tjetra duke i kthyer shifrat sipas burimeve osmane ose kristiane. Beteja përfundoi me pasoja për aleancën ballkanike ata u thyen bashkë me shpresën për të ushtruar më gjatë e në mënyrë sovrane pushtetin e tyre mbi territoret e principatave.
II
Veç të tjerash ngjarja mes serbëve dhe shqiptarëve perceptohej në mënyrën e gjithë se cilit. Rapsodët kishin nisur ndërkaq fillimet e këngëve të tyre secili në gjuhën e vet. Ato ngjanin me këngët e hershme, madje dhe fjalët ishin po ato. Pleqtë serbë këndonin: O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët dhe po ashtu lahutarët shqiptarë: Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë. Në këto këngë epike lahutare, bie në sy lartësimi i dy figurave kryesore që përkojnë më ngjarjen.
Në epikën Shqiptare, lartësohet fort, epërsia, dukja dhe trimëria e heroit te luftës Milosh Kopiliqit, nëpërmjet së cilës ngrihet lart akti i tij historik, ai i vrasjes së sulltan Muratit në çadrën e tij pak pas mbarimit të betejës. Ndërsa në epikën serbe ngrihet lart figura e mbretit Lazar, qe shkon deri në legjendë. Ai u kthye në hero dhe shenjtor, kësisoj siç e donin rregullat edhe jeta e tij, filloi të përshkruhej në frymën e vuajtjeve të Krishtit. Megjithëse të tërheq vëmendjen fakti se tradita popullore serbe për Milosh Kopiliqin është fare e varfër. Kjo heshtje përcillet me shekuj. Për të do të flitet vetëm në dy shekujt e fundit atëherë kur nis të krijohet miti serb i Kosovës. Serbët pretendojnë edhe këtu mbi përkatësinë etnike të këtij heroi.
Në lidhje me përmbajtjen dhe origjinalitetin e epikes serbe, ngelet shumë për të dyshuar duke marrë parasysh edhe vendin apo periferinë ku janë mbledhur këto këngë. Vuk Karaxhiçi thotë se dhjetë nga njëmbëdhjetë këngët të betejës së Fushë-Kosovës, i ka mbledhur në një lokalitet të veriut në Srem, ndërsa të njëmbëdhjetën në Karlovac të Kroacisë. Për kundër, këngët shqiptare janë regjistruar në vatrën e ngjarjeve, ose në rrethina të afërta me to ku organisht bashkë më këngët jetojnë edhe shqiptarët sot e asaj dite si: në Fushë-Kosovë, Drenicë, Prishtinë, Pejë, Rugovë, Ferizaj, Has, etj. Kështu në Serbi u krijua një epos që në Evropën perëndimore arriti të fitojë edhe admirimin e vetë Gëtes. Këtyre këngëve iu mungonte edhe baza tjetër historike, heroi kryesor Marko Krajleviç, që në të vërtetë ishte një bashkëpunëtor i deklaruar i osmanëve, e që në betejën e Fushë-Kosovës ishte përkrah tyre, megjithatë u vazhdua të “besohej” në historitë e pasqyruara në këngë deri në ditët e sotme.
Nëpërmjet këtyre këngëve epike u krijua një mitologji. Serbët rrekën të argumentojnë se mu në këtë vit, në këtë betejë daton fataliteti i mbretërisë se tyre, kjo sipas tyre për faj të shqiptarëve të cilët ishin përkrah turqve. Nëpërmjet kësaj mitologjie serbët i mëshojnë idesë së shqiptarët janë të ardhur bash në këtë kohë, dhe nuk kanë luftuar kundër pushtuesve turq, por ata kanë ndihmuar këtë perandori duke shërbyer në të. Në fakt në çdo perandori, për vetë natyrën e tyre, çdo popull shërben në administratën e saj, sikurse çdo popull lufton pastaj për pavarësinë e tij. Shqiptarët e dëshmuan me luftëra të përgjakshme edhe kundërshtinë ndaj pushtimit Osman, vetë periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit e dëshmon ketë. Serbët ngritën kultin famëkeq se Kosova është djepi i Serbisë e shkojnë deri aty sa citojnë se Kosova është “Jeruzalemi Serb”.
E gjithë kjo filozofi zuri fill në 28 qershor 1389 ku daton edhe beteja e famshme mes aleancës ballkanike në njërën anë dhe Osmanëve në anën tjetër të udhëhequr nga Sulltan Murati. Por kjo betejë do te marri trajta vërtet historike, patetike, e nacionaliste për serbët gjatë shekullit XIX, ku edhe shikohej rënia e Perandorisë Osmane e gjithsesi duhej gjetur një ideologji për te aneksuar trojet shqiptare që gjendeshin brenda perandorisë duke e ashtuquajtur legjitimim historik të serbëve mbi Kosovën. Dhe më së miri ishte ideologjia serbe e shekullit XIX ajo që krijoi kultin e Betejës Mesjetare të Kosovës, si një lloj ngjarje historike e vetpërcaktimit nacional dhe shpirtëror.
