Betonizohet Kruja Forumi i Trashegimise leshon sinjalin ‘SOS’ (FOTO)

Betonizohet Kruja, Forumi i Trashegimise leshon sinjalin ‘SOS’ (FOTO)
Çdo ditë që shkon do të thotë më shumë beton në Krujë. Në hyjrjen e Pazarit të Vjetër të qytetit që personifikohet nga kështjella mesjetare, prej muajsh ka ‘mbirë’ një pallat. E kjo ka ndodhur në sytë e banorëve të zonës, të vizitorëve, të institucioneve lokale e qendrore. Thuhet se ai është një ndërtim pa leje. Pak pas tij mbiu një tjetër godinë, këtë herë pakëz më tej, në hyrje të Kalasë së Krujës.

Asnjë reagim megjithë denoncimin e vazhdueshëm të specialistëve. Ndonëse e patën ngritur zërin më shumë se njëherë pasi kishin dokumentuar atë që po ndodhte në Krujë, anëtarë të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike kanë shkuar në këtë qytet, pikërisht aty ku po ndodh batërdia për të lëshuar alarmin a sinjalin ‘SOS’.

Artan Lame nga Kruja tha: ‘Prej muajsh kemi denoncuar këtë që po ndodh këtu me ndërtimet pa leje dhe asnjë reagim nuk ka pasur nga institucionet. Është absurde e gjithë kjo që po ndodh në një qendër e cila nuk është e rëndësishme veçse për Shqipërinë shtetërore por për mbarë shqiptarët. Kjo që po ndodh ka dy pasoja të mëdha, së pari ne po zhbëjmë kujtesën tonë kombëtare pasi kjo kështjellë është pjesë e memories dhe trashëgimisë dhe së dyti po shkatërrojmë turizmin’-thekson Lame.

Z.Lame shkon më tej kur thotë se ‘përgjegjësi i vetëm për këtë situatë është ai që shqiptarët i paguajnë çdo ditë pune shumë shtrenjtë, ai është Ministri i Kulturës Aldo Bumçi’.

Arkeologu Lorenc Bejko pasi vë theksin në rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj kështjelle mesjetare, unike në vend thotë se ‘është e pa tolerueshme heshtja e institucioneve përgjegjëse, lokale dhe qendrore të cilat kanë për detyrë të mbrojnë trashëgiminë, por që në të kundërt, vendosin të heshtin ndërsa lejojnë që ajo të shkatërrohet’.

Një tjetër anëtar i Forumit të Trashëgimisë, deputeti i Partisë Socialiste Auron Tare, me sarkazmë por edhe keqardhje thotë: ‘Për 5 shekuj turqit nuk mundën dot ta shkatërronin këtë kështjellë dhe tani po e bëjmë ne. Në këtë pikë jemi katandisur, kur këto vlera të trashëgimisë jo vetëm që nuk i restaurojmë por i lëmë t’i shkatërrojnë ata që kanë detyrimin ligjor t’i ruajnë’.

Prej muajsh janë disa specialistët e Forumit të Trashëgimisë apo të tjerë individë që me partneritetin e medias kanë denoncuar betonizimin e Krujës, ku çdo ditë objekte massive betoni po zënë hyrjen e pazarit dhe të kalasë e në përfundim të këtyre ndërtimeve, asgjë nuk do të duket më. Kjo do të thotë shkatërrim tërësor i kësaj qendre të rëndësishme historike për shqiptarinë, zhbërje të një qyteti i cili personifikon luftën heroike të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama