Marjana ka 11 vite që punon në bibliotekë. Ajo thotë se është e kënaqur me shtimin e numrit të frekuentuesve. Ato tregojnë se biblioteka hapet në orën 08.00 të mëngjesit deri në orën 18.00 të mbasdites. Të parët në radhë janë pensionistët, pasi ata zgjohen herët dhe kërkojnë të njihen me shtypin e ditës, pastaj vijnë studentët të cilët ambientin e shfrytëzojnë për sezonin e provimeve. Por nuk mungojnë as fëmijët që shfletojnë tekstet për fëmijë. Kjo bibliotekë ka në fondin e vet 6 mijë libra të gjinive të ndryshme, që mbajnë autorësinë e shkrimtarëve të huaj dhe shqiptar. Biblioteka është në varësi të Njësisë Bashkiake Nr. 7 dhe pasurohet nga buxheti që i akordon kjo njësi. Për kët vit, ende nuk janë bërë blerjet e teksteve të reja. E njëta situatë është edhe në Bibliotekën Nr. 5, ku punonjësja Ilira Turkishi, na vë në dukje se aktualisht po bën propozimet për prurjet e reja në bibliotekë.
Punonjëset e bibliotekave shprehen se jo të gjithë e dinë se ekzistojnë bibliotekat, ngaqë më parë nuk kanë qenë kaq të frekuentuara. “Jo të gjithë e dinë që ekzistojnë bibliotekat e lagjeve, pasi ato kanë qenë të parregulluara dhe me mobilie të vjetra.” E vetmja gjë që kërkojnë punonjëset e këtyre bibliotekave është pasurimi me tekste. Madje, ato kërkojnë që të ketë sa më shumë buxhet dhe dhurime nga shkrimtarët, por edhe nga shtëpitë botuese.
“Kërkojmë një vëmendje të veçantë për shtimin e librave të rinj, për shtypin e përditshëm dhe revistat. Fondi i librave ne Bibliotekën Nr.9 është 6 mijë, ku janë përfshirë të gjitha gjinitë e botimeve. Kjo bibliotekë është furnizuar vazhdimisht nga njerëz që e duan librin, të cilët na kanë dhuruar rreth 100 libra.
Ne po bëjmë një punë që të përthithim sa më shumë libra me dhurues. Gjithashtu, u bëj thirrje shtëpive botuese që të na dhurojnë edhe ato qoftë edhe një kopje libri, të autorëve që ata botojnë.” Ndryshe ka ndodhur me Bibliotekën Nr. 5, e cila ka pasur fatin të përfitojë 3 mijë libra nga një dhurim serioz i Arkivit të Filmit. “Ne kemi rreth 3 mijë libra të dhuruar. Arkivi i Filmit na dhuroi komplet bibliotekën e vetë. Fondi i librave është 10 mijë libra të ndryshëm artistikë, shkencorë, biografi, filozofi, për fëmijë, për mjekësi etj. Kemi 520 frekuentues të rregullt. Ndërsa ata që vijnë vetëm për të lexuar janë shumë më tepër. Shumica e atyre që shkojnë në Bibliotekën Kombëtare dhe nuk gjejnë vende atje, atëherë vijnë këtu.”
E megjthatë këto biblioteka kanë një historic. Ato janë ndërtuar në fillim të viteve ’60 ku kanë qenë tepër të frekuentuara. Ndërsa në vitet ’90 lexuesit pati një largim. Viti 1997 ishte ai më shkatërruesi, ku shumë libra humbën, u dogjën apo u vodhën duke lënë në mjerim sallat. Punonjëset tregojnë se edhe në atë kohë njerëzit vinin. Në vitin 2003, u ndërtua Biblioteka Nr.5 nga një donacion i huaj, ndërsa u rikonstruktua nga Bashkia e Tiranës edhe Biblioteka Nr.9. Sot, çdo njësi bashkiake ka nga një bibliotekë lagjeje, ku megjithëse me një fond librash që lë ende për të dëshiruar, ato qëndrojnë të hapura dhe përbëjnë një oaz qetësie për të gjithë lexuesit.
Të moshuarit, frekuentuesit më të rregullt
Enver Demishaj është frekuentues i rregullt i bibliotekave. Ai i përket brezi të lexuesve që nuk e lëshojnë nga dora lapsin dhe fletoren. Tashmë ai është në pension. Dikur ka qenë mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në shkollat e qytetit të Fierit. Frekuentimi i bibliotekave është zakon i vjetër për të. Enverin e gjejmë në Bibliotekën Nr. 9. Mbi tavolinë mban një fletore në të cilën shkruan vazhdimisht. “Herë shkoj në Bibliotekën Kombëtare, herë vij këtu. Por, më tepër vij të lexoj apo shkruaj këtu sepse e kam më pranë shtëpisë dhe nuk kam fuqi të shkoj përditë në Bibliotekën Kombëtare.
Arsyeja se përse vij këtu ka të bëjë me qetësinë, kushtet dhe komoditetin që na ofrohet. Për më tepër, që edhe punonjëset na orientojnë për prurjet e reja të bibliotekës. Po kështu, është një zakon që nuk mund ta heq dot, si mësues i vjetër që jam. Unë dua të shkruaj gjithmonë. Më pas largohem për në shtëpi apo bëj një xhiro me miqtë e mi.” Enveri thotë se jo gjithmonë mund të gjejë gjithmonë librat që kërkon. Kjo, pasi në bibliotekë ka mungesë të librave. “Literatura nuk është e plotë. Prandaj atë që kërkoj e gjej pjesërisht.” Edhe në rastet kur ka mungesa të teksteve, Enveri shkon dhe i gjen librat në Bibliotekën Kombëtare.
Studentët zgjedhin bibliotekën për të mësuar në sezon
Ergi Sinoimeri është studente në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, pranë Universitetit të Tiranës. Ajo vjen në bibliotekë në orën 09.00 të mëngjesit. Kohët e fundit, studentja është frekuntuese e rregullt në bibliotekën e lagjes. Arsyet lidhen me sezonin e provimeve. Sezonin e kryen në bibliotekë pasi në shtëpi nuk gjen përqendrim. “Jam më e përqëndruar këtu se sa në shtepi, sepse në shtëpi kam kompjuterin dhe nuk mund të qëndroj larg internetit. Unë vij vetëm në sezon sepse nuk mund ta frekuentoj gjatë ditëve të tjera, pasi nuk kam kohë.”
Erjola Xheblaj është një tjetër frekuentuese e rregullt e bibliotekave të lagjes. “Unë studioj çdo ditë nga ora 09.00 e mëngjesit deri në 15.00 të drekës. Kam tre vite që vij vazhdimisht në bibliotekë për të studiuar për sezonin e provimeve. Vij edhe në raste të tjera për të lexuar ndonjë libër të lëndëve përkatëse, sepse nuk mund t’i ble të gjithë librat që më nevojiten për në universitet dhe disa mund t’i gjej edhe këtu.
Mund t’i marr me vete ose mund t’i lexoj këtu. Në disa raste vij edhe lexoj libra artistikë për të shtyrë kohën.”Ajo rrëfen se më parë nuk e dinte se kishte bibliotekë lagjeje, por rastësisht lexoi në rrugë “Bibliotekë” dhe pa që po hynin njerëz. Kureshtja e shtyu që të futej brenda të shihte, ndërsa sot ajo e frekuenton gjithmonë.