Por nevojiten burime dhe fonde të mëtejshme për konvertimin e fondit ekzistues të Bibliotekës në formatin dixhital dhe për ruajtjen e përmbajtjes së saj dixhitale në web. Chris Murphy është drejtor i Divizionit të Lindjes së Afërme në Bibliotekën e Kongresit: "Biblioteka i filloi përpjekjet e dixhitalizimit rreth 15 vite më parë dhe projekti i saj i parë i madh u quajt “American Memory”, ku dokumentet rreth historisë së Amerikës, fotografitë, hartat dhe shumë artikuj të tjerë ishin të dixhitalizuara. Kjo ishte përpjekja jonë e parë dhe ishte një projekt i vërtetë demonstrimi, për të treguar se si bota dixhitale mund t’u vijë në ndihmë studiuesve, madje edhe shkollave tetëvjeçare dhe të mesme. "Zoti Murphy thotë se programi i dixhitalizuar i Bibliotekës deri tani ka prodhuar rreth 14 milionë dokumente dhe imazhe të dixhitalizuara dhe i ka bërë ato të vlefshme për mbarë botën nëpërmjet internetit. Zoti Murphy thotë se ka kufizime ligjore për këtë përpjekje, veçanërisht kur është fjala për dixhitalizimin e librave, muzikës, videos dhe filmave.
"Zakonisht ne nuk i dixhitalizojmë librat nëse ato nuk janë për përdorim publik, që do të thotë, të jenë pa pengesa përsa i përket të drejtës së autorit. Ne gjithashtu kemi dixhitalizuar muzikë dhe filma dhe ngaqë ato janë nën të drejtën e autorit, ne duhet të marrim leje nga autori për dixhitalizimin e tyre". Pavarësisht nga këto kufizime, dixhitalizimi i Bibliotekës së Kongresit po e transformon koleksionin e vet impresionues në një magazinë për ruajtjen e informacionit elektronik global. Një nga njerëzit që ka ndihmuar në zgjerimin e mundësisë së shfrytëzimit të saj është Mary Jane Deeb, drejtoresha e Divizionit të Afrikës dhe Lindjes së Mesme të Bibliotekës. "Biblioteka është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, duke përfshirë jo vetëm njerëzit që shkojnë atje fizikisht për të shfrytëzuar fondin e saj, por edhe për njerëzit që jetojnë në Kinë, në Indi, në botën arabe, në Rusi; të gjithë banorët e këtyre vendeve mund t’i shfrytëzojnë materialet që janë në faqen kompjuterike të bibliotekës". Zonja Deeb thotë se ndërsa misioni i Bibliotekës për të siguruar dhe ruajtur shkëmbimin e njohurive nuk ka ndryshuar në epokën dixhitale, mjetet për dhënien e informacionit po ndryshojnë me shpejtësi. Deeb shpjegon se një projekt bashkëpunimi, me përfshirjen e Organizatës Edukative, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara, apo UNESCO, po ndihmon në dixhitalizimin dhe publikimin në internet jo vetëm të koleksioneve të Bibliotekës së Kongresit, por edhe të bibliotekave të tjera në vende të ndryshme të botës. Biblioteka e Kongresit ka filluar një bashkëpunim me UNESCO-n, një projekt të madh global, të njohur si Biblioteka Dixhitale e Botës. Ajo është në fakt, një bibliotekë virtuale, ku vendet e ndryshme të botës do të jenë në gjendje t’i dixhitalizojnë koleksionet e tyre dhe t’i publikojnë ato në web, për të krijuar kështu bibliotekën kompjuterike. Në bibliotekën dixhitale njerëzit do të mund të zhvillojnë kërkime në 7 gjuhë të ndryshme të botës të Kombeve të Bashkuara, plus portugalisht. Me fjalë të tjera, fondi i Bibliotekës do të mund të shfrytëzohet në ato gjuhë, në mënyrë që njerëzit nga vende të ndryshme të botës të mund të zhvillojnë kërkime për këto materiale të dixhitalizuara. Biblioteka e Dixhitalizuar e Botës është ende në fazën e provës, por ajo është në plan të bëhet e shfrytëzueshme për publikun si një faqe kopjuterike me të gjitha instrumentet e nevojshme të kërkimit, deri në fillim të 2009-s.
(VOA)