III
Popullsia e Kosovës, në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe në shek. XVII për shkak të pushtimit nga Perandoria Osmane, një pjesë e konsideruar e popullsisë shqiptare islamizohet dhe si rrjedhim, një pjese e antroponimisë së saj shndërrohet në antroponimi të sferës fetare islamike. Identiteti kombëtar shqiptar u ruajt fort sepse nuk përfaqësohej me fenë sikurse fqinjët, (serbët dhe grekët- M.P) por thellë me identitetin shqiptar i cili nuk diktohej nga përkatësia fetare.
Prania e popullsisë shqiptare në këtë kohë përbën në vetvete një dëshmi të pakundërshtueshme, që provon se ajo ekzistonte aty edhe në periudhën e sundimit mesjetar rasian-serb, se ishte autoktone dhe vazhduese e popullsisë së dikurshme ilire, se me sukses i kishte bërë ballë procesit të sllavizimit gjatë shekujve XII-XIV ne sajë të këtij virtyti të veçantë.
Përveç kësaj, për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë ekonomikë e social-politikë. Ku shumë faktorë ekzistencial dhe jetësorë lidheshin me pasjen e fesë myslimane, si p.sh, mbajtja e armës, shtimi, mbajtja, trashëgimi i pronës, si dhe karriera ushtarake vareshin nga përqafimi ose jo i fesë myslimane. Megjithatë disa parime janë te kristianizmi si themel, ndërsa disa janë te muslimanizmi si superstrukturë mendimi dhe sjellje. Të parat vlejnë si traditë dhe edukatë historike, të dytat si formë konkrete të përshtatjes në rrethana të reja historiko-konkrete ku imponimi i islamizmit ka në themel tezën e konvertimit. Në këtë periudhë kohore, ku populli shqiptar qëndroi pothuajse për 500 vjet nën pushtimin Osman u shënuan shumë ngjarje e rrethana historike të cilat pasqyrojnë rëniet dhe ngritjet gjatë këtyre shekujve.
Trojet shqipfolëse u ndanë në katër vilajete, ku mes të tjerash me ndarjen administrative osmane në 1871, u krijua edhe vilajeti i Kosovës me qendër ne Shkup. Sipas regjistrave e statistikave zyrtare osmanë ky Vilajet kishte 840.000 banorë. Një vilajet ky mjaft i gjerë për nga shtrirja por edhe për nga popullsia, ku pjesa dërrmuese ishte Shqiptare.
Në tërësinë e kësaj pjese administrative së bashku me Sanxhakun e Nishit, Vilajeti i Kosovës përfshinte në gjirin e vet troje të tjera etnike shqiptare. Këtë e pohojnë, midis të tjerëve, tre vëzhgues të huaj, të cilët disa dekada përpara Kongresit të Berlinit, i vizituan këto troje. Që te tre këta vëzhgues, njohës të mirë të Gadishullit Ballkanik, studiuesi erodit frëng, Ami Boue më 1810, analisti i mprehtë britanik E. Spenser më 1847 dhe shkencëtari i njohur austriak J. Hahn më 1853, kishin dhënë në mënyrë të përafërt edhe konturet e trojeve ku shqiptarët ishin të pranishëm në kohën e tyre.
Sipas tyre, shqiptarët ishin të pranishëm në “Veri deri në Nish, Leskofc dhe Vranjë, në Lindje deri në Kumanovë, Prelep dhe Manastir, në Jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, pa qenë nevoja të përsëritet se në periferi të kësaj treve kishte përzierje etnish, ku shqiptarët formonin diku pakicën përball etnive tjera.
Për fund!
Kur Perandoria Osmane po tronditej thellë në rrënjët e veta, serbët nxorën nga antropopsikikja e tyre mitin për Kosovën. Por kësaj rradhe me një program të detajuar e me ideator shtetarë e akademikë. Një platformë të tillë themeloi Ilia Garashani Ministër i Brendshëm i Serbisë në vitin 1844, e që njihet platforma e parë politike e detajuar e qarqeve drejtuese të Beogradit, njëherësh dhe baza ideologjike e programit shovinist të “Serbisë së Madhe”. Si synim kryesor i autorit ishte plotësimi i detyrave të përcaktuara nga car Stefan Dushani të cilat qenë ndërprerë nga beteja e Kosovës e vitit 1389. Në këtë mënyrë rikrijimi i Perandorisë Serbe arsyetohej si e drejtë historike, të cilët ngelej për ta përfunduar sundimtaret e shekullit XIX. E gjithë kjo devizë politike u mbështet e u propagandua në baza mitike, folklorike e asesi shkencore, nga ku u mobilizuan një grup i tëre akademikësh gjatë ty shekujve për të ushqyer, argumentuar, e mbështjellur me të ashtuquajturën argument shkencor ketë arsyetim mesjetar.
Por, siç thekson edhe S. Pulaha kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës anti-shqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar – mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre. Prandaj ky mit do të bjerë shpejt dhe Kosova do të shohë dritën e vet historike kur bota do të njohë të vërtetën- se Kosova s’është asgjë tjetër veçse shqiptare!