“Dikur qëndronim larg dhe konsideroheshim të kotë, të paktën për pjesën më të madhe të muajve të parë të jetës së një fëmije. Sot, përkundrazi, nëse thua që nuk dëshiron të hysh në sallën e lindjes apo t’i qëndrosh afër gruas që nga ardhja e fëmijës në jetë, rrezikon seriozisht divorcin”. Tashmë burrat janë kthyer në protagonistë të vërtetë të jetës familjare. Me pak fjalë, mund të flasim për meshkuj mutantë. Brenda dy gjeneratash meshkujve u është dashur të ndryshojnë tërësisht rolin e tyre. Tanimë atyre u duhet të marrin pjesë në kurset e paralindjes, të mësojnë të ndryshojnë panolinat apo të përgatisin qumështin dhe biberonin. “Më të zotë e më të përfshirë, por përjetësisht të frikësuar përballë idesë se do të bëhen prindër”, - tregon Pierre Antilogus, që bashkë me Jean Luis Festjens sapo ka publikuar edicionin e ri të “Guida për baballarët e rinj”, një best-seller që 20 vjet më parë kishte shitur një milion kopje vetëm në Francë e që është përkthyer në 19 vende të ndryshme.
Në atë kohë baballarët ishin ende të prekur nga frika se të qenit prindër nuk është e lehtë. Shumë prej tyre mendonin se nuk do ja dilnin kurrë mbanë të vinin në gjumë një bebe të porsalindur që qante pa pushim, pikërisht ashtu siç tregonte filmi francez “Tre burra dhe një bebe”. “E shkruam manualin tonë të parë për t’i dhënë një vizion ndryshe atësisë; më human dhe me plot të papritura, ashtu si vet jeta reale”, - tregon Antilogus, që i ka kaluar të gjitha fazat ku kalon një prind e vitin e kaluar shkroi një libër edhe për mënyrën se si duhet të sillemi me një adoleshent. “Gënjen veten kur mendon se e keqja ka kaluar. Kur fëmijët rriten pak, halle të tjera të presin”. Botimi i ri i manualit i ka qëndruar besnik versionit origjinal në shumë gjëra.
“Disa baballarë të këqij mund të na thonë se të sjellësh në shtëpi një fëmijë është një provë e vështirë, e kushtueshme dhe burim telashesh. Në fund të fundit, kanë të drejtë”. Autorët renditin të gjitha gjërat që meshkujve të sotëm u kërkohet që t’i bëjnë, por që në fund të fundit ata do të donin t’i evitonin. Aty tregohet për shembull se si u kërkohet të ngrihen shumë herë gjatë natës për të ushqyer të vegjlit apo përgatitur ushqimin; për qarjet dhe gjithçka që u duhet të bëjnë për të ndihmuar bashkëshortet që ta ndajnë përgjysmë lodhjen. Po ashtu, flitet edhe për miqtë dhe të afërmit që pushtojnë shtëpinë e duan të bëjnë shaka dhe foto në momentet më të papërshtatshme. Sot me plot gojën mund të themi se baballarët kanë ndryshuar.
Ata janë të pranishëm në çdo hap të rritjes së fëmijëve, që nga lindja e deri sa bëhen edhe shokët e tyre të lojës. Bëjnë gjithçka për të ndihmuar gruan, por edhe për kënaqësinë e tyre, për të ndjerë rritjen e të vegjëlve në çdo etapë të jetës. Por, ndryshimi i tyre nuk përfundon këtu. Kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë gjëra në krahasim me vitet ‘80. Bashkëshortët tani e ndjekin shtatzëninë e gruas nga fillimi deri në fund. “Madje, ndonjëherë e teprojnë duke shkuar tek doktori për të parë ekografinë apo ndryshimet në çdo muaj të rritjes së bebes”, - tregon Antilogus.
Tani edhe në vendet e punës nuk është më turp të marrësh lejen e lindjes për fëmijën. “Kur shkruam librin në fillim, burrat mund të merrnin tri ditë leje për lindjen e një fëmijë, ndërsa sot ka shkuar në dy javë”. Gjithsesi, edhe kjo nuk është e mjaftueshme. Autorët në libër shkruajnë se të gjithë meshkujt duhet t’i kërkojnë qeverisë një periudhë leje lindjeje të barabartë me atë të grave. Në Norvegji, 85% e baballarëve kërkojnë të paktën 4 javë leje nga puna pasi lind një fëmijë. Në Britaninë e Madhe ka shumë baballarë që qëndrojnë në shtëpi me fëmijët e tyre dhe sipas disa statistikave janë të paktën 200 mijë, pothuajse dyfishi i vitit 1993, kur filloi kjo tendencë.
Në të njëjtën periudhë, numri i nënave shtëpiake është zvogëluar nga 2.7 milionë në 2.1: është një diferencë e vogël e ndryshimit shoqëror, por mjaft domethënëse. Në Londër, në zonën e Wimbledon, një grup baballarësh shtëpiakë “Dad’s Group”, janë dëshmitarët më të rinj të fenomenit në fjalë. Duken shumë të gëzuar dhe kanë thënë se janë me shumë fat që punojnë pa lëvizur nga shtëpia, madje janë të lumtur se nuk humbasin asnjë çast nga rritja e fëmijës. Ata mund të kujdesen për çdo punë, në mënyrë që kur bashkëshortet e tyre kthehen në shtëpi dhe gjejnë gjithçka në rregull, janë të gatshme për çdo gjë, madje edhe nga ana seksuale. Sipas sondazheve të fundit, bëhet fjalë për 5% të baballarëve amerikanë, pra burra që kanë zgjedhur familjen si impenjim të parë. Shifrat janë vazhdimisht në rritje, aq sa kanë vënë në lëvizje shoqëri të ndryshme.
Disa kompani po u kushtojnë shumë rëndësi të mirave familjare. Në vende të ndryshme të Europës, fenomeni ‘baballarë shtëpiakë’, të cilët u kanë dhënë mundësi bashkëshorteve të tyre të kujdesen pak më shumë për veten, nuk ka filluar të aplikohet dhe këtë e vërtetojnë shifrat. Sipas sondazheve, koha mesatare që burrat u kushtojnë fëmijëve, shtëpisë, pazareve, pastërtisë, është rritur 11 minuta në 20 vitet e fundit. Koha maksimale nuk arrin më shumë se 45 minuta në ditë. Diferenca e madhe, sipas autorëve, është në fushën e punëve të shtëpisë.
“Këtu shihet një diferencë e madhe mes burrave dhe grave”. Gjithsesi, revolucioni është në zhvillime e sipër. Baballarët e rinj kanë mësuar të marrin në telefon pediatrin dhe të organizojnë festa ditëlindjeje. Madje, shpesh i sheh në hyrje të kopshteve apo çerdheve. “Edhe pse zakonisht me disa minuta vonesë në krahasim me nënat”. Madje, përfshihen aq shumë sa përjetojnë dhe kujdesen sa nënat për gjithçka që ka lidhje me fëmijët e tyre. Për më tepër, kur ndahen kërkojnë ndarjen në dy pjesë të përgjegjësive për të vegjlit. Në fund, baballarët e sotëm kanë zbuluar se kanë përpara një sfidë apasionante: “Atësia është një burim gëzimi i pashtershëm, ndaj burrave u duhet vetëm pak kurajë për t’ia dalë mbanë”.