Beteja per bustin e Nolit

'Beteja' per bustin e Nolit

Kisha Ortodokse “Apostull Pavli e Shën Asti” e Durrësit është dakord që busti i Episkopit Theofan Noli të vendoset në qytetin e Durrësit, por jo brenda ambienteve të kishës. Reagon Shoqata “Foleja Kombëtare”

Një “betejë” deklaratash ka qenë dita e djeshme mes Kishës Ortodokse “Apostull Pavli e Shën Asti” nga njëra anë dhe Shoqatës “Foleja Kombëtare”, nga ana tjetër. Shkak vijon të jetë busti i Fan Nolit. Një ditë më parë, Shoqata “Foleja Kombëtare deklaroi se Kisha Ortodokse “Apostull Shën Pavli dhe Shën Asti” nuk kishte pranuar kërkesën e saj për ta vendosur bustin në oborrin e kishës. Për këtë arsye, busti u vendos në Kishën “Shën Mëria” të Elbasanit me një ceremoni solemne, ku nuk munguan dhe akuzat në drejtim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kreut të saj, Anastas Janullatos. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Kishës Ortodokse “Apostull Pavli e Shën Asti” të Durrësit, e cila përmes një deklarate për shtyp shprehet se është dakord që busti i Episkopit Theofan Noli të vendoset në qytetin e Durrësit, por jo brenda ambienteve të kishës.  “Kemi qenë dhe jemi dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. Theksojmë se ishte organizata ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ që i ndërpreu bisedimet me Kishën ‘Apostull Pavli & Shën Asti’ të Durrësit, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun tonë. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me pamflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët.

 

Mënyra sesi u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për Kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë”, – shkruhet në deklaratën e djeshme për shtyp të Kishës “Apostull Pavli dhe Shën Asti” të Durrësit. Vetëm pak orë pas kësaj deklarate kanë reaguar përfaqësuesit e Shoqatës “Foleja Kombëtare”, që e cilësuan si hipokrizi reagimin e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse të Durrësit. “Kisha Ortodokse në Durrës thotë se është ‘dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës’. Nëse priftërinjtë e KOASH mendojnë se janë kryebashkiakë, ky është problemi i tyre. Kërkesa e dorëzuar që më datë 18 qershor kërkon që busti të vendoset në Kishën Ortodokse të Durrësit, ku Hirësi Theofan Noli ishte mitropolit dhe jo ‘diku në Durrës’. ‘Foleja Kombëtare’ nuk ka bërë as pamflete e as ultimatume. Kërkesa është dorëzuar që më datë 18 qershor. Nëse ata duan të japin përgjigje pozitive që busti të vendoset në oborr të kishës, ne marrim përsipër që të financojmë dhe ndërtojmë një bust edhe më të madh për Mitropolit Theofanin. Kisha Ortodokse në Durrës, me hipokrizi nuk mund të manipulojë opinionin publik. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit! Në këto kushte, ‘Foleja Kombëtare’, pas kërkesës zyrtare që i ka dërguar edhe pse e ka refuzuar një herë, pyet zyrtarisht Kishën Ortodokse në Durrës, nëse do ta pranojë dhuratën tonë, vendosjen e një busti të Mitropolit Theofan Nolit në oborrin e Kishës Ortodokse në Durrës, apo e refuzon sërish kërkesën që ne i kemi dërguar zyrtarisht?”. Kështu, shoqata pret me sa duket një përgjigje publike për pyetjen që shtron në fund të deklaratës.

Protesta e Intelektualëve


Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë e ka parë si detyrim të reagojë dje me një deklaratë-protestë ndaj sulmeve të vazhdueshme sipas saj, që po i bëhen prej gati një muaji Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe veçanërisht kryepeshkopit Anastas Janullatos. “Megjithëse nga ngjarja historike e 1 qershorit ka kaluar afro një muaj, në media vazhdojnë sulme të përsëritura kundër Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe veçanërisht Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi. Ndaj jemi të detyruar të shprehim protestën tonë ndaj kësaj fushate tendencioze, të pavërtetë dhe që cenon harmoninë fetare në vend.”. Deklarata e Intelektualëve Ortodoksë vijon me renditjen e arritjeve të Kishës Ortodokse Autoqefale nën drejtimin e Kryepeshkopit Janullatos, duke kulmuar me ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Kishës Ortodokse, siç ishte Shenjtërimi i Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të lartë të Patriarkanës Ortodokse. “Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë, nëpërmjet kësaj deklarate shpreh keqardhjen dhe dënon përpjekjet për të zbehur këtë ngjarje të rëndësishme të kishës sonë dhe të ‘… Kishës së Shenjtë, Ortodokse, Katolike dhe Apostolike…’. Dënon përpjekjet për të injoruar pjesëmarrjen e krerëve të kishave ortodokse për nder të këtij evenimenti, si edhe përpjekjet për të anashkaluar nderimin  dhe respektin që ofroi pjesëmarrja e krerëve të shtetit dhe politikës shqiptare. Këto qëndrime përçarëse, të shprehura në media të ndryshme nga individë që kërkojnë të nxisin konflikte, për KOASH-in dhe kreun e saj, Fortlumturinë e Tij, Anastasin, janë të pabaza dhe të pavërteta”. Përmes kësaj deklarate, Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë shpreh përkrahjen e saj ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryepeshkopit Anastas Janullatos.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama