Fotot më të fundit të Parkut të Liqenit tregojnë qartë betonizimin dhe shkatërrimi e gjelbërimit dhe pemëve.
Në qendër të të ashtuquajturit "kënd i lojërave" është një shesh betoni, me disa pemë, tashmë me funksion dekorativ, që dalin mbi të.
Këndi i lojërave nuk do t'i ofrojë fëmijëve aktivitete që lidhen me natyrën. Në vend të barit, fëmijëve po ju ofrohet një terren betoni.
Në vend të lojës nëpër pemë, tani ata do të luajnë në tavolina ping pongu prej betoni.
Përreth këndit po ndërtohet një strukturë gjigande betoni që do të shërbejë për funksionimin e një treni, me shumë mundësi me pagesë.
Këndi i lojrave në Parkun e Liqenit ngjan me lulishtet e lagjeve, ndërtuar në hapësirat e betonizuara mes pallateve, apo me ambientet me lojëra për fëmijë që ofrojnë qendrat tregtare.
Kryebashkiaku Veliaj, pak kohë më parë, u shpreh se këndi po ndërtohet që të largojë fëmijët nga qendrat tregtare. Në fakt, ajo që po i ofron kryebashkiaku fëmijëve është një imitim i qendrave tregtare në këmbim të shkatërrimit të të vetmes hapësirë të gjelbër në Tiranë.